Pogradeci çel nesër sezonin turistik/ Kryebashkiaku flet për hapësirat publike në plazhe

Turizëm

Pogradeci çel nesër sezonin turistik/ Kryebashkiaku flet për hapësirat publike në plazhe

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Pogradeci çel nesër sezonin turistik. Duke folur mbi përgatitjet që po bëhen, kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” theksoi se është gati për të pritur fluksin e vizitorëve. Më tej, ai ka treguar masat që janë marrë për pastrimin dhe sigurinë në plazhe.

“Më keni marrë në ditën e duhur, nesër çelim sezonin turistikë. Do të jetë një aktivitet dinjitoz. Ne sloganin e kemi “gëzo mikpritjen, sodit natyrën, shijo traditën”; reklamën më të mirë ia bëjnë qytetarët shqiptarë. Kemi 2 vite që përgatitemi për të pasur një breg liqenor të pastër. Do gjeni një qytet të pastër dhe të sigurt.”

I pyetur nëse Bashkia ka vendosur hapësira të caktuara për plazhet publike, Xhakolli sqaroi: “Ne kemi bërë një hartë, të aprovuar nga Ministria e Turizmit, pjesa më e madhe mbetet për publikun. Sigurisht që ka edhe plazhe private. Ne sivjet kemi bërë edhe një plazh për fëmijët apo për ata me aftësi ndryshe. Do ta shikoni nesër kur të inagurojmë sezonin turistik.”

Sa iu përket çmimeve, ai tha se janë të përballueshëm.

“Përveç bukurive të natyrës, ajrit të mirë dhe natyrës së pogradecarëve, një gjë që është edhe si ofertë, është çmimi i përballueshëm nga familjet shqiptare. Është një ofertë e mirë për të gjithë…Ne kemi bërë një kalendar. 100 ditët e verës në qytetin e Pogradecit, çdo ditë do të ketë një aktivitet të organizuar nga bashkia apo aktivitetet e tjera.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat