Rama dhe Granoff inspektojnë punimet tek Piramida: Gati tetorin tjetër

Tirana

Rama dhe Granoff inspektojnë punimet tek Piramida: Gati tetorin tjetër

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan sot kantierin e ndërtimit të Piramidës.

Rama vlerësoi se “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim është një partner në realizimin e këtij projekti strategjik për rininë, ekonominë, zhvillimin teknologjik të vendit”.

“Duke ndjekur vijimin e punës për qendrën e inovacionit e teknologjisë digjitale më të madhe në rajon që do të jetë gati tetorin e ardhshëm”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se po mendojmë mënyrën më të mirë për të optimizuar të gjithë hapësirën e Piramidës, ndërsa theksoi se njëra prej godinave të jashtme në ambientet e Piramidës do të përdoret nga Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe tjetra dhe Agjencia Kombëtare e Informacionit.

Nga ana e tij, kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff kërkoi që të ruhen standardet në ndërtim.

Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj informoi mbi ecurinë e punimeve në këtë kantier të rëndësishëm të kryeqytetit.

“Mund të themi që 30% e punës është bërë. Arkitekti do të vijë sërish në fund të muajit për detajet përfundimtare, por kemi goxha punë për fasadën. Kemi marrë miratimin për të dhe për punimet për gjelbërimin si dhe disa nga ato detajimet që do bëhen brenda. Siç e shikoni, këto janë si lego, disa janë brenda, disa do të jenë anash ndërtesës. Këtu kemi dy kube, që pamja e tyre përfundimtare do të jetë si një kub. Pjesa tjetër do të jetë një auditor. Kështu që do të shihet ky gërshetim i shkallëve, por edhe i pjesës metalike në nivele të ndryshme aktivitetesh. Disa nga kutitë do të jenë këtu, disa brenda, e disa edhe në anë të ndërtesës”, tha Veliaj, i cili shtoi se pjesë e projektit do të jetë edhe një kinema, si dhe një auditor i madh.

Projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat