Tirania e bukurisë ideale

Tirana

Tirania e bukurisë ideale

Nga: Gëzim Mekuli Më: 8 qershor 2021 Në ora: 13:46
Gëzim Mekuli

Javën e kaluar në Kuvendin e Norvegjisë kaloi një ligji i ri në lidhje me reklamat. Këtu u vendos që reklamueset/reklamuesit që kanë përdorur filtër që ndryshon pamjen e tyre në mënyrë artificiale, ose nëse kanë kryer ndërhyrje kirurgjike estetike, duhet të shkruajnë e të informojnë publikun në mediat sociale për një gjë të tillë.

Kjo do të thotë se të gjithë ata/ato të cilët miren me reklamën ose që publikojnë artikuj të sponsoruar në mediat sociale, duhet të shkruajnë nëse kanë ndryshuar pamjen e tyre trupore. Kjo vlenë për shembull nëse keni ndryshuar ngjyrën e lëkurës, keni bërë operacione estetike në fytyrë ose në trup. Qëllimi i këtij ligji është që të rejat dhe të rinjët të mos kenë presion për atë se si duken në aspektin trupor/estetik.

Sot, për fat të keq, ka shumë figura publike dhe ndikues/ndikuese* që kontribuojnë për një "bukuri ideale", joreale dhe të pashëndetshme. Kjo për shkak se këta reklamues bëjnë ndërhyrje plastike dhe "redaktojnë" trupin e tyre në mënyrë që, në disa raste shfaqen si dikushi që nuk janë në të vërtetë fare. E kjo është e dëmshme.

Është e dëmshme sepse vajzat dhe djemtë e rinj e krahasojnë veten e tyre me ideale joreale të bukurisë dhe kjo krijon presion të madh psikologjik e fizik mbi trupin.

Në Norvegji egziston paragrafi 21, i cili merret me praktikat e marketingut ndaj fëmijëve. Këtu përcaktohet qartë që marketingu nuk guxon të luajë me pasigurinë sociale, ndërgjegjen e vrarë, vetëvlerësimin e dobët ose të kontribojë në presionin e trupit.

Të gjithë ne i duam fotografitë e bukura dhe i postojmë ato për të cilat mendojmë se janë të mira dhe që na bëjnë të lumtur. Por ky nuk është problemi. Problemi qëndron në fotografitë që manipulohen me aplikacionet e rregullimeve të fotografisë, ku ti mund ta bësh veten më të hollë, më seksi e më të bukur.

A duhet të flasim për tiraninë e bukurisë?

Ne shqiptarët duhet të diskutojmë kritikshëm për presionin e trupit që po bëhet tek të rinjtë dhe të rriturit përmes medias. Kjo tirani e bukurisë po ekspozon fëmijët dhe të rinjtë çdo minutë, çdo orë e çdo ditë...

Nuk është në rregull që oligarkët e mëdhenjë të bëjnë para nga pakënaqësia e trupit dhe nga vuajtja e dhimbja shpirtërore. Industria e bukurisë është cinike. Është cinike dhe e sëmurë sepse me prekjen e një butoni, ju mund të jeni 7 kg më të lehtë dhe "e pastër" nga defektet dhe tiparet e veçanta që na bëjnë vetëvetja - e për të cilat çdo ditë na thuhet se janë tipare të këqija, jo të bukura e të gabuara.

Duhet pranuar se shumë të rinjë po mashtrohen e po besojnë se trupat e redaktuara me skalper janë të arritshëm nëse blen "produktin e duhur". E kjo ka të bëjë me shfrytëzimin e njerëzve me vetëbesim të dobët.

Të dashur lexues,

atëherë kur edhe një 10-vjeçare ndihet shumë e trashë për të dalë në plazh për të notuar, ne duhet t'ï vemë gishtin kokës e të mendojmë se punët janë më shumë se keq.

Ju jeni të mirë ashtu siç jeni

Fëmijët e të rinjtë tanë janë të ekspozuar ndaj këtyre reklamave mediatike pa qenë të vetëdijshëm se ajo që ata shohin nuk është pasqyrim i realitetit, por vetëm një version i manipuluar, që është e pamundur të arrihet, pavarësisht se cilin produkt kozmetik e blen.

P.s. "Ndikuesit/Ndikueset" (pra reklamuesit) janë ata/ato të cilat fitojnë para nga mediat sociale, kanë shumë ndjekës dhe mund të ndikojnë tek njerëzit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat