Dalin pamjet, ja si u ekzekutua Tauland Gjikaj

Vlora

Dalin pamjet, ja si u ekzekutua Tauland Gjikaj

Më: 3 mars 2021 Në ora: 21:56
Pamje nga vendi i ngjarjes

Këto janë pamjet e siguruara nga emisioni Stop të vrasjes së 31-vjeçarit Tauland Gjikaj në Vlorë mesditën e kësaj të mërkure. Gjikaj ka qenë duke ecur në trotuar kur në anë të rrugës ndaloi një makinë tip Ford nga e cila dolën dy persona, ndërsa shoferi qëndroi brenda.

Personi i parë i foli dhe iu afrua Tauland Gjikajt duke e ndaluar. Duket se ata njiheshin me njëri-tjetrin. Teksa ishin duke biseduar për disa sekonda, pas autorit të parë vjen një person i dytë i cili mbante poshtë xhupit një kallashnikov.

Në moment ai hapi zjarr menjëherë ndaj Tauland Gjikajt duke e qëlluar me automatik nga distancë e afërt. 31-vjeçari mbeti i vdekur për shkak se plumbat i prekën organet vitale.

Pas vrasjes, 3 autorët u larguan menjëherë me automjetin që i priste në anë të rrugës. Pak minuta më vonë pas ngjarjes, Policia e Vlorës arrestoi njërin prej autorëve të dyshuar. Ai është 44-vjeçari Andi Jonuzaj, i cili përdor edhe emrin Hans.

Viktima Tauland Gjikaj është emër i njohur për drejtësinë, ndërsa ka qenë hetuar dhe dënuar për armëmbajtje pa leje dhe vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa mësohet se përdorte disa emra. Ai ka qenë i përfshirë në një përplasje me armë zjarri të ndodhur në vitin 2018 në lagjen 28 Nëntori në Vlorë, ku mbetën të plagosur 3 persona. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat