Nuk ndalen ndërtimet në Tiranë, sipërfaqja e lejeve i afrohet rekordit të 2019-s

Tirana

Nuk ndalen ndërtimet në Tiranë, sipërfaqja e lejeve i afrohet rekordit të 2019-s

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

Vrulli i ndërtimeve në Tiranë pritet që të vazhdojë të paktën dhe në një të ardhme afatmesme, si rrjedhojë e lejeve të shumta të ndërtimit që po vijojnë të jepen.

Sipas të dhënave të INSTAT, për 9-mujorin, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ishte 1.25 milionë m2, me një rritje prej 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Sipërfaqja e lejeve të dhëna në janar-shtator 2021 po i i afrohet rekordit më të lartë të më shumë se një dekade, që u arrit në 2019-n, duke qenë vetëm 4.5% më e ulët. Nëse edhe tremujori i katërt vijon me të njëjtat ritme, 2021-shi mund të shënojë rekordin e viteve të fundit, teksa në muajt e fundit të 2016-s, sipërfaqja e lejeve u reduktua ndjeshëm për shkak të stepjes nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në tremujorin e tretë, sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet ishte 435 mijë metra katrorë, rekordi i këtij viti dhe më e larta që nga tremujori i tretë 2019. Sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në Tiranë për 9-mujorin është 43.6 miliardë lekë, ose 355 milionë euro.

Në Tiranë, për 9-mujorin është dhënë 73% e totalit të lejeve në rang kombëtar. Në vend, gjithsej për 9-mujorin u dha leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 1.7 milionë metra katrorë, me rritje 62% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s dhe 7% më pak se 2019-a. Sipas njoftimit të INSTAT, në tremujorin e tretë 2021 janë miratuar gjithsej 442 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 262 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2020, duke shënuar rritje prej 68,7%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2021, është 564.266 m2, nga 397.947 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2020, duke shënuar rritje prej 41,8 %. Në tremujorin e tretë 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 22,5 miliardë lekë, nga 19,5 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2020, duke shënuar rritje prej 15,2%. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat