Pezullohen mbi 200 patenta, më shumë se 6 mijë shoferë të gjobitur

Tirana

Pezullohen mbi 200 patenta, më shumë se 6 mijë shoferë të gjobitur

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Gjatë javës që lamë pas, nga shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë janë arrestuar dhe proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, 47 persona, konkretisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, për largim nga vendi i aksidentit apo për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve parandaluese, janë goditur 4 raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. 4 drejtues mjetesh janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore të kryeqytetit, duke drejtuar automjetet në mënyrë të parregullt (3 nën ndikimin e alkoolit dhe 1 në gjendje të dehur), dhe për t’i shpëtuar masës administrative kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar para.

Janë pezulluar 248 leje drejtimi, të ndara sipas shkeljeve: 48 për “Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit”, 165 për “Kufizimet e shpejtësisë” dhe 35 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Janë tërhequr 11 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjetit ose ishin të çrregjistruara në vendet e origjinës; janë bllokuar 26 mjete, për mungesë dokumentacioni.

Janë vendosur 6652 masa administrative, me një mesatare 950 masa të vendosura në ditë, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mospërdorim të rripit të sigurimit, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, parkime të gabuara, parakalime të gabuara, xhama të riveshur dhe shkelje të tjera të ndryshme.

Janë ndëshkuar me masë maksimale 40.000 mijë lekë të rinj, 13 drejtues mjetesh që janë kapur duke bërë gara shpejtësie.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat