Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si festën e shenjtë të kombit shqiptar dhe duke rikujtuar tri ngjarje historike që, sipas tij, kanë rëndësi jetike për ekzistencën e kombit në liri.
Përmes një postimi në Facebook, Limaj ka përmendur 28 Nëntorin e vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, si dhe ngjarjet e vitit 1997, që lidhen me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke iu referuar kësaj date, Limaj ka veçuar edhe figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili kishte lindur më 28 Nëntor dhe që, sipas tij, personifikon Nëntorin e tretë të historisë shqiptare.
“Nëntori i dytë, kur në Vlorën historike u ringrit flamuri për të shpallur shtetin nga Ismail Qemali.
Dhe përfundimisht, me Nëntorin e tretë, i cili personifikohet me komandantin tonë legjendar Adem Jashari, i cili jo vetëm se pati ditëlindjen me këtë datë, por edhe shpalli veprën e tij më 28 Nëntorin e vitit 1997, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke shënuar faqet më të arta të historisë moderne”, ka shkruar Limaj.
Në fund të urimit, ai ka shprehur nderimin për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Lavdi dëshmorëve të kombit! Rroftë kombi shqiptar!”, ka përfunduar Limaj.