Llokume me marmelatë ftoi

Ushqime

Llokume me marmelatë ftoi

Më: 12 shtator 2021 Në ora: 08:18
Foto ilustrim

PËRBËRËSIT: 

1 kg ftonj të pastruar nga lëkura dhe pjesa e farave (rreth tre kokrra të mëdha)
650 - 700 gram sheqer i bardhë ose 3 filxhanë çaji
2 lugë gjelle lëng limoni
1 gotë ujë
arrë kokosi e grirë për t'i lyer nga jashtë

PËRGATITJA: 

Presim në copa ftoin dhe e vendosim të ziejë bashkë me sheqerin, lëngun e limonit dhe ujin. E ziejmë në zjarr mesatar rreth një orë ose më shumë, derisa copat të zbuten mirë dhe ftoi të ndryshojë ngjyrë nga i bardhë në portokalli të thellë, në të kuqe. E përziejmë me lugë here pas here, duke patur kujdes të mos digjemi sepse kur lëngu trashet bëhet si llavë që vlon. Kur lëngu të jetë trashur disi ulim zjarrin, hedhim pak lëng në një pjatë dhe presim sa të ftohet. Nëse kur e shtyjmë me gisht formon rrudha dhe duket si xhel, është gatuar aq sa duhet. Në këtë moment e heqim nga zjarri. Marrim në grirës dore dhe e bëjmë pure gjithë masën e zier me copat e ftoit dhe atë pak lëng që ka. Lyejmë me pak vaj një tavë të vogël (20x30) ose tas plastik dhe e hedhim masën aty kur është ende e nxehtë.

E lëmë të ftohet. Pasi është ftohur në temperature ambienti, e mbulojmë me një membranë plastike (ose kapakun e tasit/tavës po të ketë) dhe e vendosim disa orë në frigorifer. Masa do të mpikset dhe do të dalë nga ena si një copë e tërë.

Tani është gati për t’u bërë pjesë e pjatave me antipasta me djathëra dhe proshutë, për t’u ngrënë me bukë të thekur në mëngjes, ose për t’u bërë “llokume” ftoi. Për ta bërë si llokume, e presim në kubikë dhe i lyejmë me arrë kokosi nga të gjithë anët. Ngjyra mund të mos dalë tamam si e kuqe gjithmonë. Ka raste që del disi kafe, por kjo është në varësi të llojit të ftoit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat