Rriten rastet e dhunës ndaj grave në Vlorë

Vlora

Rriten rastet e dhunës ndaj grave në Vlorë

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

160 denoncime dhe 215 kërkesa për urdhra mbrojtje janë marrë në Vlorë vetëm nga janari i vitit 2021 deri në tetor. Shifrat alarmante tregojnë se dhuna është shtuar në këtë qark, ndërsa ekspertët thonë se mungesa e zbatimit të ligjit po penalizon kryesisht gratë, dhuna ndaj të cilave është shtuar edhe në pandemi.

Gratë keqtrajtohen në të gjithë vendin, por në Vlorë ky fenomen ka marrë përmasa alarmante. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti rastet kanë kapërcyer totalin e 2020-ës.

160 denoncime për veprën penale “Dhuna në familje” dhe 215 kërkesa për “Urdhër Mbrojtje” janë depozituara në Drejtorinë e Policisë.

Për avokaten Malvina Mejdiaj rastet janë rritur ndjeshëm gjatë pandemisë, ndërsa viktimat më të shumta janë gratë.

"Situata e mbylljes së tyre, trysnia, frika, dhuna  e cila tashmë ishte më e izoluar, ato nuk kishin mundësi të vinin dhe të kërkonin ndihmë," thotë Mejdiaj.

Për zyrat përmbarimore problem mbeten adresat ose mos gjetja e palëve.

Për koordinatoren e dhunës në familje pranë bashkisë Vlorë Rezarta Andoni, konfliktet e trashëguara , kushtet ekonomike, çështjet e pronësisë dhe xhelozia mbeten ndër shkaqet kryesore.

"Mund të përmendim dhe gjendjen ekonomike si një nxitës i cili ka ndikuar në përhapjen e këtij fenomeni," tha Andoni.

760 denoncime për dhunë në familje janë depozituar në Vlorë nga 2015 deri në 2021, ndërsa janë kërkuar 1392 urdhra-mbrojtjeje.

Nga janari në shtator të këtij viti 25 personave u është dhënë masa e arrestit me burg, 3 me arrest shtëpie dhe 1 me detyrim paraqitje nën akuzën e dhunës në familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat