Loriana çmend Uzbekistanin, fiton të artën për Kosovën - Bota Sot
Loriana çmend Uzbekistanin, fiton të artën për Kosovën

Xhudo

Loriana çmend Uzbekistanin, fiton të artën për Kosovën

Nga: Kemajl Goca Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 09:29
Driton Kuka dhe Loriana Kuka

Loriana Kuka shkëlqen dhe fiton medaljen e artë në garën Grand Prix në Tashkent të Uzbekistanit. Loriana shënoi fitore me ippon pas kohës shtesë, duke e mundur austriaken Bernadette Graf.

Loriana Kuka (-78 kg) me paraqitjen e saj fantastike heshti të gjithë të pranishmit në Tashkent. Xhudistja e Kombëtares së Kosovës luftoi si luaneshë dhe me një teknikë të përsosur, duke shkatërruar një nga një kundërshtaret. Ajo fillimisht e hoqi qafesh Zarina Raifova nga Kazakistani, kurse në çerekfinale ka qenë shumë më e mirë se portugezja Patricia Sampaio. Loriana tregoi cilësitë e saj në luftën gjysmëfinale, duke e mënjanuar gjermanen Luise Germalzahn dhe në finale u ballafaqua me austriaken Bernadette Graf. Loriana e Graf treguan luftë të fortë, por secila ishte më e kujdessheme se tjetra, por pas vazhdimeve xhudistja e Kosovës me një mjeshtri të rrallë e hodhi në shpinë austriaken. 

Edhe një sukses i madh për xhudon dhe shtetin e Kosovës.  Kjo është medalje e katërt nga Grand Prix në Uzbekistan, pasi që të premten që e lamë pas Majlinda Kelmendi (-52 kg) dhe Distria Krasniqi (-48 kg) u stolisen me medalje të artë dhe Nora Gjakova (-57 kg) me të argjendtë. Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, gjithsesi se është sikurse në qiellin e shtatë, me sukses që po shënon në çdo garë. Xhudoja është sport nacional në vendin tonë dhe që po sjellë medalje të shumta nga garat prestigjioze. Një sukses i madh për Lorianën dhe ka fituar 700 pikë të reja olimpike. Kuka po e përgatitë një armatë për Lojërat Olimpike – Tokyo 2020’. Puna me përkushtim e në kontinuitet, një disiplinë dhe harmonia e pashoq e Kukajt po sjellë rezultatet kulmore nga rrafshi ndërkombëtar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test