Bëhuni gati! Pushimet, këtë vit do të jenë ‘të kripura’

Turizëm

Bëhuni gati! Pushimet, këtë vit do të jenë ‘të kripura’

Më: 29 maj 2022 Në ora: 17:11
Ilustrim

Pushime në struktura luksoze, mesatare apo ekonomike? Nuk ka rëndësi çfarë plani keni këtë vit, pasi çmimet do të jenë të rritura për të gjitha kategoritë.

Strukturat akomoduese parashikojnë një rritje 10%, për të përballuar kostot e shtuara të energjisë, ushqimeve, naftës dhe pagave të rishikuara të stafeve.

Ndërkohë që edhe ata që do të duan variantin ekonomik nuk mund të shpëtojnë nga kostoja e rritur e naftës dhe ushqimeve, sapo të dalin nga dera e shtëpisë. Tur-operatorët gjykojnë se, pavarësisht çmimeve, planet e pushimeve të verës ka pak gjasa të ikin nga kalendari i familjeve, të cilat do të përshtatin gjithçka sipas buxhetit, nga net-qëndrimet tek udhëtimet e fundjavave.

Ende pa nisur mirë sezoni veror, në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë faturat “tradicionale” të çmimeve në restorante e hotele, kryesisht në zonën e Jugut, shoqëruar me pakënaqësi. Pavarësisht zemëratës njëzëri, argumenti i përvitshëm për atë që ndodh në vend është ai i vendosjes së çmimit nga kërkesë-oferta.

Për aq kohë sa ka njerëz të gatshëm të paguajnë në nivele të tilla çmimesh, do të ketë edhe ofertë. Këto përgjithësisht janë raste të hasura tek-tuk, me çmime me nivele ekstreme, në raport me mesataren e përgjithshme.

Opsionet më të lira nuk mungojnë gjithashtu. Por viti 2022 parashikohet të jetë “më i kripur” në çmime, për të gjithë ata që do të duan të pushojnë gjatë verës, pasi rritja e çmimeve ka ardhur në disa segmente njëkohësisht, duke e bërë thuajse të pamundur amortizimin e plotë të tyre, pa dhënë efekt te kostoja finale.

Preken familjet me pushime “ekonomike”, turizmi i fundjavës mund të ulet lehtë

Pavarësisht çmimeve me të cilin mund të sigurosh hotelin, edhe nëse ai nuk i është nënshtruar ndonjë rritjeje, kostoja e pushimeve të familjarëve këtë vit pritet të jetë më e lartë.

Një ndër segmentet kryesore që ka shënuar rritje jo të vogël është çmimi i karburanteve. Nafta dhe benzina, që kapën nivele rekord 260 lekë/litri, e tashmë luhaten mes 220-235 lekë/litri, sipas vendimit të Bordit të Transparencës të ngritur prej disa muajsh, kanë një peshë jo të vogël të shpenzimit në koston totale të pushimeve.

Grupi i atyre që zgjedhin pushime edhe më ekonomike, ku në vend të një hoteli standard do të zgjedhin një strukturë me ambient gatimi, sërish do të ketë kosto më të larta sesa një vit më parë, për shkak të shtrenjtimit të shtrenjtë të ushqimeve në njësitë e tregtimit me pakicë dhe shumicë.
Gjithsesi, për tur-operatorët pushimet nuk do të mungojnë.

Sipas tyre kjo do të thotë se familjet që tradicionalisht planifikojnë çdo vit pushime, do ta bëjnë atë edhe këtë vit, pavarësisht kostos së rritur. Luhatje mund të shënojë turizmi i fundjavës, ku një pjesë e familjeve mund të reduktojnë udhëtimet gjatë sezonit veror në destinacione të ndryshme, duke e fokusuar këtë buxhet te pushimet e gjata të verës.

Një tjetër element që mund të vihet re këtë verë, sipas operatorëve turistikë, është shkurtimi i net-qëndrimeve, duke reduktuar qëndrimet 10-ditore në javore, apo ato javore në 5-ditore. Ata presin që situata e çmimeve këtë vit të riorganizojë edhe destinacionet e preferuara të pushimeve për vendasit që do të duan të pushojnë këtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat