BE paraqet qëndrime të kundërta me SHBA-të rreth funksionimit të Speciales

Aktuale

BE paraqet qëndrime të kundërta me SHBA-të rreth funksionimit të Speciales

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 20:53
Gjykata Speciale

Disa ditë pas arrestimit të krerëve të UCK-së, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit në SHBA ka shkruar se Gjykata Speciale nuk po i heton edhe krimet serbe në Kosovë, edhe pse këtë e ka në juridiksion. Përderisa, Specialen e kanë cilësuar si gjykatë njëetnike.

E për këtë komunikatë të Komitetit për Punë të Jashtme në Amerikë, Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të japë përgjigje të qartë në interesimin e RTK-së.

Në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së për politikë të jashtme e siguri, Peter Stano, vlerësohet kontributi i Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Dhomat e Specializuara do të mbajnë përgjegjës personat që kanë kryer krime individualisht, dhe nuk do të mbajnë përgjegjësi për asnjë grup etnik, organizatë ose komunitet”, tha Stano.

Për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian po pretendon se mandati dhe juridiksioni i Speciales është mirë i përcaktuar. Por, pa specifikuar nëse Specialja do të hetojë edhe krimet serbe të kryera në Kosovë.

“BE ka mirëpritur përpjekjet dhe vendimin e autoriteteve të Kosovës për t’i krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si institucione të pavarura gjyqësore, që veprojnë në përputhje me mandatin e tyre të përcaktuar mirë”, thuhet në përgjigje.

Por, mbi çfarë baze po thirret Komiteti për Politikë të Jashtme në Amerikë, kur po kërkon hetimin e krimeve serbe?

Kjo është e përcaktuar qartë edhe në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ku thuhet se Specialja ka juridiksion edhe mbi krimet e kryera ndaj shtetasve të Kosovës.

“Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi personat e nënshtetësisë Kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thuhet në Ligj.

Përderisa Specialja ende nuk ka hetuar asnjë krim serb, liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur seancat e para, ku janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Një seancë e radhës për ecurinë e çështjes në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është caktuar më 18 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat