Avdullah Hoti: PDK ka blerë vota me para publike, kjo do të dokumentohet

Zgjedhjet 2014

Avdullah Hoti: PDK ka blerë vota me para publike, kjo do të dokumentohet

Më: 15 gusht 2014 Në ora: 16:37

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, ka shkruar se PDK e Hashim Thaçit ka blerë vota duke bërë pagesa të pakontrolluara ndaj individëve dhe kompanive të lidhura me partinë në pushtet.

Mirëpo, ai ka premtuar se me ardhjen e Qeverisë së re, të gjitha pagesat e jashtëligjshme do të dokumentohen dhe do të ndërmarrin edhe veprime të nevojshme ligjore.

Të gjitha gjetjet për pagesat e paligjshme, Hoti ka thënë se do t’i gjejë Auditori i Përgjithshëm.

Lexojeni të plotë reagimin:

Kanë filluar të dalin në pah shkeljet që janë bërë me buxhetin e shtetit gjatë fushatës. PDK e ka shfrytëzuar buxhetin e shtetit për të blerë vota. Disa ministri dhe komuna kanë bërë pagesa të pakontrolluara ndaj individëve dhe kompanive të caktuara në këmbim të votave që ata do të sillnin për PDK. Kështu ka ndodhur në Ministrinë e Bujqësisë, dhe në plot komuna. Sapo të formohet qeveria e re, këto dhe shkelje të tjera do të dokumentohen plotësisht.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Në qeverinë e ardhshme, ne do ta mbështesim Auditorin e Përgjithshëm për të audituar plotësisht të gjitha institucionet publike. Para zgjedhjeve, PDK tentonte me çdo kusht që të ndryshoj ligjin për Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të largonte Drejtorin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, i cili është ndërkombëtar dhe ka bërë një punë profesionale dhe të paanshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat