Sekreti i përgatitjes së sheqerpareve në shtëpi – Receta e saktë e traditës

Ushqime

Sekreti i përgatitjes së sheqerpareve në shtëpi – Receta e saktë e traditës

Më: 11 prill 2021 Në ora: 10:26
Foto ilustrim

Me arra apo bajame, e sherbetosur dhe e shkrifët, sheqerparja mbetet ndër recetat më unike të amvisave shqiptare  

Tradita shqiptare e ëmbëlsirave është e pasur me receta të mrekullueshme por ajo e sheqerpares është padyshim më e veçanta.

Është gostia më e mirë për miqtë, ëmbëlsia më e dashur për familjen e sigurisht receta për të cilat të gjitha trevat shqiptare krenohen se është traditë e tyre.

Dibra ka recetën e saj fantastike, aq sa prej dekadash tashmë njihet emërtesa e Sheqerpare Dibrane.

Elbasani e Tirana po ashtu si edhe qytetet jugore, Berat, Gjirokastër a Korçë krenohen për traditën e tyre të sheqerpares, e cila në fund të fundit mbetet shqiptare.

Përbërësit për brumin

250 gramë miell

100 gramë gjalpë

100 gram sheqer

1 kokërr vezë

2 lugë gjellë kos i bardhë

1 lugë e vogël me maja për ëmbëlsira

Pak kripë

Disa thelpinj arrash dhe bajamesh

Për përgatitjen e sherbetit

200 gramë sheqer

200 ml ujë

2 lugë lëng limoni

1 lugë çaji me vanilje pluhur

Procesi i përgatitjes

Si fillim përgatisim sherbetin. Bëni kujdes që sherbeti të jetë i ftohtë në momentin që do t’u hidhet ëmbëlsirave.

Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr që të vlojnë.

Në momentin që nisin të zjejnë, hedhim lëngun e limonit dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 5 minuta.

Më pas, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Ndërsa sherbeti ftohet, nisim përgatitjen e sheqerpareve.

Në një enë të bollshme hedhim miellin, majanë, sheqerin, vezën, kosin dhe i përzjejmë që të gjitha bashkë derisa të njëtrajtësohen, më pas, hedhim gjalpin e shkrirë dhe pak fare kripë.

I përzjejmë me dorë të gjithë përbërësit derisa masa e përftuar të jetë e njëtrajtshme.

Më pas në një tavë shtrojmë letrën e kuzhinës, ndajmë brumin në forma ovale të sheshta dhe në mes krijojmë një gropëz të vogël ku vendosim nga një thelpi arre ose bajame.

Të gjitha sheqerparet e përgatitura i shtrojmë me rregull në tavë.

Sheqerparet të mos i vendosni shumë pranë njera tjetrës sepse gjatë procesit të pjekjes do fryhen në përmasat e tyre.

Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë celcius. Pasi furra të jetë nxehur fusim tavën me sheqerpare dhe i lëmë të piqen përreth 30 minuta derisa sheqerparet të marrin ngjyrë të praruar, të artë.

Pasi shqeqerparet janë pjekur, i heqim nga furra dhe siç janë të nxheta u hedhim përsipër sherbetin e ftohtë.

I vendosim në një pjatancë me rradhë dhe më pas i servirim për ti shijuar me familjen ose me miqtë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat