Tragjedi e madhe në Zvicër, dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të plagosur nga shpërthimi në një qendër skijimi

Tragjedi e madhe në Zvicër, dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të plagosur nga shpërthimi në një qendër skijimi

Më: 1 janar 2026 Në ora: 09:35 Përditësuar në ora: 15:56 më 01.01.2026
Foto nga vendngjarja

Zjarri vdekjeprurës në resortin luksoz në Crans-Montana: Çfarë dimë deri tani

Festimet e Vitit të Ri u shndërruan në tragjedi në Zvicër, pasi një zjarr i madh shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një resort luksoz skish, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe rreth 100 të plagosur, sipas autoriteteve.

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit në barin Le Constellation, në Crans-Montana, një nga destinacionet më ekskluzive alpine të vendit, njoftoi policia e kantonit Valais.

Çfarë ndodhi?

Sipas zëdhënësit të policisë, Gaetan Lathion, në momentin e shpërthimit të zjarrit ndodheshin rreth 100 persona brenda lokalit, ndërsa dëshmitarët flasin për deri në 200 festues. Lokali ndodhet në qendër të resortit, pranë stacionit të teleferikut dhe ka kapacitet deri në 300 persona.

Dëshmitarë okularë i thanë medias franceze BFMTV se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të vendosur mbi shishe shampanje, të cilat u afruan shumë pranë tavanit gjatë festës.

“Sapo tavani mori flakë, brenda pak sekondash i gjithë lokali u përfshi nga zjarri. Njerëzit vrapuan në panik për të dalë jashtë”, tregoi një prej dëshmitarëve.

Autoritetet kanë përjashtuar një akt terrorist dhe po e trajtojnë ngjarjen si një zjarr aksidental. Prokurorja Béatrice Pilloud tha se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë dhe se hetimi do të zgjasë.

Viktimat dhe reagimi i autoriteteve

Autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë ende një shifër zyrtare për viktimat, por policia konfirmoi se “dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën”. Ministria e Jashtme e Italisë, duke cituar policinë zvicerane, tha se rreth 40 persona kanë vdekur, ndërsa identifikimi i viktimave është i vështirë për shkak të djegieve të rënda.

Presidenti i Këshillit të Shtetit, Mathias Reynard, e përshkroi ngjarjen si një “makth”, ndërsa presidenti zviceran Guy Parmelin shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe shtyu fjalimin tradicional të Vitit të Ri në shenjë zie.

Ngushëllime shprehën edhe liderë ndërkombëtarë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, ndërsa autoritetet franceze konfirmuan se dy shtetas francezë janë mes të plagosurve.

Zona e incidentit është mbyllur, operacionet e emergjencës vijojnë dhe mbi Crans-Montana është vendosur ndalim fluturimi.

Ku ndodhet Crans-Montana?

Crans-Montana është një nga resortet më të njohura alpine të Zvicrës, që pret rreth 3 milionë vizitorë në vit, një pjesë e madhe e të cilëve janë turistë të huaj nga Franca, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA.

Resorti ndodhet rreth 1,500 metra mbi nivelin e detit, ofron pamje panoramike alpine nga Matterhorn deri te Mont Blanc dhe është i njohur për pistat e skive, restorantet luksoze dhe jetën aktive pas skijimit.

Zona ka rreth 15 mijë banorë dhe konsiderohet një destinacion i qetë për të famshëm dhe sportistë. Crans-Montana ka pritur Kampionatin Botëror të Skijimit Alpin në vitin 1987 dhe do të presë sërish këtë event në vitin 2027.

​Në Zvicër rreth 40 të vdekur nga një shpërthim zjarri

Rreth 40 persona dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu një bar në qendrën skijimore të Crans-Montana në Zvicër, ndërsa nga shpërthimi janë plagosur 100 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Autoritetet po hetojnë për shkakun e zjarrit, i cili shpërtheu rreth orës 01:30.

Shkaku i zjarrit nuk është i qartë, por autoritetet fillimisht spekuluan për një shpërthim, ndërsa prokurori lokal ka theksuar se nuk ka dyshim që ky mund të jetë një akt i qëllimshëm.

Zjarri ka përfshirë një pjesë të madhe të lokalit duke shkaktuar panik mes klientëve dhe punonjësve. Policia zvicerane ka njoftuar se pas shpërthimit ka pasur shumë viktima, dhe disa kombësi janë të përfshira në këtë tragjedi.

Autoritetet zvicerane janë duke zhvilluar hetime për të zbuluar shkaqet e ngjarjes dhe për të identifikuar të gjithë viktimat dhe të plagosurit. 

Tragjedia në Crans-Montana VS, dy franceze tregojnë për arratisjen nga bari pas shpërthimit

Emma dhe Albane, dy vajza të reja franceze, shpëtuan nga bari “Le Constellation”, siç treguan për televizionin BFMTV. “Mbretëronte panik i plotë, të gjithë po bërtisnin.”

Të dyja raportojnë se zjarri nisi nga një “qiri ditëlindjeje”, i vendosur mbi shishe të shampanjës nga kamarieret.

Dera e daljes ishte shumë e vogël për turmën, dhe një dritare u thye për të shpëtuar njerëzit. “Flakët ishin vetëm një metër larg nesh.”

Zjarrfikësit dhe policia mbërritën “brenda pak minutash”. Një grua u shty nga turma poshtë shkallëve dhe u lëndua në gju.

Gruaja shprehen se aty ndodheshin rreth 200 persona, përfshirë edhe të mitur, në moshën 15 deri 20 vjeç.

Victoria, një tjetër franceze që ishte aty, përshkroi shkakun e zjarrit kështu: Një qiri magjik mbi një shishe shampanje ndezi tavanin kur një grua, e mbajtur mbi supe nga një tjetër, mbajti shishen shumë lart. Flakët sipas Victorias u përhapën “shumë shpejt”.

Mund të ketë edhe turistë të huaj mes viktimave

Përfaqësuesit e autoriteteve presin që në vendpushimin e njohur dimëror Crans-Montana të ketë edhe mysafirë të huaj mes të vdekurve dhe të lënduarve.

Ata paralajmëruan kundër spekulimeve rreth shkakut të zjarrit, në shenjë respekti ndaj familjarëve të viktimave.

Më pas, konferenca për media u mbyll.

Autoritetet informojnë për katastrofën në Crans-Montana (VS)

Presidenti i Këshillit Shtetëror, Mathias Reynard, e cilëson ngjarjen si një tragjedi të madhe, në një mbrëmje feste.

“Jemi me mendje dhe zemër pranë viktimave dhe familjarëve të tyre”, tha Reynard, raporton gazeta zvicerane Blick.ch transmeton "Bota sot".

Ai flet për rreth 100 persona të lënduar, shumica prej tyre në gjendje të rëndë, të cilët janë dërguar në spitale të ndryshme.

Kapacitetet spitalore në Valis janë të mbushura. Disa pacientë janë transferuar edhe në spitale jashtë kantonit, veçanërisht në klinika universitare.

Komandanti i Policisë së Kantonit të Valisit, Frédéric Gisler, flet për disa dhjetëra të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.

Prokurorja e Përgjithshme e Kantonit të Valisit, Beatrice Pilloud, shpjegon se kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e zjarrit. Autoritetet e Valisit po mbështeten nga Instituti Forensik i Zyrihut. Hetimet përfshijnë edhe identifikimin e viktimave.

Tragjedia ka vënë në sprovë forcat e emergjencës: 10 helikopterë u angazhuan dhe 150 pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës u mobilizuan. Spitali i Valisit po bashkëpunon me spitale të tjera në mbarë vendin për trajtimin e të lënduarve. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që sot të tregohen të përmbajtur, në mënyrë që kapacitetet spitalore të mos ngarkohen më tej.

--------

Disa persona kanë gjetur vdekjen dhe të tjerë janë lënduar kur një shpërthim ndodhi në një bar në qytetin luksoz të skive alpine Crans Montana, tha policia zvicerane herët të enjten.

"Ka pasur një shpërthim me origjinë të panjohur", tha Gaetan Lathion, një zëdhënës i policisë në kantonin Wallis në Zvicrën jugperëndimore, shkruajnë mediat e huaja.

"Ka disa të plagosur dhe disa të vdekur", ka shtuar ai.Ai theksoi se shpërthimi ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit në një bar të quajtur Le Constellation, i cili është i njohur për turistët, ndërsa disa festonin Vitin e Ri.

 

Imazhet e publikuara tregojnë një ndërtesë në flakë dhe shërbimet e emergjencës aty pranë.

"Ndërhyrja është ende duke vazhduar", ka thënë më tej ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat