Sherifi i Nismës: Kur gënjeu Kurti!

Aktuale

Sherifi i Nismës: Kur gënjeu Kurti!

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 19:47
Anëtari i Nismës, Bilall Sherifi

Anëtari i Nismës, Bilall Sherifi, ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurit, lidhur me marrëveshjen e arritur për targa, mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Sherifit, Kurti ka thënë tjera fjalë përpara deputetëve të Kuvendit, dhe të tjera për gazetarin Michael Martens.

“Për të njëjtën çështje dy deklarata të ndryshme të cilat përjashtojnë njëra tjetrën. Tash, shtrohet pyetja kur ka gënjyer Kurti: në seancë të Kuvendit kur i “informoi” deputetët për arritjen e marrëveshjes apo në intervistën dhënë gazetarit Michael Martens!” ka shkruar Sherifi në Facebook.

Ky është postimi i plotë i tij:

Atyre që e kanë zgjedhë kryeministër, pra deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e Kuvendit që u mbajt pas arritjes së marrëveshjes, u tha se e pranoi marrëveshjen për targat të enjten dhe jo të hënën pasi që në marrëveshjen e të enjtes u përfshi edhe fillimi i diskutimit për planin Franko-Gjerman duke e prezantuar si fitore të madhe të tij përballë Serbisë dhe Borellit!

Ndërsa për gazetarin Michael Martens ka deklaruar që e ka pranuar marrëveshjen për targat pasi ambasadori amerikan Hovenier i ka dhënë informata mbi sigurinë, të cilat Kurti deklaron që nuk i ka pasur më herët!

Për të njëjtën çështje dy deklarata të ndryshme të cilat përjashtojnë njëra tjetrën. Tash, shtrohet pyetja kur ka gënjyer Kurti: në seancë të Kuvendit kur i “informoi” deputetët për arritjen e marrëveshjes apo në intervistën dhënë gazetarit Michael Martens!

Gjasat më të mëdha janë të ketë gënjyer gjatë “informimit” të deputetëve në seancën e Kuvendit, pasi që kjo nuk është hera e parë që Kurti më shumë informata jep përmes mediave të huaja sesa gjatë raportimeve në Kuvend!

Qasja e tillë e kryeministrit Kurti dëshmon mospërfilljen totale ndaj përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës! Është dëshmi që kryeministri Albin Kurti Kuvendin e Kosovës dhe deputetët i trajton në të njëjtën mënyrë siç i trajtonte dikur senatin dhe senatorët e Romës perandori famëkeq Kaligula!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat