Vjosa Osmani dhe Edi Rama mbajnë distancën edhe në Pragë

Aktuale

Vjosa Osmani dhe Edi Rama mbajnë distancën edhe në Pragë

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 23:26
Edi Rama dhe Vjosa Osmani

Dy liderët shqiptarë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Edi Rama, vazhdojnë ta mbajnë distancën me njëri-tjetrin edhe kur janë tejet afër njëri-tjetrit.

Në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë të Çekisë, Osmani dhe Rama sot kanë zhvilluar dhjetëra takime me homologë e liderë nga anembanë bota, nga të cilat kanë publikuar edhe fotografi.

Mirëpo, një fotografi e një takimi Osmani-Rama nuk është parë nga ambientet ku po mbahet samiti. Së bashku janë parë vetëm në fotografinë e përbashkët të të gjithë liderëve, ku me siguri, nuk kanë mundur ta evitojnë njëri tjetrin.

Të dy liderët kanë publikuar dhjetëra fotografi nga takimet e zhvilluara sot.

Raportet mes Vjosa Osmani dhe Edi Ramës u ashpërsuan edhe më shumë pas deklaratave të fundit akuzuese të presidentes së Kosovës ndaj kryeministrit shqiptar, duke e akuzuar atë se po i shpëton fytyrën Serbisë.

Në një intervistë Osmani kishte treguar dallimet me Ramën.

“Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit”, kishte deklaruar ajo.

Këtyre akuzave, kryeministri shqiptar iu përgjigj me një fushatë mediale në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat