​Shqipëria pret ta thyej rekordin me turistë, Kumbaro: Kemi marrë masa për çmime të arsyeshme

Turizëm

​Shqipëria pret ta thyej rekordin me turistë, Kumbaro: Kemi marrë masa për çmime të arsyeshme

Më: 30 maj 2022 Në ora: 11:18
Foto ilustrim

Shqipëria është bërë gati që të tejkalojë shifrën e gjashtë milionë turistëve gjatë këtij viti. Përveç në bregdet, tashmë janë hapur mbi 260 bujtina për mysafirë në sektorin e agroturizmit. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në intervistën për KosovaPress, thotë se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të jenë të arsyeshme. Megjithatë, ajo thekson se mysafirët duhet që të shtrihen në gjithë territorin e Shqipërisë, me qëllim që të mos krijohen përqëndrime.

Qershori, korriku e gushti janë muajt ku bregdeti mbushet plot me pushues nga Kosova dhe mbarë bota. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro fton mysafirët shqiptarët që ditët e pushimit t’i ndajnë mes detit, malit, sporteve natyrore e tureve të organizuara në shtigjet e Shqipërisë.

Kumbaro: Këtë vit ne mendojmë që do të kemi shtrirje më të gjerë të hartës gjeografike turistike

“Këtë vit ne mendojmë që do të kemi një shtrirje më të gjerë të hartës gjeografike turistike, jo vetëm në bregdet që është i preferuar për larminë që ka. Por, pjesë e brendshme e territorit të Shqipërisë ofron këtë verë potenciale të jashtëzakonshme dhe oferta interesante për sa i përket turizmit të gastronomisë, turizmit ushqimor. Për sa i përket agro-turizmit, ku tashmë mbi 260 bujtina janë hapur në të gjithë territorin nga Tropoja e deri në Sarandë, Korçë në Kolonjë, Elbasan, Gramshë, Gjirokastër, Përmet e në Tepelenë. Janë të gjitha oferta turistike të cilat investimet e bëra në vitin 2020, ku ra fluksi i turizmit por u shtuan investimet nga sektori privat”, thekson ajo.

Sezoni është hapur që në muajin mars kur kanë nisur grupet turistike në mënyrë të organizuar të vizitojnë shumë vende në Shqipëri. Kumbaro shton se duhet të ketë koordinim të paketave mes të dyja vendeve, që turistët nga e gjithë bota të qëndrojnë më gjatë në trevat shqiptare.

Ajo thekson se pritjet janë që Shqipëria të tejkalojë shifrën e gjashtë milionë turistëve brenda këtij viti.

Kumbaro: Këtë vit do të kemi rritje eksponenciale

Në vitin 2019, që konsiderohet një vit shumë i mirë dhe kemi pasur një shifër rekord të mysafirëve nga e gjithë bota, Shqipëria priti 6,4 milionë vizitorë të huaj. Po të kemi parasysh që Shqipëria, rezident janë 2,8 milionë banorë. Në vitin 2021, ne mirëpritëm më shumë se sa mendonim, 5,6 milionë turistë të huaj, duke përfshirë mysafirët prej Kosovës duke u nisur nga sistemi i hyrjes në kufi të Shqipërisë. Të gjitha të dhënat janë që këtë vit të kemi një rritje eksponenciale, për shkak se tre muajt e parë të vitit 2022, ishin me rritje krahasuar me vitin pararendës. Vetëm në muajin mars kemi pasur 2,1 herë më shumë netë qëndrimi në Shqipëri, se sa vitin e kaluar”, shprehet ajo për KosovaPress.

Ajo zotohet që kanë marrë masa për parandalimin e rritjes së çmimeve, megjithatë nuk përjashton rastet e tilla në disa zona.

Kumbaro: Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të ruhen në nivele të arsyeshme

Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të ruhen në nivele të arsyeshme, por duke pasur parasysh që jemi në një vit që ka një rritje të çmimit të energjisë dhe karburantit në nivel global. Ajo që ne kemi bërë është që për të gjithë familjarët dhe biznesin e vogël, ku futen restorantet e hotelet nuk ndryshon çmimi i energjisë. Ato do të subvencionohen nga shteti, ndonëse çmimi në nivel global është rritur për dhjetë herë. Ftoj që turistët të shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe të krijohen sa më pak përqëndrime, sepse ajo bën që kërkesë-oferta të shkojë drejt rritjes së çmimeve”, përfundon ministrja e Turizmit në Shqipëri.

E para e Turizmit në Shqipëri fton turistët nga Kosova, që këtë verë të pajisen me çanta prej tekstili në vend të atyre të plastikës për një turizëm më të pastër. Kumbaro thekson se suksesi i sivjetmë bazohet në standard, shërbim e siguri të turistëve.

Ajo përmend edhe festivalin “Onum”, në Shëngjin, i cili do të fillojë më datën 1 të muajit të ardhshëm, ku deklaron se presin më shumë se 15 mijë mysafirë nga e gjithë bota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat