Turizmi në botë pritet të bjerë për 80 për qind si pasojë e koronavirusit - Bota Sot
Turizmi në botë pritet të bjerë për 80 për qind si pasojë e koronavirusit

Turizëm

Turizmi në botë pritet të bjerë për 80 për qind si pasojë e koronavirusit

Më: 7 maj 2020 Në ora: 16:49
Paris

Numri i turistëve në botë do të ulet mes 60 dhe 80 për qind në vitin 2020, për shkak të koronavirusit, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Turizmit, duke ulur ndjeshëm parashikimet e bëra më herët.

Masat e ndalimit të udhëtimeve dhe mbyllja e aeroporteve dhe kufijve tokësorë për të ndalur shpërndarjen e virusit, kanë zhytur turizmin në krizën më të thellë që kur nisi mbledhja e të dhënave më 1950, ka bërë të ditur kjo organizatë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Lëvizja e turistëve ka rënë për 22 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, dhe 57 për qind vetëm në muajin mars, me Azinë e Evropën që kanë vuajtur më së shumti, sipas këtyre të dhënave.

“Bota po përballet me krizë të paparashikueshme shëndetësore dhe ekonomike. Turizmi është goditur fort, me miliona vende pune në rrezik në një prej sektorëve më intensivë të ekonomisë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Zurab Pololikashvili, raporton “The Guardian”.

Kompanitë ajrore kanë pësuar më së shumti që nga shpërthimi i virusit në fund të vitit 2019 në Kinë me fluturimet e anuluara, por që kanë prekur edhe zinxhirin e turizmit duke përfshirë hotelet e operatorët e turizmit.

Organizata kishte parashikuar në fillim të vitit se turizmi botëror do të rritej për 3-4 për qind më 2020, por më pas rishikoi parashikimin në fund të marsit, duke thënë se do të ketë rënie prej 20-30 për qind. Tani, me zgjatjen e izolimit, organizata ka thënë se do të ndryshojë edhe parashikimi. Në skenarin më të mirë, sipas saj, nëse lehtësohen masat në korrik, turizmi do të pësojë rënie për 58 për qind. Nëse kufijtë mbesin të mbyllur e udhëtimet nuk lehtësohen para dhjetorit, rënia mund të jetë deri në 78 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat