Përgjimet e antimafias italiane kapin ‘në rrjetë’ drejtorin e rëndësishëm të Veliajt

Tirana

Përgjimet e antimafias italiane kapin ‘në rrjetë’ drejtorin e rëndësishëm të Veliajt

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 14:35
Erion Velija

Dosja që çoi në pranga rreth 50 persona në Itali ka në qendër të saj përgjimet e sekserit të akuzuar të Ndragheta-s, Antionio Gallo.

Disa prej të akuzuarve janë shqiptarë, ndërsa Antonio Gallo, veç të tjerash ka një biznes në zonën e ish bllokut në Tiranë.

Përgjimet zbulojnë një rrjet njohjesh në Itali dhe në Shqipëri, përmes të cilave Gallo synonte të shtonte apo të pastronte paratë e mafias italiane në këmbim të mbështetjes politike për funksionarët italianë.

Përgjimet dëshmojnë, se si ky person gjeti kontaktet deri në Tiranë, për të arritur tek ndërtimet shumëkatëshe të kryeqytetit shqiptar.

Përgjimet e Anti-mafies Italiane pritet të nxjerrin detaje të reja që implikojnë bashkinë e Tiranës dhe zyrtarë të saj në afera me mafien italiane.

Burime nga prokuroria speciale SPAK që tashmë ka në dorë përgjime e hetuesve italianë, bëjnë me dije se një drejtues i rëndësishëm i bashkisë së Tiranës është i përfshirë në këtë skandal.

Bëhet fjalë për një drejtor të rëndësishëm të Veliajt që ka xhiruar punë për miliona euro investime.

Burimet flasin për përgjime të forta që pritet të dalin së shpejti, të cilat përfshijnë zyrtarin e bashkisë dhe biznesmenë të lidhura me kompani mediatike të njohura.

Deri tani, biseda më pikante e Antonio Gallo është ajo me një sipërmarrës tjetër, Antionio Speziali. Të dy komentojnë avokatin Klaudio Larussa dhe një kontakt të tij në Tiranë, një biznesmen me emrin ‘Niku’.

Ai përshkruhet si një person, lidhjet e të cilit shkojnë deri tek kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velija. Të dy flasin se si Larusso ka pasur edhe një takim me kryebashkiakun Veliaj për investimet në kryeqytet. Në bisedë flitet edhe për çmimet e shitjes, një metër katror që shkon deri në 2-3 mijë euro në qendër të qytetit.

Në ditët në vijim priten të reja interesante.

Pjesë nga biseda e datës 28 tetor 2017 ora 9.24 min e 37 sec, kohëzgjatja 5 minuta e 09.

Gallo: Ai është shqiptar është President i këtij grupi atje në Shqipëri.

Speziali: Dhe në spitale mund të punohet…

Gallo: Nuk e di, por ai është President i Sol në Shqipëri, të gjithtë spitalet, është pranë Kryeministrit, pranë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një njeri i rëndësishëm..

Speziali: Ka shkuar Claudio (Larussa) atje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës..

Gallo: Po ka shkuar.

Brutto: Si një muaj… një muaj

Speziali: Më thuaj, në Shqipëri, unë vërtet i kam impiantet por jam pak skeptik t’i çoj… nëse i marrim e t’i çoj është mirë për mua… por jo që të ma hedhin… duhet dërguar personi i duhur.

(Flasin për një person me emrin Nik, shtetas shqiptar.)

Gallo: Atëherë kam folur me këtë mikun tim Nik, që më ka thënë se tipi që mori tri licenca për të ndërtuar në Tiranë… ka tri licenca në duar e për 180 milionë që duan, për të bërë ka 10 milionë.

Speziali: Realitet..

Gallo: Kërkojnë financierë më tha… gjejnë një sipërmarrës që është mirë e banka e financon…

Biseda është pjesë e dosjes me thuajse një mijë faqe. Konteksti ka të bëjë me investimin e parave të krimit italian në vendin tonë në fushën e ndërtimeve, një temë e cila është trajtuar shpesh nga mediat vendave apo nga raportet ndërkombëtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat