Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s Milaim Zeka, ka kundërshtuar inciativën e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë “Haradinaj”.
Zeka, në një prononcim megjithëse shpreh pakënaqësi me punën e qeverisë aktuale, pohon se nuk mund të jetë më e mirë një qeveri e re.
“Jam i pakënaqur me punën e kësaj qeverie, por kush do të jetë qeveria e re, le të me thotë dikush se këtij njeriu duhet me ia dhënë votën për kryeministër. Nuk mund të këtë një qeveri më të mirë se kjo”, u shpreh ai, me pesimizëm.
Ndërkaq ideja për rrëzimin e qeverisë, e inicuar nga Mustafa sipas Zekës është si rezultat i mungesës së ideve më kreative për vendin.
“Isa Mustafa, tu mos pas asnjë ide kreative për asnjë çështje të caktume, çohet e kërkon zgjedhje në vend se me u marrë me gjendjen e tij shëndetësore”, tha tutje ai.
Në anën tjetër partitë opozitare, LDK, VV dhe PSD kanë shprehur vullnet për të bashkëpunuar për rrëzimin e qeverisë.