​Kuvendi zgjedh anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Aktuale

​Kuvendi zgjedh anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Nga: Bota sot Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 11:59
Pamje nga seanca

(E plotësuar 21:01) - Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Bordin e Radio Televizionit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, njoftoi se ky bord do ta ketë këtë përbërje:

Fatmire Lumi Qehaja – anëtare;

Arta Berisha – anëtare;

Albulena Mehmeti – anëtare;

Shurkije Rama – anëtare;

Driton Hetemi – anëtar;

Besnik Boletini – anëtar;

Safat Kabashaj – anëtar;

Bekim Sele – anëtar.

Konjufca tha se nga radhët e komunitetit serb nuk është zgjedhur asnjë anëtar, me ç’rast duhet të përsëritet konkursi.

***

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot kryesuesin dhe anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Selvete Grajçevci-Pllana do të jetë kryesuese e Bordit, ndërsa anëtarë të Bordit janë Jahir Gashi, Gani Kastrati, Gani Maliqi dhe Rrezarta Pushkolli-Makolli.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi, në emër të komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve, ka lexuar rezultatet e kandidatëve që kanë marrë pjesë në votim.

Bytyçi: Në votim kanë marrë pjesë 76 deputetë

“Në votim kanë marrë pjesë 76 deputetë. Të pavlefshme janë pesë. Mendim Bojaxhiu një votë, Qamil Suka 14 vota, Gani Maliqi 49 vota, Rrezarta Pushkolli-Makolli 48 vota, Shaqir Rexhepi zero vota, Atifete Zuna tre vota, Ibush Luzha 14 vota, Selvete Grajçevci-Pllana 60 vota, Behgjat Bytyçi 13 vota, Jahir Gashi 51 vota, Gani Kastrati 50 vota, Ibrahim Krasniqi zero vota, Behgjat Nimani 14 vota, Zenel Sejfiaj nëntë vota, Bajram Hoxha një votë. Nga 15 anëtarët, pesë kanë marrë vota të mjaftueshme dhe këta janë Selvete Grajçevci-Pllana 60 vota, Jahir Gashi 51 vota, Gani Kastrati 50 vota, Gani Maliqi 49 vota dhe Rrezarta Pushkolli-Makolli 48 vota”, tha ajo.

***

Opozita akuzon Kurtin për ndërhyrje në zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KPMM-së

Partitë opozitare kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti për ndërhyrje në zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se në këtë proces të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të KPMM-së ka ndërhyrje direkte nga ana e kryeministrit.

Ai tha se kryeministri i ka ftuar kandidatët për anëtarë të Bordit të KPMM-s në zyrën e tij ende pa u votuar të njëjtit në Kuvendin e Kosovës.

***

Shala: Nëse dështon procesi, e kemi të qartë se kryeministrit s’ia kanë plotësuar kërkesat

“Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale është institucion i pavarur, i rregulluar me ligj i dalë nga Kushtetuta e Kosovës dhe i përgjigjet Kuvendit. Në këtë proces kaq të gjatë, me shumë shkelje kemi ndërhyrje direkte të kryeministrit në këtë proces, vetëm sa për informacion, kryeministri pa asnjë bazë ligjore fillon dhe i fton para se ne t’i votojmë anëtarët e propozuar nga ministria në bisedë të caktuar në zyrën e tij, e nganjëherë edhe në zyrën e zëvendësministrit të Financave. Pra, një ndërhyrje dhe një shkelje ligjore, sepse ekzekutivi dhe legjislativi në këtë rast jemi të ndarë dhe ky komision i përgjigjet Kuvendit. Çka kërkon kryeministri të ndërhyjë në këtë proces të hapur dhe të intervistojë kandidatët e propozuar... Nëse dështon procesi atëherë e kemi shumë të qartë që kryeministrit nuk ia kanë plotësuar kërkesat minimale që atij i duhen për këtë proces”, tha Shala.

Deputeti Shala bëri edhe një kërkesë publike për të gjithë kandidatët, që siç tha ai, të mos bien pre e politikës ditore dhe që të zbatojnë ligjin.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se duke parë veprimin e pozitës edhe në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OSHP-së dhe zgjedhjen e një anëtari jo-ekzektutiv të BQK-së, shihet një kapje e ulët e institucioneve.

Zemaj: Tash jo që po ka një logjikë të ç’kapjes por një kapje e ulët

“Tash jo që po ka një logjikë të ç’kapjes, por një kapje e ulët edhe e cila po lë shije të keqe, po prish edhe raporte edhe me miqtë dhe me partnerët e tjerë. Besoj që mënyra se si e trajtoi këtë kryetari i Komisionit kërkon një sqarim, nëse shumica prapë do të ndërhyjë të prishë këto procese. Nuk po gjykoj, por prapë po them se është vota e fshehtë, atëherë po shihet qartë që njerëzit janë duke u përzgjedhur në bazë të një klasifikimi puro politik”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ligji është i qartë se qeveria bën përzgjedhjen e kandidatëve dhe ia sjell Kuvendit për votim.

Kusari: Në indeks botëror tregojmë që kemi progres, por në sytë e opozitës nuk po shihet progresi

“Ne në indeks botëror po tregojmë që kemi progres, por në sytë e opozitës nuk po shihet progresi, me keqardhje më duhet të ju them që prapë janë disa indikatorë shumë më të pavarur politikisht që e përcaktojnë punën dhe veprimin edhe të qeverisë edhe të Kuvendit, prandaj procedojmë me votim kryetar, nuk kemi asgjë kundër ajo çka ju prezantuat si procedura të votimit dhe shprehim vullnetin tonë si GP për të zgjedhur anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale”, tha ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nëse e shohin veprimin e pozitës edhe në raport me zgjedhjen e një anëtari jo-ekzektutiv të BQK-së dhe emërimin e anëtarëve të bordit të OSHP-së, është tendencë klasike e kapjes së institucioneve.

Tahiri: Tendencë klasike e kapjes së institucioneve

“Këtu është vetëm një emër dhe mbiemër, tendencë klasike e kapjes së institucioneve me një shumicë parlamentare siç e tha kryetarja e GP, është e drejtë e jona politike se e kemi shumicën. Po, është e drejtë e juaj se e keni shumicën, po atëherë dil e thuaj që është e drejtë e jona politike dhe shkojmë eksplicit me direktivat që i marrin si grup parlamentar”, tha ai.

Pas debatit deputetët janë duke votuar me votim të fshehtë për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Komisioni për ekonomi ka bërë të ditur se Qeveria ka propozuar 15 persona për pesë anëtarë të këtij bordi: Mendim Bojaxhiu, Qamil Suka, Gani Maliqi, Rrezarta Pushkolli-Makolli, Shaqir Rexhepi, Atifete Zuna, Ibush Luzha, Selvete Grajçevci-Pllana, Behgjet Bytyçi, Jahir Gashi, Gani Kastrati, Ibrahim Krasniqi, Behgjet Nimani, Zenel Sejfiu, Bajram Hoxha.

-------

Në vazhdimin e seancës parlamentare, Kuvendi nuk arriti të përzgjedh një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Për këtë pozitë, dy kandidatët në garë nuk morën vota të mjaftueshme.

Në garë ishin Nuhi Ahmeti, i cili mori vetëm 27 vota dhe Imrije Zeqiri 16 vota.

Në procesin e votimit të pranishëm ishin 96 deputetë, derisa të pavlefshme në votimin e fshehtë ishin 53 vota.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se për këtë pozitë përsëritet konkursi për një anëtar joekzkeutiv të Bordit të BQK-së.

Kuvendi sot në rend dite ka edhe zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe anëtarët e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 15:30

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:30.

Pas kthimit deputetët do të votojnë për përzgjedhjen e një kandidati për anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në votimin e sotëm që është zhvilluar në mes Driton Balaj dhe Imrie Zeqirit, kanë marrë pjesë 87 deputetë, ku 40 vota kanë qenë të pavlefshme, ndërsa Imrie Zeqiri ka marrë 24 vota, kurse Driton Balaj 23 vota.

Votimi i dytë për këtë pozitë që do të zhvillohet pasi deputetët të kthehen nga pauza, do të marrin pjesë Nuhi Ahmeti dhe Imrie Zeqiri.

​Kuvendi nuk emëron Bordin e OShP-së

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës së sotme me 2 votë për, 64 vota kundër dhe 1 abstenim nuk ka emëruar kryetarin dhe katër anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Kandidat për kryetar ishte Ardian Behra, ndërsa kandidatë për anëtarë ishin: Hasim Krasniqi, Faruk Rexhaj, Adem Spahiu dhe Ruzhdi Morina.

Diskutimet për këtë pikë kanë përfunduar më 23 nëntor.

Por nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për vendim marrje.

​PDK e konsideron me një mori shkeljesh Marrëveshjen ndërkombëtare për arsim

Ani pse në radhën e parë të votimit nuk ka marrë vota të mjaftueshme Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MASHTI-t dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+), në votimin e dytë, me 81 vota e njëjta ka kaluar.

Përkundër që e votuan këtë projektligj, shefi i GP të PDK-së, Abelart Tahiri tha se për këtë pikë ka një mori shkeljesh pasi që veçse ka filluar miratimi i marrëveshjes pa u ratifikuar në Kuvend.

Tahiri: Ka një mori shkeljesh

“Konsideroj që në implementimin e kësaj marrëveshje duket se janë një mori shkeljesh dhe si GP i PDK për hir të korrektësisë dhe raporteve të mira që kemi me Qeverinë Austriake dhe mbështetjen e vazhdueshme që kemi pasur, ne do të bëjmë përjashtim dhe do ta votojmë këtë marrëveshje. Mirëpo, prej procedurave që nuk është respektuar në radhë të parë nuk është marrë pëlqim nga Ministria e Punëve të Jashtme, që është anashkaluar për një projekt të tillë e deri te fillimi i shpenzimit të mjeteve që nuk është dashur me ndodhur pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Për këtë sqarime ka dhënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se deputeteve u ka dërguar njoftime te shefat e Grupeve Parlamentare lidhur me dyshimet për projektin në fjalë.

Sipas saj ky projekt është vazhdimësi e projekteve të Heras+. Ajo ka thënë se buxheti i këtij projekti është 2 milionë e 800 mijë euro.

Ajo tha se nuk ka pasur ndonjë shkelje.

Nagavci: Nuk ka pasur shkelje

“Projekti HERAS+ është vijimësi e projektit HERAS, i cili ka filluar të zbatohet vite më parë. Projekti aktual HERAS+ kap vlerën prej 2 milionë e 800 mijë euro, prej tyre 2.5 milionë janë donacion ose ndihmë nga partnerët tanë austriak, ndërsa janë vetëm 300 mijë euro nga Buxheti i Kosovës… Pavarësisht kësaj ne nuk konsiderojmë se ka pasur ndonjë shkelje pasi projekti ishte financuar me fondet e shtetit të Austrisë. Zbatimi i Heras+ ka filluar në qershor të vitit 2020 ende pa qenë ne në Qeveri, por ne e kemi shprehur përkushtimin që të vazhdojmë implementimin e këtij projekti duke parë se është i rëndësishëm për arsimin e lartë”, theksoi Nagavci.

Ndërsa, pa ndonjë debat Kuvendi i Kosovës, me 84 vota për, asnjë kundër, ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amandamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10. 

​Deputetët nuk miratojnë disa raporte vjetore të agjencive të pavarura

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po trajtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, deputetët nuk kanë miratuar disa raporte vjetore të agjencive të pavarura.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020. Për këtë raport kundër kanë votuar 52 deputetë, për 19 dhe një abstenim.

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje në seancën e sotme nuk është miratuar as raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2020, pasi që në votim morën pjesë vetëm 57 deputetë.

Miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk e ka marrë as raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020. Për këtë raport kundër kanë votuar 59 deputetë, 12 vota për dhe asnjë abstenim.

Deputetët nuk e kanë miratuar as raportin vjetor të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020. 58 deputetë ishin kundër, ndërsa vetëm një vota ka qenë për dhe dy abstenime.

Ndërkaq, në mungesë të kuorumit nuk është votuar as raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, pasi që vetëm 57 deputetë morën pjesë në votim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar as raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit të Kosovës për vitin 2020, kundër kanë votuar 61 deputetë, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë për dhe asnjë abstenim.

Në seancën e sotme, deputetët e kanë miratuar ndryshimin e emrit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, që nga sot ky komision do të ketë emrin Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

***

Me një minutë heshtje për vdekjen e senatorit Bob Dole ka filluar seanca e sotme parlamentare e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kanë nderuar mikun e madh të Kosovës, senatorin i cili ndërroi jetë dje.

E derisa të gjithë janë ngritur në këmbë në nderim të Dole, Lista Serbe ka qëndruar ulur.

Me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konufca, deputetët shqiptarë nderuan ish-senatorin Bob Dole me një minutë heshtje.

Image
Kuvendi nderon me një minutë heshtje senatorin Bob Dole, serbët qëndrojnë ulur

Konjufca: Nderojmë ish-senatorin Bob Dole

“Para se të fillojmë me pikat tjera të seancës, do të kërkoja që ta mbajmë një minutë heshtje për ta nderuar mikun e madh të Kosovës senatorin Bob Dole, i cili ndërroi jetë. Ju lus për një minutë heshtje”, theksoi Konjufca. 

Seantori Dole ishte i sëmurë me kancer, ndërkaq të dielën ka vdekur.

​Kuvendi miraton dy marrëveshje ndërkombëtare

Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, me 84 votë për, asnjë kundër, deputetët kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020).

Kuvendi miratuar edhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.

Image
Pamje nga seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës nis me një minutë heshtje për vdekjen e senatorit Bob Dole

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur seancën me një minutë heshtje për vdekjen e senatorit amerikan Bob Dole.

Ish-senatori republikan ka vdekur të dielën në moshën 98 vjeçare.

“Me zemër të thyer ju njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq herët në mëngjes derisa ishte në gjumë. Ai vdiq në moshën 98-vjeçare, derisa i kishte shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, thuhet në njoftimin e familjes.

Në muajin shkurt, Dole zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive të fazës 4 dhe tha se po fillonte trajtimin.

Shqiptarët do ta kujtojnë senatorin Dole si njeriun që u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur.

Lidhjet e senatorit me shqiptarët kishin filluar në fund të viteve 1980, kur Kosova ishte nën shtypjen e Sllobodan Millosheviqit.

Një pikë kthese u shënua me vizitën e tij, në atë kohë udhëheqës i republikanëve të Senatit, bëri në Prishtinë në vitin 1990.

Në shtator të 1998-së, pas kthimit nga një vizitë ne Kosovë, Dole i kishte bërë thirrje administratës së ish-presidentit Bill Clinton për veprime konkrete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat