Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, ja rrugët që do të bllokohen sot në Tiranë

Tirana

Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, ja rrugët që do të bllokohen sot në Tiranë

Më: 9 tetor 2025 Në ora: 08:23
Foto ilustrim

Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, Policia ka hartuar një plan të posaçëm masash, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tij.

Konkretisht, në funksion të përmbushjes së këtyre qëllimeve, janë ndërmarrë këto masa:

-Kufizimi i lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë sheshin), rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe në aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”;

-Për këmbësorët do të jetë i bllokuar gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të konferencës, trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve.

Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor 2025, deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.

Policia e Tiranës iu bën thirrje qytetarëve, për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Gjithashtu, ftojmë të shmangni lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara, si dhe të respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.

Për çdo rast nevojë për ndihmë ose orientim, drejtojuni punonjësve të Policisë ose telefononi në numrin pa pagesë 112.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat