Kroacia i bashkohet fushatës për të shpëtuar breshkat në rrezik zhdukje të Adriatikut - Bota Sot
Kroacia i bashkohet fushatës për të shpëtuar breshkat në rrezik zhdukje të Adriatikut

Turizëm

Kroacia i bashkohet fushatës për të shpëtuar breshkat në rrezik zhdukje të Adriatikut

Më: 3 maj 2019 Në ora: 22:30
Breshka e ujit

Një projekt i ri që bashkon gjashtë vende mesdhetare po punon për të shpëtuar popullsitë në rrezik zhdukjeje të breshkave të ujit nga një sërë kërcënimesh të kombinuara së bashku siç janë turizmi, ndotja dhe peshkimi.

 

Dy ish-republikat jugosllave, Kroacia dhe Sllovenia, i janë bashkuar një projekti të ri që synon mbrojtjen e popullatës së rrezikuar të breshkave të ujit në Europë.

Ata janë midis gjashtë vendeve, duke përfshirë Qipron, Maltën, Italinë dhe Greqinë, që i janë bashkuar projektit “Life Euro Turtles”.

Projekti synon të mbrojë dhe të rrisë ndërgjegjësimin për vendet ku breshkat e ujit jetojnë në faza të ndryshme të jetës dhe të përmirësojnë lidhjet midis vendeve në ruajtjes së breshkave.

Gjatë gjithë jetës së tyre, breshkat e ujit fillimisht frekuentojnë ujërat e hapura dhe pastaj kanë tendencë të frekuentojnë ujëra më të cekëta, kur mund të ushqehen me pre të tjera.

Drasko Holcer, nga organizata partnere e Kroacisë, Instituti “Blue World” i Hulumtimeve dhe Ruajtjes së Botës Ujore, tha për BIRN se mbrojtja e integruar europiane është e rëndësishme pasi breshkat e ujit kanë nevojë për mbrojtje si në vendet ku ngrenë foletë e tyre ashtu edhe në vendet ku ato rriten, ushqehen dhe dimërojnë.

Mbrojtja e vendeve ku ato ngrenë foletë nuk ka asnjë rëndësi të madhe nëse breshkat më të mëdha vriten në det, theksoi ai.

“Ju mund të mbroni vendet e foleve të tyre. Nga këto vende folesh, një numër i madh kafshësh shkojnë në det. Por kur vijnë në detin Adriatik, ato rriten, hanë dhe kështu me radhë. Nëse njerëzit i peshkojnë ato, atëherë asnjë prej tyre nuk do të kthehet më për të bërë vezë,” tha Holcer.

Për të arritur një mbrojtje më të mirë, ata po përdorin metoda të reja monitorimi, duke u mbështetur në teknologjinë GSM, duke informuar peshkatarët se si të shmangin kapjen gabimisht të breshkave me rrjetat e tyre të peshkimit dhe po angazhojnë një audiencë më të gjerë.

Holcer dhe kolegët e tij nga projekti po bëjnë çmos për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këta zvarranikë të lashtë detarë.

Ata kanë zhvilluar një aplikacion android, “eTurtle”, i cili operon në gjashtë gjuhë.

Njerëzit mund ta përdorin atë për të dërguar pamje breshkash në det, folesh, çeljesh vezësh dhe breshkash të lënduara ose të vdekura.

“Pa pjesëmarrjen e qytetarëve, pa pjesëmarrjen e njerëzve që përdorin një burim, mbrojtja e natyrës nuk mund të vihet në zbatim,” tha Holcer.

Breshkat e ujit kërcënohen nga një numër i madh aktivitetesh njerëzore, si në tokë ashtu edhe në det.

Ato përfshijnë përdorimin e madh të plazheve ku breshkat ngrenë foletë e tyre ose tej përdorimin e varkave të shpejta, avionëve pa motorë, motorëve të ujit, të cilët mund të vrasin breshkat që ngjiten në ujërat e ngrohta të sipërfaqes së detit.

Shumë dritë artificiale nga bregu gjithashtu mund t’i dëmtojë ata, pasi instinkti i tyre i tërheq ato drejt një vendi me më shumë ndriçim.

Kjo zakonisht është pasqyrimi i dritës së hënës në oqean, por ato mund të ngatërrohen nga drita artificiale e bërë nga njeriu dhe mund të shkojnë drejt një rreziku.

Shumë prej tyre gjithashtu vdesin sepse hanë qese plastike, një pasojë e “kulturës tonë moderne” për të hedhur plehrat kudo.

Me një sipërfaqe deti prej 31,067 km katrorë dhe më shumë se një mijë ishuj, ujërat detare të Kroacisë janë bërë gjithnjë e më popullore mes turistëve dhe detarëve.

Por ky bum turistik përbën një kërcënim për habitatin natyror të kafshëve të shumta detare, siç janë breshkat e ujit, të cilat kalojnë pjesë të jetës së tyre në pjesën kroate të Adriatikut.

Qendra për Shpëtimin e Breshkës së Ujit në Mali Losinj kujdeset për breshkat e ujit (breshka kokëtrashë) dhe breshkat e gjelbra të detit.

Kërcënimi kryesor për breshkat në Adriatikun kroat vjen nga peshkimi, sipas Holcer.

Shumë breshka përfundojnë të ngatërruara në rrjetat e peshkimit. Shumë prej tyre plagosen keq dhe nuk mbijetojnë pas kësaj, edhe nëse i hedhin përsëri në ujë.

Megjithatë, disa anije peshkimi tani po përdorin teknologji të reja, të tilla si ndriçimi me drita të gjelbra LED për të paralajmëruar breshkat.

Sipas “Life Turtle Euro”, kjo ka rezultuar në një reduktim prej rreth 40 për qind të numrit të breshkave të kapura me rrjetat e peshkimit.

Mesdheu është në shtëpi kryesisht për breshkat e ujit dhe një popullsi shumë të vogël të breshkave të gjelbra, të cilat mezi e kanë marrë veten nga kërcënimi i zhdukjes.

Por numri i breshkave të ujit gjithashtu ka rënë për shkak të shkatërrimit të habitatit të tyre ose peshkimit. Ato janë ende një specie e rrezikuar.

Pas dekadash të tëra punë për mbrojtjen e foleve të tyre, mbijetesa e tyre është më pak e rrezikuar sesa ishte më parë, por mbrojtja e mëtejshme është ende e nevojshme.

Holcer thotë se organizata të ndryshme për mbrojtjen e tyre duhet të punojnë së bashku nëse duan të kenë sukses.

“Masat mbrojtëse filluan rreth 30 apo 40 vjet më parë. Projekti ynë po përpiqet të lidhë këto organizata që punojnë në mënyrë të pavarur,” tha Holcer. Breshkat duhet të lejohen “të mbijetojnë në të gjithë zonën e banuar,” tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...