Pulë me petë për të kënaqur gjithë familjen

Ushqime

Pulë me petë për të kënaqur gjithë familjen

Më: 6 prill 2022 Në ora: 23:53
Foto ilustrim

Pulë në tavë me petë është një recetë e vjetër dhe shumë e pëlqyeshme e cila është përdorur shumë nga amvisat shqiptare.

Përbërësit: 1 pulë mesatare, 600 g miell, 400 ml ujë të vakët, 2 kokrra qepë
100 g gjalpë, pak niseshte, 10 g kripë, vaj ulliri dhe piper.

Përgatitja: Në një enë hedhim miellin, e hapim në mes, hedhim një lugë vaj ulliri, pak kripë dhe ujin e vakët. E përziejmë mirë për 5-6 minuta dhe e mbulojmë me një qeskë kuzhine. E lemë të pushojë për 30 minuta. Në një enë kaurdisim qepën e grire hollë, derisa të skuqen pak. Më pas hedhim mishin duke e kaurdisur për 5-6 minuta te tjera se bashku me qepën. I hedhim pak piper dhe spec sipas dëshirës. Shtojmë ujë dhe e lemë për disa minuta të tjera.

Ndërkohë ndajmë brumin në 10 -12 toptha të vegjël. Petët i hapim me okllai (pec) duke i spërkatur sipër me niseshte. Petët i pjekim një e nga një në furrë, sa të zverdhen pak, në temperaturë maksimale. Marrim një tavë, e lyejmë me gjalpë dhe i hedhim pak lëng mishi. Vendosim petën e parë dhe e spërkatim me lëngun e mishit. Kështu vazhdojmë derisa të vendosim 5-6 pete. Petët e sipërme i copëtojmë dhe i vendosim sipër petëve të tjera duke vazhduar spërkatjen me gjalpë dhe lëng mishi. Mbi petët vendosim thelat e pulës. Duhet patur parasysh që të gjitha petët të lagen me lëngun e mishit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat