Zbulohet banesa e përshtatur për kultivimin e kanabisit në Vlorë, arrestohet 40-vjeçari

Vlora

Zbulohet banesa e përshtatur për kultivimin e kanabisit në Vlorë, arrestohet 40-vjeçari

Më: 2 mars 2022 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka njoftuar sot se ka arrestuar shtetasin A.Rr, 40 vjeç, në përmbyllje të një operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në qytetin bregdetar të Vlorës.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë operacionit është zbuluar se 40-vjeçari kishte përshtatur një banesë për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.

Gjithashtu, policia ka zbuluar edhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Gjatë operacionit policor u gjetën të kultivuara në kova plastike, në një ambient të mbyllur, rreth 330 bimë narkotike, mbi të cilat ishin të vendosura 88 llamba, 18 freskuese, 5 aspiratorë dhe objekte të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi materiali bimor kanabis sativa në proces tharjeje.

“Ndërkohë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,”Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ”Vjedhja e energjisë elektrike”, ka shtuar policia. 

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat