PDK synon ta thyejë bllokun

Zgjedhjet 2014

PDK synon ta thyejë bllokun

Më: 16 gusht 2014 Në ora: 09:24

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës vazhdojnë të besojnë se ata do të jenë formues të Qeverisë së re, ani se në këtë kohë nuk kanë asnjë partner për bashkëqeverisje.

Veprimet për krijimin e një koalicioni qeverisës, ata thonë se do të shihen pas nxjerrjes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e zgjedhjes së Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit. Anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh deputet në legjislaturën e re, Zenun Pajaziti, ka konfirmuar për mediat në vend, se Partia Demokratike e Kosovës është duke punuar për t'i bërë numrat dhe të qeverisë me vendin. Bile, ai ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të bëjnë koalicion me njërën nga tri partitë e bllokut.

“Do ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse çdo gjë që themi tash mund të konsiderohet si presion mbi Gjykatën. Në konsiderojmë se kemi argumente të mjaftueshme ato të cilat i kemi dërguar në gjykatë dhe mendojmë që mandatari i ardhshëm i qeverisë do të jetë partia fituese, pra PDK-ja. Kemi thënë që do të jemi të hapur për bisedime sepse vendit duam t’i japin institucione të qëndrueshme, të fuqishme të cilat do t''''''''''''''''i vazhdojnë proceset e dialogut, integrimeve etj.”, ka thënë Pajaziti.

Sipas tij, nëse ky bllok opozitar vazhdon me qëndrimet e ngurta dhe me inate, vendi mund të shkojë në zgjedhje të cilat nuk i dëshiron askush. Por siç ka thënë ai, nëse shkohet në zgjedhje të reja, ai që do të humbë më së shumti do të jetë blloku i koalicionit. E këto pritje të zyrtarëve të PDK-së, zyrtarët e LDK-së i interpretojnë si ëndrra. Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së, ka thënë se blloku paszgjedhor është i palëkundur me qëndrimet e veta, që prej se është themeluar. Ai është shprehur i bindur se nuk ka pasur asnjë takim mes zyrtarëve të PDK-së me ndonjërën nga partitë e bllokut.

“Ne tash po punojmë në harmonizimin e programit qeverisës, vetëm se aktualisht jemi duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin jam i sigurt që do të jetë në favor të zhbllokimit të situatës dhe mbizotërimit të demokracisë në vend. Qeverinë e bëjnë ata që i kanë numrat në kuvendin e Kosovës dhe ata jemi ne”, ka thënë Hoti.

Edhe Bilall Sherifi, anëtar i kryesisë së NISMA-s, deklarimet e zyrtarëve të PDK-së, për t’u bërë mandatar në qeveri i ka quajtur dëshira të tyre. Ndërsa, sa i përket deklarimeve të PDK-së, se do të lidhin koalicion me ndonjërën nga partitë e koalicionit, Sherifi është shprehur se edhe kjo gjë bën pjesë në listën e dëshirave por në realitet nuk do të ndodhë.

“Kemi besim te partneret e koalicionit dhe se nuk ka gjasa që PDK-ja të lidhë koalicion me ndonjërën prej partive të bllokut”, ka thënë Sherifi. Se Partia Demokratike e Kosovës mund të gjejë veten në pushtet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 gusht, ka thënë vetë shefi i kësaj partie Hashim Thaçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat