Lufta Rusi-Ukrainë dhe Beteja e Kadeshit, lufta e parë botërore Lindje-Perëndim dhe Dardanët

Aktuale

Lufta Rusi-Ukrainë dhe Beteja e Kadeshit, lufta e parë botërore Lindje-Perëndim dhe Dardanët

Nga: Idriz Morina Më: 3 mars 2022 Në ora: 14:52
Pamje nga lufta në Ukrainë, ushtritë goditen në distancë

Ngjashëm si tre mijë vjet më parë, në Betejën e Kadeshit, po grumbullohen ushtritë e dy anëve të botës.

Vetëm vendi ka ndryshuar, dhe natyrisht armët. Atëherë caku kryesor ishin njerëzit, dhe jo vetë qytetet. Nuk kishte masakra në civil dhe aq më pak në fëmijë, siç po bën Rusia në Ukrainë dhe siç bënte Serbia në Kosovë.

Betejat zhvilloheshin në fusha të hapura dhe shmangeshin betejat në kala. Pavarësisht se sa të pamëshirshëm tregoheshin me njerëzit, duket se nuk donin t’i shkatërronin qytetet, jetën e përditshme të njerëzve.

Por, tre mijë e 300 vjet më vonë, një nga shtetet me ushtrinë më të fuqishme në botë, po e sulmon pamëshirshëm fqinjin e saj, Ukrainën e vogël, në krahasim me Rusinë hiper të madhe.

Intriga e përfundimet e tyre

Duke gërmuar fatet e shteteve dhe kombeve në histori, gjenden situata të cilat tregojnë ngjashmëri, dhe madje të intrigojnë me përfundimet e tyre.

Mëdyshja kryesore sot, gati ankthioze është se kush do ta fitojë luftën e madhe, Lindje-Perëndim, që po zhvillohet në tokën e skithëve të lashtë, në Ukrainën e sotme?

A do të fitojnë rusët, që me Putinin e përfaqësojnë Lindjen, apo do të fitojë Perëndimi, që sot përfaqësohet nga Ukraina, edhe pse gjërat ende nuk e kanë arritur zhvillimin e pritur dramatik, dhe ende jemi në ‘hyrje’ të tragjedisë.

Më shumë se tremijë vjet më parë, kur paraardhësit e shqiptarëve, tashmë e kishin të themeluar mbretërinë e tyre, Dardanët, kishin vendosur të merrnin pjesë në njërën prej luftërave më të mëdha të asaj kohe, dhe nga më të mëdhatë edhe për shekuj me radhë.

Tre mijë e tre qind vjetë më pas, ne pasardhësit e tyre mund të marrim pjeë sërish, në një luftë të re botërore, në anën e Perëndimit.

Paramendojeni se asokohe dyja ushtritë kundërshtare formonin një armatë me rreth 70 mijë luftëtarë, të cilët do të ndesheshin në fushë të hapur, afër Kadeshit, një qytet atëherë i zhvilluar, rrënojat e të cilit ndodhen në Sirinë e sotme.

Ishte Egjipti me Faraonin Ramsesi II, perandoria e të cilit, pasi shumë gjatë i kishte pasur nën kontroll ato zona, po kërkonte luftë, për t’i ripushtuar.

Në emër të së njëjtës narrativë, Putini duke e parë si trashëgimi të Perandorisë ruse dhe të Bashkimit Sovjetik, po përpiqet egërsisht ta nënshtrojë Ukrainën.

Një pretendim, që duket se nuk ka ndryshuar aspak, pas 33 shekujsh, duke ruajtur motivin kryesor!

Cila është historia e Betejës së Kadeshit?

Faraoni Remsesi II, ishte ai, i cili do t’ia mësynte tokave, që ndodheshin nën sovranitetin e Perandorisë Hitite, që aso kohe në fronin e saj ishte mbreti Muvatall, që kishte në zotërim thuaja gjithë Azinë e vogël dhe në një pjesë të Lindjes së Afërt.

Sipas enciklopedisë britanike, Beteja e Kadeshit besohet se është zhvilluar në vitin 1275 para erës sonë, studime të tjera e japin vitin 1274, ku ishte një ballafaqim ndërmjet dy ushtrive më të mëdha të kohës, Mbretërisë Egjiptiane, të cilës këtu i referohemi si Lindja, dhe mbretërisë Hitite, e cila mori pjesë në betejë me së paku 18 forca aleate, si Perëndimi.

Njëra nga aleatet ishte mbretëria e Dardanisë, e cila përmendet në mbishkrimet hitite, dhe shënimet hieroglifike egjiptase.

Praninë e Dardanëve në atë betejë e thotë edhe studiuesi Albert Nikolla, duke e shpjeguar mbishkrimin hitit, të pllakës së deshifruar së voni, i cili është një mbishkrim i mbijetuar argjilor. Ndërsa, shënimet më të plota dhe më të shumta janë në shkrimet hieroglifike egjiptase.

Ajo betejë ka mbetur në histori si një nga më të mëdhatë të luftës me karroca me kuaj. Ramsesi i dytë e kishte bërë një modernizim të karrocave, në vend të tre vetave që dikur ato bartnin, ato tash bartnin nga dy luftëtarë, dhe në këtë mënyrë me këtë zgjidhje kishte besuar se duke i bërë më të shpejta dhe më të manovrueshme, do t’ia delte të fitonte lehtë dhe shpejt, diçka sikurse Putini besonte në Ukrainë, duke llogaritur në epërsinë ushtarake, që do të fitonte për tri ditë.

Beteja sipas shumicës së studiuesve u zhvillua pranë lumit Orontes, afër Kadeshit dhe që besohej se i takonte territorit të Sirisë, që ishte nën sundimin hititë.

Beteja

Historianët meritat për dokumentimin e betejës ia atribuojnë Ramsesit II, i cili thonë ata, e përshkruan shkuarjen e tij në luftë, në dy mbishkrimet kryesore për betejën e Kadeshit, të cilat i quan "Poema" dhe "Buletini".

Beteja u zhvillua me një kosto të një masakre të plotë, ku u përleshën forcat e 5000 qerreve.

Faraoni Remsesi II, i cili njihet edhe për luftën me hebrenjtë, dëbimin e tyre nga Egjipti, ishte përcaktuar për politika ekspansioniste të trasuara nga babai i tij, Seti I.

Ramsesi pasi pati sukses me pushtimin e territoreve hitite në Palestinë u fut edhe në ato që sot njihen si Siri.

Në avancim e sipër, pararojat e tij, në afërsi të lumit Orontes, i kapin dy burra, të cilët ishin deklaruar si dezertorë të forcave hitite, që sipas pohimeve të tyre forcat mbretërore hitite ishin të vendosura jashtë Aleppos, thuhet në enciklopedinë britanike.

Vetë Faraoni pas kësaj do të ngutej të përparonte para ushtrisë, gjë që sot Putini e bën të kundërtën. Mbretërit dhe udhëheqësit, të paktën deri tek mbreti gjenial i shqiptarëve Skënderbeu, merrnin pjesë vetë në beteja, përveçse edhe i komandonin ato.

Ndërsa, frikacaku Putin, është mbyllur në ‘kalanë’ e tij dhe madje, edhe njerëzit e tij më të afërt, me të cilët e udhëheq luftën i mban disa metra larg, nga frika, pasiguria etj.

Faraoni Remsesi II kishte me vete 20 mijë këmbësorë dhe 2.000 qerre, që nëse ishin për dy veta, duhej të kishte edhe 4 mijë luftëtarë në to.

Mbreti hitit Muvatalli, kishte afër 40 mijë këmbësorë dhe tre mijë karroca që bartnin nga 3 luftëtarë, që nënkupton se mund të kishte edhe 9 mijë luftëtarë të tjerë.

“Karrocat e tyre të rënda me tre kuaj u përplasën me pararojën egjiptiane, duke shpërndarë qerret e saj më të lehta dhe radhët pas. Një fitore e lehtë dukej e siguruar dhe hititët hoqën rojet e tyre dhe u nisën për të plaçkitur armikun e tyre të rënë”.

Kjo ngarendje pas plaçkës shkaktoi kaos në taborin hitit, të cilin e shfrytëzon Faraoni Ramsesi II, që t’i riorganizonte forcat, dhe të niste kundërsulmin.

Me zhdukjen e avantazhit të tyre tronditës, qerret hitite dukeshin të ngadalta dhe të pakëndshme; qerret më të lehta egjiptiane i kaluan ato me lehtësi. Ramsesi II, i guximshëm dhe vendimtar, arriti të këpuste nga nofullat e humbjes nëse jo fitoren, atëherë të paktën një barazim të nderuar.

Sipas shkrimeve të lëna nga dy mbretëritë, secila palë e kishte shpallur veten fituese. Pavarësisht që Faraoni Ramses II kishte urdhëruar edhe zbukurimin e tempujve për shënimin e fitores së tij, 15 vite më vonë, e kishte pranuar të vërtetën. Atë e bën edhe hititët.

Të dyja palët u kthyen në Kadesh për të pranuar një marrëveshje apo pakt të mossulmimit. Ky është shembulli i parë i njohur në histori, për të cilin ka marrëveshje të dokumentuar.

Sipas të dhënave në vikipedia beteja ishte zhvilluar, disa shekuj pasi që dinastitë egjiptiane u rizgjuan, dhe kishin arritur ta dëbonin rreth vitit 1550 p.e.s. popullin e bardhë, që njihej si Hyksos, pas një pushtimi të gjatë nga ata.

Fushata i takonte dinastisë së nëntëmbëdhjetë egjiptase. Beteja ka mbetur e gdhendur me mbishkrimet në muret e Karnakut, ku janë regjistruar detajet e fushatave të Faraonit në Kanaan dhe në Sirinë e lashtë.

Sipas paqes me hititët, Egjipti e mori kontrollin e zonave bregdetare përgjatë Detit Mesdhe dhe e vazhdoi fushatën në Kanaan.

Ramsesi II udhëhoqi një ushtri prej katër divizionesh: Amun, Re (P're), Seth (Suteh) dhe Ptah, ky i funti mendohet të ketë qenë një divizioni i sapoformuar.

Trupat mercenare

Sikurse para 33 shekujsh, edhe sot Putini ka grumbulluar disa grupe mercenarësh, si ato Vagner, çeçene etj.

Faraoni Ramsesi II, kishte krijuar trupa besnike. Ai kishte krijuar një trup, që konsiderohej e dobët ende, të quajtur nrrn (Ne'arin ose Nearin), që besohet se ishin mercenarë ushtarakë kananitë, por besnikë të Egjiptit.

Por, më e sigurt është se ishin forca mercenarësh trupat të quajtura Sherden, që ishin pjesë e ushtrisë egjiptiane. Kjo është hera e parë që ata shfaqen si mercenarë egjiptian dhe do të luanin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në historinë e epokës së bronzit të vonë, duke u shfaqur përfundimisht në mesin e Popujve të Detit që shkatërruan Mesdheun lindor në fund të epokës së bronzit.

Inteligjenca e rreme

Edhe Putini në ngutinë e tij për të sulmuar Ukrainën, sikurse Ramsesi II kundër hititëve mund të ketë rënë pre, e inteligjencës së rrejshme, përkatësisht të mashtrimit të kundërzbulimit ukrainas, të cilët mund ta kenë luajtur rolin si besnik të Kremlinit, sikurse bën spiunët hititë.

Ky mund të jetë një prej shkaqeve, të dështimit të planit A, të Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën që në mësymjen e parë, në një kohë rekord prej tri ditësh, dhe për ta vendosur në Kiev, një qeveri besnike të Moskës.

Sipas dëshmive historike, perandori hitit Muvatalli i kishte vendosur trupat e tij prapa "Kadeshit të Vjetër", por ai ia kishte dalur ta vënte në lajthitje Faraonin Ramses II duke dërguar dy spiunë, të cilët sipas detyrës, pasi u kapën nga egjiptianët u kishin thënë atyre se forcat hitite ishin ende shumë larg, në Aleppo. Bazuar në këto Ramsesi II urdhëroi forcat e tij ta lëviznin kampin.

“Inteligjenca e rreme bëri që Ramessi të marshonte me nxitim drejt Kadeshit, ku egjiptianët u kapën të pakujdesshëm”.

(Nga "Poema") “Tani, atëherë, madhështia e tij kishte përgatitur këmbësorinë e tij, karrocën e tij dhe Sherden e kapjes së madhështisë së tij... në vitin 5, muaji i dytë i sezonit të tretë, dita 9, madhështia e tij kaloi kalanë e Siles, [dhe hyri në Kanaan]”.

Fati i Putinit në Ukrainë dhe i Ramsesit në Kadesh

Egjiptasit ishin shumë të saktë në përshkrime, përveç kur si duket Faraoni mund të urdhëronte ndryshe.

Në dokumentet e përmendura sipas shënimeve që ndodhen edhe në vikipedia, gjatë betejës së Kadeshit, Ramsesi u ndie i vetmuar, i braktisur nga princërit, guvernatorët dhe të tjerët, të cilëve në një takim të tensionuar u kishte kërkuar të jepnin llogari, se si nuk kishin arritur ta kuptonin as se ku ishin pozicionuar trupat hitite.

“Në rrëfimin egjiptian të betejës, Ramsesi e përshkruan veten si të braktisur dhe të rrethuar nga armiq”.

Ngjashëm po i ndodhë edhe Putinit, i cili po përpiqet qartë t’ju kërkojë llogari gjeneralëve të tij për befasitë që po ua bëjnë me sulmet e tyre trupat ukrainase, pse nuk po shkatërrohen ato, dhe nga po shfaqen papritmas, duke lënë aq shumë rus të vdekur, aq shumë tanke të shkatërruara, aeroplanë etj.

Në ndërkohë, që Ramsesi po bisedonte për luftën, rivendosjen që duhej ta bënin trupat, ata do të sulmoheshin nga ushtria hitite.

“Ndërsa Ramses po fliste me princat, qerret hitite kaluan lumin dhe sulmuan mesin e divizionit Re, ndërsa po shkonin drejt pozicionit të Ramsesit. Divizioni Re u kap në shesh dhe u shpërnda në të gjitha drejtimet. Disa ikën drejt veriut në kampin e Amunit, gjatë gjithë kohës duke u ndjekur nga qerret hitite”.

"Asnjë oficer nuk ishte me mua, asnjë karrocier, asnjë ushtar i ushtrisë, asnjë mburojë", kishte rrëfyer Remsesi.

Të dhënat hitite nga Hattusa, megjithatë, tregojnë për një përfundim të kundërt të betejës së Kadeshit. Sipas tyre Ramsesi u ndëshkua, dhe u detyrua të largohej nga Kadeshi me humbje.

Sipas historianëve të sotëm modern, ata arrijnë në përfundimin se beteja përfundoi baras, pa fitues.

Traktati i parë i paqes i dokumentuar në botë

Për historinë kjo betejë ka nxjerrë një mësim të madh, se luftërat duhet të përfundojnë me arritje të paqes, të nënshkruar. Gjë që për shembull Kosovës nuk iu mundësua, as të ishte pjesë e traktatit të Kumanovës.

Ky traktat i paqes, i nënshkruar rreth vitit 1260 para erës sonë, gjendet i ekspozuar në muzeun Arkeologjik të Stambollit. Ndërsa, një kopje e tij ndodhet e ekspozuar në OKB.

Marrëveshja nga hititët ishte e gdhendur në një pllakë argjendi, nga e cila një kopje balte mbijetoi në kryeqytetin hitit, Hattusa, që sot ndodhet në territorin e Turqisë.

Paqja u arrit duke u pajtuar palët se nuk mund të kishte fitues.

Një rast i mirë, për ta kujtuar se edhe Rusia, sikurse Egjipti dikur se nuk mund të fitojë në Ukrainë përballë Perëndimit, i cili është në aleancë të hapur me ukrainasit, qoftë edhe duke përdorur bombat bërthamore, pasi nga përdorimi i tyre nuk do të fitonte askush, as vetë Rusia, pasi në atë rast humbjet do të ishin tepër tragjike për botën, të papërballueshme.

Pra, nënshkrimi i një traktati paqeje, pa fitues, Ukrainë-Rusi, do të ishte zgjidhja më e mirë aktuale.

Para 3282 viteve Lindja dhe Perëndimi ditën dhe mundën ta nënshkruajnë një traktat paqeje, pse nuk mund të bëhet tani!?

Dardanët

Ukrainës sot i është bashkuar në aleancë i gjithë Perëndimi, edhe pse ajo nuk është një fuqi sulmuese, por për të mos rënë viktimë e Rusisë. Me Ukrainën sot nuk janë 18 shtete si dikur me Perandorinë Hitite, por janë thuaja dyfishi i tyre, përveç 27 vendeve anëtare të NATO-s, janë bashkuar edhe shtete të tjera, përveç Serbisë pro ruse dhe Bjellorusisë nën kupolën ruse.

Edhe shqiptarët, si 33 shekuj më parë dardanët të rreshtuar me perëndimin, janë në krah të Ukrainës, me mundësitë e pakta që kanë sot.

Edhe nga të dhënat referenciale që sjellë Albert Hitoaliaj, thuhet se lista e aleatëve të hititëve, e regjistruar në shkrimet egjiptiane, përfshinte disa fise, mbase popuj, ku Dardanët ishin njëri prej tyre.

“Këto fakte, marrë në formulimin e Kronikës Paskhal, se Dardanët ishin Hititë, po aq sa dhe fakti se Dardanët e Trojanët ishin në ushtrinë Kheta-sira në betejën e Kadeshit, na tregojnë shtrirjen e gjerë dhe madhështinë e perandorisë Hitite” (Sir Charles W. Wilson, ‘The empire of the Hittites’, Nisbet, 1884, f.59). Tekstet egjiptiane mbajnë të shkruar emrin e dardanëve (Drdny) si një evidencë të asaj beteje të rëndësishme: “…ne kemi dëshmitë e teksteve egjiptiane, se Drdni (Dardanët – asnjë emër tjetër i ngjashëm nuk njihet) luftuan si aleatë të Hititëve në betejën e Kadeshit” (Gurney, Oliver Robert; “The Hittites”; 1990, f.47).”, citon Hitoaliaj.

Sidoqoftë kjo nënkupton se paraardhësit tanë, pra stërgjyshërit tanë ishin nga të parët popuj, shumë prej të cilëve nuk kanë mbijetuar, që nënshkruan traktatin e parë të paqes botërore, si një nga 19 mbretëritë që luftonin në aleancë kundër Egjiptit të zi, nëse ishte i atillë, në analogji me “Black Athena” për origjinën greke nga Martin Bernal, sipas mitit të Deukalionit egjiptas!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat