Tetovë, hapja e “Bllagoja Toskës” shtyhet për dy javë

Tetova

Tetovë, hapja e “Bllagoja Toskës” shtyhet për dy javë

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 10:36
Foto ilustrim

Lirimi i rrugës që do të mundësonte vazhdimin e punës për bulevardin “Bllagoja Toska” nuk do të bëhet të paktën edhe për dy javë. Edhe pse për dje (e hënë) ishte paralajmëruar rrënimi i shtëpisë së vetme që ka mbetur në trasenë ku duhet të kalojë bulevardi, kjo nuk u bë! Përfaqësues të Komunës së Tetovës ranë dakord me pronarin e shtëpisë që hapësira të hapet pas dy javësh, ndërsa komuna do ta paguajë qiranë për 6 muaj ku do të vendoset familja Rushiti.

“Njëherë është vendosur dhe për dy javë të qëndrojmë këtu. Brenda dy javësh ne duhet ta lëshojmë këtë edhe ata të na japin paratë vlerësimi sa e ka dhënë dhe të bëhet plani që ta ndërtojmë aty”, Islam Rushiti, pronar i shtëpisë.

Reklama

Por Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi thotë se komuna nuk ka asnjë kontest për çështjen e tokës.

“Siç jeni të informuar të gjitha procedurat tekniko-administrative që është dashur për bulevardin “Bllagoja Toska” të përfundojnë, kanë përfunduar dhe kanë qenë 20 familje që është bërë eksproprimi, me njërën palë që sot ka shkuar inspektorati dhe organet e rendit, që ta zhvendosin nga aty, kanë rënë dakord që brenda një jave ata t’i largojnë të gjitha mjetet. Komuna e Tetovës ka gjetur edhe një vendbanim që do e mbulon edhe çështjen e qirasë derisa familja të gjejë një vendbanim me ato para që janë lëshuar nga eksproprimi”, tha Besar Durmishi, Kryesues i Këshillit Komunal.

Komuna e Tetovës gjatë ditës së premte i kishte dhënë ultimatum familjes Rushiti që ta lëshojë shtëpinë deri në orën 11 të së hënës. Me rrënimin e shtëpisë së familjes Rushiti, përfundimisht hapet rruga për bulevardin që ka 20 vjet që premtohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat