Çfarë duhet të bëni kur orizi nuk ju del siç duhet

Ushqime

Çfarë duhet të bëni kur orizi nuk ju del siç duhet

Më: 5 mars 2021 Në ora: 07:06
Ilustrim

Orizi është një drith që ofron sasi të bollshme proteine, mineralesh, vitaminash dhe fibre.

Ai ofron një vakt të bollshëm e të shpejtë, por si çdo gatim tjetër, edhe orizi kërkon mjeshtëri.

Të gjithë që kanë përgatitur ndonjëherë pilafin, e dinë që rezultati nuk është asnjëherë njësoj.

Pilafi perfekt duhet të jetë i zier mirë, i shkrifët dhe jo i qullët.

Ndonjëherë pilafi del i qullët, i fortë, i thatë dhe në disa raste ngjitet në tenxhere e në disa raste i pagatuar mirë.

Falë këshillave të AgroWeb.org do të mësoni si të përmirësoni pilafin nëse ai nuk del aq perfekt sa duhet.

Çfarë të bëni nëse pilafi është gatuar më shumë seç duhet?

Ka raste kur orizi zihet dhe çliron niseshtenë por ngjitet, zbutet dhe mblidhet në copa të mëdha.

Në këtë rast, ju mund ta hidhni pilafin në një kullesë, ta shpëlani me ujë të ftohtë dhe t’i zbërtheni kokrrat me duar.

Por nëse pilafi është shumë i qullët, atëherë nuk shpëtohet dot dhe më mirë është që t’ia nisni edhe njëherë nga e para.

Me të mund të bëni sultiash, përgatitjen të cilit mund ta lexoni këtu.

Çfarë të bëni nëse pilafi është i gatuar por i lëngshëm?

Nëse vëreni që orizi është drejt përfundimit të zierjes por është sërish i lëngshëm sepse mund të keni hedhur më shumë ujë, mos u demoralizoni sepse ka një zgjidhje.

Hiqeni kapakun nga tenxherja dhe ndërkohë që vazhdon zierjen me zjarr të ngadaltë, do të mundësoni avullimin e ujit të tepërt.

Një mënyrë tjetër është hedhja e tij në një tepsi dhe pjekja në furrë.

Çfarë të bëni nëse pilafi është djegur në fund të tenxheres?

Nëse vëreni një gjë të tillë, pjesa fundore e tenxheres duhet mbajtur në ujë të ftohtë për të penguar që orizi të marrë shijen e të djegurës.

Mos hidhni më shumë ujë në pilaf.

Një mënyrë tjetër është që të nxirrni sa më shpejt nga tenxherja pjesën e shëndetshme të orizit.

Rregulli i artë i gatimit të pilafit

Ekspertët e AgroWeb.org thonë se amvisat nuk duhet të shkelin kurrë rregullin e artë të gatimit të pilafit.

Bëhet fjalë për kapakun e tenxheres. Ai nuk duhet hequr kurrë për sa kohë pilafi po zihet.

Në momentin që shteron uji, mund ta hiqni kapakun për pak sekonda sa për të kuptuar nëse është nevoja që të ulni temperaturën.

Një mënyrë tjetër që rekomandohet nga amvisat shqiptare është që pasi orizi të ketë zier, ta hiqni tenxheren nga zjarri dhe ta mbështjellni me një mbulesë tavoline e ta lini ashtu për 10-15 minuta.

Avulli i brendshëm do të mundësojë gatimin përfundimtar dhe perfekt të pilafit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat