Eskalon debati në Kuvend, përplasje PDK-VV për veteranët - opozita lëshon sallën

Aktuale

Eskalon debati në Kuvend, përplasje PDK-VV për veteranët - opozita lëshon sallën

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 18:16 më 30.06.2022
Kuvendi i Kosovës

​Dështon rezoluta e LDK-së për ngritjen e çmimeve të produkteve, opozita lëshon sallën

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për ngritjen e çmimeve të produkteve.

Pro miratimit të rezolutës, votuan vetëm 24 deputetë opozitarë, ndërsa kundër ishin 47 deputetët e mazhorancës.

Para se të vihej në votim, pushteti dhe opozita u përplasën ashpër edhe për inicimin e një rezolute të re nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se rezoluta e tyre përmban kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.

Kusari-Lila: Rezoluta kërkon veprime konkrete nga Qeveria

“Rezoluta e GP të Lëvizjes Vetëvendosje kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmerren veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Si dhe përmes instrumenteve monitoruese të ndalë përpjekjet për shfrytëzimin e kësaj situate nga abuzuesit”, tha ajo.

Mirëpo, kritik u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Çfarë logjike ka pushteti të propozojë rezoluta

“Tash momentet e fundit kuptojmë se partia në pushtet ka propozuar një rezolutë. Çfarë logjike ka pushteti të propozojë rezoluta, pushteti merr vendim, bën veprime, propozon ligje? Çka është kjo - pushteti të propozojë rezoluta?...Kjo sjellje është tendencioze me qëllim të kapjes së vendimmarrjes në këtë kuvend, por gabim e keni”, tha ai.

Pas dështimit të miratimit të rezolutës, opozita lëshoi sallën, ndërsa kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet duke thënë se seanca plenare do të vazhdojë nesër, në orën 10:00.

“Pec a t’kanë pyet ty najsen?”, Gashi i LDK-së nervozohet me rezolutën e VV-së

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, gjatë seancës në Kuvend njoftoi se partia në pushtet ka propozuar një rezolutë, gjë që siç duket e ka nervozuar Gashin.

Ai tha se nuk ka asnjë kuptim që pushteti të propozojë rezoluta, pasi sipas tij “pushteti merr vendim, bën veprime, propozon ligje”.

“Kemi kërku mirëkuptim nga ju që të propozoni ckado që mendoni se është e rëndësishme dhe duhet të hiqet, shtohet, plotësohet, ndryshohet në dokumentin që e kemi propozu ne. Në momentet e fundit kuptojmë që partia në pushtet ka propozu rezolutë. Cfarë logjike ka pushteti me propozu rezoluta, pushteti merr vendim, bën veprime, propozon ligje. Cka është kjo pushteti me propozu rezoluta? Ne ju lutëm hajdeni propozoni në rezolutën tonë cka doni me ndryshu, bile jemi të gatshëm me ndryshu komplet, nëse ajo cka propozoni ju është e arsyeshme. Shihet ku shkon logjika e këtij pushteti. Deshiron që me nxjerr rezolutë mbi rezolutë, tu i pas mekanizmat e shtetit dhe pushtetit në dorë, bile në mënyrë klandestine, pa e protokollu dhe pa e dorëzu te deputetët fare”, tha ai.

Derisa fliste për rezolutën e VV-së, Gashi iu drejtua ministrit të Bujqësisë, Faton Peci: Pec, a tkanë vet ty najsen?

“Ju i keni mekanizmat e vendimmarrjes. Nëse ministrat i keni të paaftë, qeverinë e keni të paaftë me marrë vendime, dhe doni me i detyru me rezolutë të shumicës m’i bo disa veprime, kjo ska kurrfarë kuptimi, çfarë Qeverie është kjo, cfarë qeverisje është kjo. Pec a tkanë vet ty najsen? Spo muj me kuptu këtë punë”, tha Gashi.

Ministrja Hajdari paralajmëron masa shtesë për çmimet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi sot se janë duke monitoruar situatën e çmimeve të produkteve esenciale, ku do të ketë vendosje edhe të disa masave shtesë.

Në debatin parlamentar për rritjen e çmimeve, ajo ka pohuar se çmimet e naftës janë më të larta se sa ato që janë importuar.

Hajdari: Kemi spekulantë në tregun tonë

“Kemi spekulantë të ndryshëm në tregun tonë. Ne do të sigurojmë që të kemi sa më shumë konkurrencë të shëndoshë dhe treg të shëndoshë. Dhe aq më shumë nafta për shembull është importuar 1 litër për 1,52 centë dhe është shitur 1,84 centë, prandaj qeveria duhet të veprojë”, ka deklaruar ajo.

Ministrja Hajdari shtoi se mos përshtatja e çmimeve të naftës e sjell mundësinë ligjore që qeveria të veprojë me aktin e vetëm nënligjor. Ajo theksoi se janë duke analizuar situatën e çmimeve për çdo produkt esencial.

Hajdari: Po monitorojmë çmimet e produkteve esenciale

“Jemi duke monitoruar situatën e çmimeve të produkteve esenciale me kontrolle të shpeshta të tregut nga Inspektorati Qendror i tregut në bashkëpunim me ATK-në dhe së bashku me inspektorët komunalë. Jemi duke parashikuar edhe masa shtesë, sipas mundësive dhe për shkak të situatës që është e jashtëzakonshme për t’i mbrojtur qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Ministrja Hajdari tha se kanë punuar në formalizimin e naftës, meqë siç tha ajo që ka pasur edhe shumë raste të ryshfetit.

Hajdari: Kemi gjetur 700 pika të pa formalizuara të karburanteve

“Kam gjetur 700 pika të pa formalizuara të karburanteve, të shitësve me pakicë të naftës. Prej 700 pikave ishin vetëm 200 pika të regjistruara dhe 500 tjera të paregjistruara. Pse? Sepse kishte munguar Ligji i Naftës. Kishte munguar formalizimi i nevojshëm për këto pika të karburanteve dhe aq më shumë, sipas Ligjit për Lejet dhe Licencat nuk ishte aplikuar si duhet për t’i faturuar për regjistrim këto pika të karburanteve të naftës. Vetëm 50 euro janë faturuar 3000 euro, dhe aq më shumë janë faturuar 3000 euro të tjera në xhepa”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kanë vijuar kritikat nga ana e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

Musliu: Kthjellu ministre!

“Kthjelluni ministre, se nuk jeni në tokë të bukës! Ti mund të zgërdhihesh, siç je duke u zgërdhirë, sepse kjo është qasja juaj. Që nga themelimi i kësaj qeverie, çdo problem që trajtohet në Kuvend, ju zgërdhihuni. Ju qeshni nën dhëmbë, sepse familjarët e juaj jetojnë në shtete evropiane”, ka deklaruar ajo.

Berisha për fjalët e Muratit për veteranët: Thua se janë shkruar serbisht, e i ka përkthyer në shqip

Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Berisha, në seancën në të cilën po diskutohet kriza e rritjes së çmimeve, ka thënë se qeveria ka vepruar njëjtë edhe me veteranët, duke thënë se gjuha që është përdorur për këta fundit, nga ana e qeverisë, dukej sikur ishte shkruar në gjuhën serbe.

Tutje, ai ka thënë se gjuha e ministrave, deputetëve dhe vetë kryeministrit shkon edhe më larg, duke përmendur deklaratën e Ministrit të Financave Hekuran Muratit, i cili ka thënë se veteranët po i kushtojnë shtrenjtë Kosovës.

“Kështu vepruat edhe ndaj veteranëve, ngjasonte gjuha e juaj thua se ato fjalë u janë shkruar në serbisht e ju vetëm po i përktheni në gjuhën shqipe. Mos u mundoni t’i bëni argat Vuçiqit duke u munduar t’i vrisni me skamje veteranët. Gjuha e juaj si ministra, deputetë e kryeministër shkon edhe më larg. Si për shembull ajo e ministrit të financave me urrejtjen që shpreh për kategoritë e dala nga lufta, duke shkuar deri atje sa të thotë se më lirë do të na kishte dalë nëse paguanim mercenarë se sa të luftonim vetë e sot të paguanim veteranë. Pastaj duke e shpreh dëshpërimin në humbjen në luftë të ushtrisë, policisë, të regjimit të Millosheviçit, të bënë me dyshuar se i kujt është ky ministër, a është i qeverisë së Kosovës apo i asaj të Vuçiqit”, ka thënë Berisha. 

Musliu – Qeverisë: Kthjelluni se nuk jeni në tokë të bukës

Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, ka hedhur kritika të ashpra drejt qeverisë, duke kërkuar nga këta të fundit të reflektojnë dhe të zgjidhin problemet e qytetarëve.

Musliu, tutje ka shtuar se gjatë seancës së sotme, ajo nuk ka dëgjuar asnjë zgjidhje për qytetarët të cilët, sipas Musliut, po ndihen të braktisur nga qeveria Kurti.

Tutje, ajo ka vijuar duke deklaruar se qeveria e Kurtit, që nga fillimi i themelimi i saj, për çdo problem që është trajtuar në Kuvend, është zgërdhirë.

“Prandaj kthjelluni , reflektoni dhe gjeni zgjidhje për problemet e qytetarëve. Sepse unë sot gjithçka dëgjova këtu vetëm zgjidhje për qytetarët të cilët sot më shumë se kurrë po ndihen të braktisur nga kjo qeveri. Ju i keni ra mësysh vetës. Ose nuk keni këshilltar ose nuk keni familjar që ia’u tërhjekin vërejtjen me ju pa, ku jeni, çfarë bëni dhe si veproni. Kthjelluni ministër se nuk jeni në tokë të bukës. Ti mundesh me u zgërdhi, sepse kjo është qasja e juaj që nga fillimi. Që nga themelimi i kësaj qeverie, çdo problem që trajtohet në Kuvend ju zgërdhiheni, ju qeshni ndër dhëmbë”, ka thënë Musliu.

​Abazi, Berishës: Të kesh fytyrë si ish-luftëtar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi dhe ai i PDK-së, Hisen Berisha kanë shkëmbyer akuza të ashpra në seancën e sotme për veteranët.

Deputeti Berisha ka kritikuar pushtetin për trajtimin e veteranëve, për çka tha se po e bën argatin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Për këtë ka reaguar Abazi, i cili i tha se ‘duhet të ketë fytyrë si ish-luftëtar’.

Abazi: Të kesh fytyrë si ish-luftëtar

“Së paku duhet të kesh fytyrë, si burrë që je edhe si ish-luftëtar. Nuk e meritojnë veteranët mbrojtjen tënde. Një shëtitës i partive e një lypës i rrugëve që i akuzon njerëzit pa asnjë fakt. Turp zotëri, turp! Duhet të përfundojë kjo lojë. Nëse mendoni që shqiptarët duhet të fshijnë rrugët e Beogradit dhe t’i presin drunjtë e serbëve, tregoni që ajo është statusi në të cilin mendoni që shqiptarët duhet të kenë rol”, ka deklaruar ai.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha tha se si veteran do të mbrojë vendin në të gjitha format.

Berisha: Shoku Haki, unë kam identitet

“Dëgjo shoku Haki, unë jam Hisen Berisha dhe kam identitet publik, biografi publike dhe kam kaluar nëpër disa institucione ku jam verifikuar në të gjitha trajtat dhe format, në të gjitha segmentet e mundshme dhe i vetmi jam unë që e kam certifikatën e sigurisë më të lartë në NATO deri në 2018, garanci për 10 vjet përpara. Por, ti shoku Haki dhe soji yt bëni kujdes dhe mos i jepni zor shumë. Se nuk do të fitoni asgjë prej Serbisë, po ta garantoj. Në kohën e mbretërisë serbe një kësi bashkëpunëtori dhe që ka folur me këtë gjuhë e ka fituar një varr në Beograd. Në kohën e Millosheviq-it po ashtu një i tillë që ka bashkëpunuar me regjimin serb e ka fituar një varr në Beograd”, është kundërpërgjigjur ai.

“Dëgjo shoku Haqi” – Përplasje e ashpër mes Berishës dhe Abazit

Debat i ashpër është zhvilluar mes deputetit të PDK-së, Hisen Berisha dhe atij të VV-së, Haki Abazi.

Ky i fundit, iu drejtua Berishës si “zoti Rexhepi”, pasi që sipas tij ai e ka ndryshuar edhe identitetin e tij.

Madje i tha se ka ndërruar vazhdimisht parti dhe se nuk ka kredibilitet të flasë për anjë proces, e sidomos personalisht për të.

E kjo shkaktoi reagimin e deputetit Berisha.

“Dëgjo shoku Haqi. Jam Hisen Berisha dhe kam identitet. Jam verifikuar në të gjitha trajtat dhe format. Sa këm dëgju, jam i vetmi që e kam certifikatën e sigurisë më të lartë. Ti shoku Haqi dhe soji yt bëni kujdes dhe mos i jepni zor. Se nuk keni me fitu kurgjo prej Serbisë. Në kohën e mbretërisë serbe, një kësi bashkëpunëtori që ka fol me këtë gjuhë ka fitu një varr në Beograd, ashtu si në kohën e Millosheviqit. Ne si veteranë, këtë vend kemi me e mbrojt në tana format”, tha Berisha. 

​Kurti: Krejt çka keni sjell është një numër, numri 3

Në seancën e sotme ku po diskutohet për rritjen e çmimeve të propozuar nga LDK, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se krejt çka kanë sjellë sot opozita si propozon është një numër e ai është numri 3.

Kurti: Krejt çka keni sjellë është një numër numri 3

“Krejt çka keni sjellë është një numër numri 3, tre muaj plus tre muaj, a unë ua lexova pa numër shifra se qysh kemi ndihmua 420 milionë euro, plus 100 milionë euro të zbërthyer nëpër kategori të ndryshme shoqërore për jetesën e qytetarëve tanë dhe mbijetesë. Prandaj, ministri im i Financave u bë t’i bëjë numrat edhe për juve dhe iu tregoi se çka do të thotë ky numër i vetëm që në mënyrë të dyfishtë, ju e sollët në propozimin tuaj”, theksoi ai.

Seanca vazhdon në orën 15:30.

​Abdixhiku: Mimozë unë e di që më shumë vërehet mungesa ime sesa prezenca jote

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku iu është drejtuar shefes së grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila duke i thënë se më shumë vërehet mungesa ime sesa prezenca jote.

Abdixhiku: Mimozë unë e di që më shumë vërehet mungesa ime sesa prezenca jote

“Mimozë unë e di që më shumë vërehet mungesa ime sesa prezenca jote, edhe siç e di që këto fjalë lavdëruese që tu kanë bërë si shefi i kam dëgjuar edhe për Hashimin edhe për Bexhetin asgjë nuk janë të reja por t]ë lutem mbaje nivelin e diskutimit korrekt pavarësisht se ku shërben e çka shërben qëndrimet mbesin më gjatë edhe kur ke qenë në këtë grupin tonë parlamentar në LDK kemi besuar në ekonomi të tregut, kemi besuar në tatime që lehtësojnë jetën e qytetarëve që po i shtrojmë e dhe tani në Kuvend”, u shpreh Abdixhiku.

E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se Abdixhiku qenka sot në seanca për të imituar kryeministrin Albin Kurti, por ishte i pasuksesshëm.

Kusari-Lila: Tentuat pasuksesshëm ta imitosh Kurtin

Shefi më tha i grupit parlamentar po i dukem burrë nejse, zotëri Abdixhiku ju jeni një seancë vonë sepse seanca për Trustin kur është kërkuar prezenca juaj ka qenë 23 qershor jo më 30 qershor asnjëherë tjetër nuk e kemi kërkuar prezencën tënde,….por sot e kuptuam se pse vini ju në seancë për të dëgjuar dhe për ta imituar kryeministrin e Kosovës sepse atë tentuat ta bësh pasuksesshëm në fillim të fjalimit tuaj”, u shpreh Kusari-Lila. 

Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 15:30

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkruar në pauzë deri në orën 15:30.

Ata kanë diskutuar për masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetaret të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat