Miley Cyrus është tashmë zonjë e martuar. Këngëtarja 33-vjeçare i tha “po” muzikantit Maxx Morando, 28 vjeç, të shtunën, më 21 nëntor, në një ceremoni intime buzë pishinës, në një rezidencë private në Palm Springs të Kalifornisë.
Lajmin e dha i pari Entertainment Tonight, ndërsa revista People publikoi fotot e para nga ceremonia. Çifti u kurorëzua nën një hark me lule të bardha, para familjarëve dhe miqve të ngushtë. Ceremoninë e drejtoi Wayne Coyne, kryevokalisti i grupit The Flaming Lips, mik i vjetër dhe bashkëpunëtor i këngëtares.
Sipas Just Jared, nusja zgjodhi një fustan romantik pa shpinë dhe me mëngë të gjata, të cilin e kombinoi me flokë të mbledhura lart, vathë të varur dhe këpucë me takë. Dhëndri u paraqit me një kostum klasik të zi.
Mes të ftuarve ishin prindërit e saj: Billy Ray Cyrus, i shoqëruar nga e fejuara Elizabeth Hurley dhe i biri i saj Damian, si dhe Tish Cyrus me bashkëshortin Dominic Purcell. Siç raporton Page Six, pamjet nga ajri treguan 11 tavolina të vendosura në formë rrethi për darkën e dasmës. Një natë më parë, në darkën e provës, menyja mbante inicialet “M + M” dhe datën 20 nëntor.
Çifti u njoh në një takim “të verbër” dhe është bashkë prej rreth pesë vitesh. Morando i kërkoi dorën në Kioto të Japonisë në vjeshtën e vitit 2025, ndërsa muajin e kaluar, në Hollywood Bowl, të dy kënduan së bashku këngën “Let’s Get Married” nga albumi i saj i ri, “Bass Persuades”. “Nuk e di nëse të gjithë arrijnë ta gjejnë Maxx-in e tyre”, kishte thënë Miley në një intervistë për Apple Music.
Për këngëtaren kjo është martesa e dytë, pas asaj me aktorin Liam Hemsworth në vitin 2018, nga i cili u nda më pak se një vit më vonë.