Po ndodh një gjamë e madhe!

Aktuale

Po ndodh një gjamë e madhe!

Nga: Idriz Morina Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 18:55
Shqiptarët duke ikur sërish këtë vit, kryesisht në Britani të Madhe

Si të festojmë në këtë 110 Vjetor, të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë etnike. E dhimbshme teksa sheh se Shqipëria jote, thuajse nuk të ndien më, nuk të merr përsipër të ndash vuajtjet dhe gëzimet, dhe pas sa vitesh, me shumë gjasë pas 10 vitesh, fton formalisht deputetët që të mbajnë së bashku një takim solemn në Tiranë.

Një kujtesë e deformuar!

Nga e gjithë ajo që sheh, e dëgjon të mbetet në kujtesë, se disa nga deputetët nga Kosova që flasin në atë kuvendim të përbashkët, mundohen ta vijojnë retorikën e dekadave, por edhe paksa të një shekulli më parë. Mes tyre, ka që nuk harrojnë, që të mos i kujtojnë më meritorët, madje më madhështorët në politikbërjen shqiptare. Ibrahim Rugova u anashkalua nga folësit e vetëvendosjes, duke ia dhënë meritat të gjithë të tjerëve. Natyrisht në një Kuvend të udhëhequr nga socialistët nuk mund të prisje ndonjë gjë aq të mirë, por, për çudi, më i kujdesshëm u tregua Taulant Balla, sinonim i mbrojtjes së politikave të dështuara të Edi Ramës, se sa dyshja Konjufca-Kurti, duke ia njohur meritat kryesore Rugovës!

Madje nuk u dëgjua thuajse asgjë, as për Skënderbeun! Më meritorin për Flamurin – simbol të shqiptarizmës, dhe vetë datën 28 Nëntor, pasi po atë ditë me 1443 e ngriti flamurin në Krujë, e çliroi atë, dhe e ktheu në seli të mbretërisë shqiptare, që e udhëhoqi suksesshëm kundër superfuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane! Ndërsa, Kruja i mbijetoi pushtimit orman edhe për 10 vite të tjera!

Vetë Edi Rama madje, mori guximin t’i akuzonte pushtetet pas Pavarësisë, që jo veç se nuk ia njihnin meritën atyre burrështetasve, por mbi 40 prej tyre patën fund tragjik jete! Shumë prej tyre qenë të ndaluar të përmendeshin në komunizëm, për shkak të censurës. E kjo nuk duhet të na ndodhë nga autocensura!

Sidoqoftë nuk është kjo topika e çështjes, por se çfarë realisht po ndodh me Shqipërinë, shtetin, që nuk u krijua vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë londineze, por që është si krijim i të gjitha krahinave shqiptare, ku sot kanë mbijetuar dhe në shumë të tjera, janë asimiluar, si në Sanxhakun e Serbisë e të Malit të Zi në kinse boshnjak, në ‘Rekën e keqe” në Maqedoni në ortodoks maqedonas, në Greqi në grek ortodoks e gjetkë.

Image
Pamje nga mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve sot

Si mbijetoi Shqipëria

Kjo për shumicën e historianëve është e qartë. Po ashtu Shqipëria mbijetoi, në kriza, për shkak se shuarja e saj do të hapte konflikte të fuqishme, si në Kosovë-Dardani, Greqi e Mal të Zi. Askush prej tyre nuk kërkonte rritjen e forcës goditëse ndaj shtetit të tyre. Pra, përveç fakteve të tjera rrethanore të jashtme, mbrojtësit kryesor të Shqipërisë londineze ishin vetë shqiptarët rreth e rreth saj e sidomos Dardania-Kosova.

Por, për dallim që në këtë 110 vjetor të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, i bëjnë historianët bilancet e viktimave të luftërave të shqiptarëve, të dhunës masive, që çoi po në dëbime masive, si pasojë numri del jashtëzakonisht i lartë, kryesisht për shkak të dëbimit drejt Turqisë, aq sa numri në diasporë është shumë më i madh se sa në tokat shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi e Serbi, aktualisht po ndodhë një gjamë e madhe, po aq e keqe, e krahasueshme për nga largimi i shqiptarëve, me ato kohë tragjedish.

Shqipëria dhe Kosova, në dekadat e fundit kanë humbur nga braktisja më shumë se 3 milionë banorë së bashku. Natyrisht, që numri nuk ka të bëjë vetëm nga braktisja e atyre që ishin banorë rezident, por edhe me potencialin për rritje-shtim të popullsisë, sikur të kishte pasur një vazhdimësi normale të jetës, pra sikur të mos kishte braktise masive të të dyja shteteve.

Shqipëria sipas worldmetrics, duke iu referuar regjistrimeve zyrtare të deklaruara, në vitin 1990 kishte 3.286.073, pra gati 3.3 milionë banorë, ndërsa aktualisht Shqipëria ka 2.870.269 banorë, apo 415 mijë banorë më pak, se sa që kishte 32 vjet më parë. Atëherë ishte e radhitur si e 125 në botë për nga numri i popullsisë ndërsa, aktualisht është e 140-ta.

Po sipas këtyre të dhënave në vitin 1985, Shqipëria kishte regjistruar 2,969,672 banorë. Pra, më 1990, kishte regjistruar një rritje të popullsisë prej 316.401 banorë.

Nëse kjo shifër merret si mesatare e shtimit pesëvjeçar, Shqipëria mund t’i kishte, vetëm deri në vitin 2020, do të duhej të kishte edhe rreth 1.898 milionë banorë të tjerë. Në total, numri i popullsisë së Shqipërisë, sipas atij shtimi mesatar, do të duhej të ishte në 5.184 mijë veta.

Edhe nëse ky shtim i lart nuk do të ishte ndjekur, Shqipëria, mund të llogaritet se nga ajo popullsi prej 3.2 milionë banorë, do të duhej të kishte më shumë se 4.5 milionë banorë.

Kjo e bën të qartë se Shqipëria, ka humbur së paku 1.7 milionë banorë apo së paku një të tretën e popullsisë, përkatësisht mbi 37.7%. Sigurisht se me matje më të sakta duke iu referuar rënies së natalitetit, do të nxirreshin të dhëna shumë më të sakta nga demografët.

Image
Cerriku, qytet që po zbrazet

Bota po shtohet bindshëm, ne po tretemi!

Po ashtu edhe Kosova, që ka rënë në 1.6 milionë banorë, ndërsa do të duhej të kishte së paku 2.8 milionë banorë.

Por, është e qartë që përgjegjësinë kryesore e ka shteti, dështimi në qeverisje të vendit, duke marrë parasysh se shkak kryesor i ikjes nga vendi, janë pakënaqësitë me qeverisjen, humbjen e shpresës dhe perspektivës.

Numri i lindjeve është rreth 2.5 herë më i lartë në ditë në Indi, se sa në Kinë.

Aktualisht bota këtë vit është shtuar për mbi 121 milionë njerëz, ndërsa numrin më të lartë të shtimit në ditë besohet ta ketë India, mbi 800 fëmijë për gjysmë ore, duke e kaluar numrin total prej 1.413 308 190 banorëve.

Aktualisht ka një prej dendësive më të mëdha me popullatë për kilometër katror, e cila ka arritur në 464 veta për një km2.

Kina, me 1.452.767.207, në ora 18.10 minuta të ditës sotme, ndërkohë që rritja vijon, edhe pse ka numrin më të madh të popullsisë në botë, ajo ka një dendësi disa herë më të vogël se India, 153 banorë për km2.

Ndërsa, Shqipëria e ka një dendësi prej vetëm 105 veta për km2, pra 50% më të vogël se të Kinës, dhe 4 herë më pak të dendur se sa India.

Por, tashmë për shqiptarët, qeveritë dhe ‘mendjendriturit’ këshillëdhënës, ‘elita’ shqiptare, po mendon ta sjellë numrin e banorëve në Kosovë në 1.2 milion banorë. Sigurisht se edhe në Shqipëri po mendohet njësoj, ta sjellin diku në rreth 2 milionë banorë.

E nëse kjo po ndodhë me këtë qëllim, atëherë është e qartë, që po luftohemi ne shqiptarët, si racë, trashëgimtare e një prej racave më të pamposhtura të botës për më shumë se 10 mijë vjet!

Image
Rikthehet gjama e burrave!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat