Kryeministri Kurti, ja kur do të aplikojë Kosova për anëtarësim në BE

Aktuale

Kryeministri Kurti, ja kur do të aplikojë Kosova për anëtarësim në BE

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 11:30
Kryeministri Albin Kurti jep afatin e aplikimit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se vendi do të aplikojë për t’u bërë kandidat për anëtarësim në BE këtë vjesht ose dimër, por jo më vonë se Krishtlindjet e këtij viti.

I pyetur nga Welt se “çka ju bën kaq te sigurt se kjo do të funksionojë”, Kurti u përgjigj duke thënë se Kosova është vendi më pro-demokratik dhe më properëndimor në Ballkanin Perëndimor.

“Përveç kësaj, ne tashmë kemi lidhje të ngushta kontraktuale me BE-në përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mbi të cilat mund të ndërtojmë. Përveç kësaj, siguria e kontinentit evropian është e kërcënuar pas sulmit krejtësisht të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Pra, do të ishte e rëndësishme të kishit një partner të qëndrueshëm në Kosovë në krahun tuaj në Ballkanin Perëndimor. Pra, të dyja palët do të përfitonin njëlloj”, është shprehur Kurti, shkruan Welt, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se nuk pret që Kosova të anëtarësohet këtë vit apo vitin tjetër, pasi sipas tij, një gjë e tillë do të marrë kohë, teksa shtoi se dikush me ndikim në BE do të duhej të potenconte se “të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030”.

“Do të ishte mjaft e nevojshme një kornizë kohore nga Brukseli me piketa për t’u arritur. Do të ishte e rëndësishme që dikush me ndikim në BE të ngrihet dhe të thotë: Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030 . Këtë na e kishin premtuar në vitin 2003. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ne”, deklaroi ndër të tjera kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat