“Hakmarrje të shpejtë dhe të tmerrshme” / Goditjet që Rusia duhet t’i përjetojë

Aktuale

“Hakmarrje të shpejtë dhe të tmerrshme” / Goditjet që Rusia duhet t’i përjetojë

Nga: Idriz Morina Më: 15 tetor 2022 Në ora: 19:29
Pamje nga rezistenca luftarake e Ukrainës

Muaj të vështirë po vijnë, si duket me shpejtësi. Ndërkohë, që duken edhe shenja paqeje, të pajtimit të përkohshëm apo të ndalimit të dhunës masive të rusëve në luftën në Ukrainë.

Këtë sinjal e ka dhënë edhe vet lideri terrorizues rus, Vladimir Putin. Por, si duket askush nuk është në gjendje ta besojë.

Për mendimin tim, kërkesa e tij, thjesht ka të bëjë me një taktikë, nga përvoja e luftërave në të shkuarën. Pranimi i armëpushimit nga Gjermania në Luftën e Parë Botërore, konsiderohet shkaku kryesor i humbjes së luftës, të cilën konsiderohej se e kishte fituar. Atëherë fituesi u përcaktua nga SHBA-të me hyrjen e saj formale në luftë. Sigurisht se gjërat nuk mund të përsëriten njësoj, por mund të konsiderohet taktikë frytdhënëse, të cilën e shprehu edhe presidenti i Bjellorusisë, një vasal i Putinit, duke thënë se paqja mund të arrihet brenda një jave. Sigurisht edhe kjo një përpjekje e Rusisë për ta përçarë Perëndimin e bashkuar në luftën kundër Rusisë.

Rreziku nga ‘refugjatët’ rusë

Në kohën, që sipas informacioneve shtetërore anglo-amerikane, armët e Rusisë po shterojnë përfshirë raketat dhe sistemet hedhëse, forca ushtarake, forca motorike e saj, përfshirë edhe ajo ajrore, Ukraina nuk ka pse të ndalet në ofensivën e saj për çlirimin e vendit.

Nëse arrihet ndonjë armëpushim, ai mund të jetë fatal për Ukrainën, pasi një lloj paqeje e brishtë do ta favorizonte Rusinë, e cila mund të blejë armatim, të prodhojë dhe ta rikonsolidojë ushtrinë e saj, gjë që do t’i vënte në vështirësi ukrainasit, pasi lufta do të mund të zgjaste shumë më shumë se sa që pritet, sipas analizave dhe informacioneve ushtarake perëndimore.

Analizat perëndimore, sërish e thonë se në rast të armëpushimit, koha në vazhdim do të ecë me inercionin e krizës së shkaktuar nga lufta dhe nga sanksionet. Sipas pikvështrimit të tyre në këtë kontekst, kjo do të ndikonte që disa vende hezituese në mbështetjen e Ukrainës të tërhiqen dhe disa të tjera mund të përballen me pasoja të krizës ekonomike e energjetike, që mund të çojë edhe në trazira.

Ndërkohë, kur kësaj ia shton edhe shqetësimin e ri gjerman, se rusët e ikur nga Rusia, mund të përdoren në luftën e saj hibride, dhe aq më tepër që vende si Serbia, ua kanë mundësuar udhëtimin pa asnjë kontroll dhe pa viza, kjo i rrit rreziqet drejt një paparashikueshmërie ngjarjesh. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka reaguar duke e cilësuar, se “nuk mund të ketë një situatë ku njerëzit të përdoren si armë”.

Por, pavarësisht deklarimeve, rreziqet për sulme të tjera nga rusët e ikur apo të larguar qëllimisht nga Rusia, janë rritur shumë. Dhe Rusia nuk do të hezitojë ta bëjë çdo gjë që i vjen për dore.

Ndërkohë, Putini e ka emëruar në krye të operacioneve gjeneralin famëkeq Surikov komandant i unifikuar për luftën në Ukrainë. Ndërsa, në perëndim ka filluar të quhet gjeneral “Armagedoni”, pasi shquhet për egërsinë e tij në luftë, përdorimin e çdolloj taktike dhe arme në dispozicion, për të arritur qëllimin.

Ai përveç se ka luftuar në Çeçeni është treguar i pamëshirshëm në luftën në Siri, duke përdorur edhe helme kimike, si ndaj forcave ushtarake edhe civile.

Putini e kishte emëruar më 8 tetor, në ditën kur ndodhi shpërthimi i madh në urën e Krimesë, dhe dy ditë më pas, sipas Rel-it, filluan sulmet e panumërta raketore ndaj Ukrainës.

Image
Luftëtarë ukrainas duke sulmuar caqet e ushtrisë ruse

Shpejt dhe tmerrshëm

Pra, ekziston një frikë e mbështetur se Rusia tashmë është e gatshme, që t’i përdorë helmet kimike e biologjike, por edhe ato bërthamore, pasi një ushtarak i pashpirt si Surikov, nuk do të hezitojë të kërkojë aprovimin e një sulmi bërthamor...

Po ashtu Rusia në bashkëpunim me Bjellorusinë ka bërë një lëvizje të re taktike, duke lejuar futjen e trupave ruse. Kjo lëvizje ende nuk është interpretuar me saktësi, pasi nuk janë zbërthyer ende qëllimet, por gjithsesi ka të bëjë me rritjen e agresivitetit ushtarak ndaj Ukrainës, apo edhe me qëllim të rritjes së kërcënimit për vendet e NATO-s, me të cilat kufizohet ky shtet.

Veterani i ushtrisë britanike, nënkoloneli Stuart Crawford ka thënë për The Sun Online: “Nëse rusët vendosin të përdorin armët bërthamore, hakmarrja e Perëndimit do të jetë e shpejtë dhe e tmerrshme”. “Rusia do të pushonte së ekzistuari si një vend.”

Unë mendoj të pushojë së ekzistuari si një shtet, i tillë çfarë është, dhe që ai territor i pakufishëm, t’u lihet njerëzve që të jetojnë.

Ndërsa, një skenar i tretë, që parashikohet në Perëndim, është më i rrezikshëm edhe për ne, një luftë shumë më e përhapur dhe më masive.

Image
Nënkoloneli Stuart Crawford

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat