Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se e ka anuluar tenderin prej 110 milionë eurove.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me këtë vendim i kthejnë ligjshmërinë një procesi të rëndësishëm financiar për vendin.
Ai tha se 110 milionë euro nuk mund të shpenzohen pa ligj dhe jo në këtë epokë të re qeverisëse.
Ministri i ka siguruar banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon dhe nga java tjetër do të dal që t’i vizitoj punimet e deritanishme.
Postimi i plotë:
Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka anuluar tenderin 110 milionësh të shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar. Me këtë vendim, ne i kthejmë ligjshmërinë një procesi të rëndësishëm financiar për vendin. 110 milionë euro s’mund të shpenzohen pa ligj; jo në këtë epokë të re qeverisëse.
Qeveria e re i siguron banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon. Është prioritet i programit tonë. Javën që vjen do t’i vizitoj punimet e deritanishme që duket se kanë mbetur prapa në kohë. Do t’i japim ritëm të ri.