KQZ regjistron tri parti të reja politike

Aktuale

KQZ regjistron tri parti të reja politike

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 12:56
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Iniciativa politike Partia Balliste, Partia Euroatlantike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Diasporës janë regjistruar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në mbledhjen e sotmem KQZ ka diskutuar dhe është pajtuar  për rekomandimet e Qendrës së Numërimit të votave, për çështjen e mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore, ku i ka rekomanduar KQZ-së që të aprovojë kërkesën për të njoftuar prokurorinë e shtetit për shkeljet që janë konstatuar në QNR, për zgjedhjet e vitit 2017.

Kërkesë e kryetares së KQZ-së ka qenë që në rekomandime të futen edhe zgjedhjet lokale të vitit 2017, dhe rastet e votimit më shumë se një herë, që siç tha ajo, ka pasur të tilla dhe janë vepër penale.

Daka tha se në rekomandime përmendet zgjedhjet parlamentare 2017, por jo edhe ato lokale, për kutitë e rinumërimit.

Daka: Në rekomandim të futen edhe ata që kanë votuar më shumë se një herë

“Po ashtu nuk janë në këtë dokument ata që kanë votuar dy ose më shumë herë e të cilët emra me i kemi, i di QNR, edhe ato nuk janë këtu, sepse ato nuk ka nevojë as me i dokumentu shumë përveç faktit që kanë votuar dy herë e më shumë, kështu që kisha kërkuar që përveç atyre çka u thanë, në këtë dokument të përgatiten edhe kutitë që kanë qenë për zgjedhjet lokale që janë rinumëruar, dhe emrat e atyre personave që kanë votuar në dy palë zgjedhje dy herë e më shumë, e që unë e di që ka”, tha ajo.

Ndërsa Florian Dushi, tha se këshilli për çështje ligjore, në bashkëpunim me sekretariatin dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka shqyrtuar mbarëvajtjen e proceseve të ardhshme zgjedhore, dhe qendra i ka rekomanduar KQZ-së që të aprovojë kërkesën për të njoftuar Prokurorinë e Shtetit për shkeljet dhe manipulimet që janë konstatuar në QNR për zgjedhjet e vitit 2017.

Ai bëri të ditur se në zgjedhjet që janë mbajtur për Kuvendin e Kosovës në vitin 2017, rreth 538 vendvotime janë rinumëruar për shkak të mospërputhjes të votave të kandidatëve në formularët e rezultateve të kandidatëve për Kuvendin e Kosovës.

Sipas Dushit, KQZ-së i është rekomanduar që, meqë ndodhen në fazën e asgjësimit të materialit zgjedhor të zgjedhjeve për kryetar komune në veri të Kosovës, vendvotimet të cilat kanë dallim pas rinumërimit për mbi 100 vota, të mos asgjësohen dhe si të tilla t’u dorëzohen organeve të drejtësisë, së bashku me prova.

Dhe, rekomandimi tjetër, siç theksoi ai, është që 28 vendvotime nevojiten të verifikohen, andaj KQZ duhet që vendvotimet në fjalë së pari të verifikohen dhe pas verifikimit, varësisht prej nivelit të ndryshimit të votave, pas rinumërimit t’u dorëzohen organeve të drejtësisë.

Dushi: Vendvotimet që tejkalojnë pragun 50 vota, t’i procedohen Prokurorisë

“Ajo që konsideroj që është më e rëndësishme në këtë pjesë të përmbajtjes së këtij njoftimi, është se janë një numër i rasteve nga zgjedhjet e vitit 2017 të cilat sipas idesë që e kemi diskutuar me këshillin për çështje ligjore, ka pas ide që të caktohet një prag prej rreth 100 vota, dhe të gjitha këto vendvotime që tejkalojnë këtë prag t’i adresohen prokurorisë së shtetit për hetime të mëtutjeshme. Nëse pragu është i lartë, sepse megjithatë duhet parë rëndësinë e proceseve zgjedhore në Kosovë, konsideroj që është në vullnetin e KQZ- së të vendosë por mendoj që së paku ky prag të ulët përgjysmë dhe diferenca të jetë 50 vota. Dhe në të gjitha rastet që vendvotimet tejkalojnë këtë prag, mendoj që t’i procedohen prokurorisë së Shtetit”, tha ai.

Sipas tij, pas kësaj prokuroria të hetojë nëse ka elemente të veprës penale, apo të manipulimit të qëllimshëm me vota.

KQZ u pajtua për pragun 50 të mos përputhjes, dhe për rekomandimet për zgjedhjet e vitit 2017, ndërkohë që për zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe personat që kanë votuar më shumë se njëherë, presin një tjetër rekomandim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat