Kush po e kërkon ‘kokën’ e prokurorit Maloku!?

Aktuale

Kush po e kërkon ‘kokën’ e prokurorit Maloku!?

Nga: Idriz Morina Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 22:05
Prokurori Rasim Maloku

Prokurori Rasim Maloku, vetëm në vitin 2019 ishte kërcënuar dy herë brenda dy javëve me vrasjen e tij dhe të familjes së tij, për shkak se si ishte duke e hetuar Xhabir Zharkun, ish-kryetarin e Kaçanikut dhe ndërtimet pa leje në Brezovicë.

Sipas raportimeve në media kërcënimi i ishte bërë prokurorit me një telefonatë nga Maqedonia, duke i kërkuar tekstualisht që ta lironte ish-kryetarin e Kaçanikut, Zharkun.

Kapja e “peshqve të mëdhenj”

Xhabir Zharku është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për korrupsion dhe për shpërdorim të detyrës zyrtare si Kryetari i komunës së Kaçanikut.

Zharku është arrestuar në dhjetor të vitit 2019 dhe ende është duke vazhduar procesi ndaj tij.

Prokurori Maloku u bë i njohur, me udhëheqjen e hetimeve tashmë trevjeçare në rastin “Brezovica”, i cili po konsiderohet nga hetimet më të mëdha, ku mund të goditen figura të ndryshme të krimit. Ish-ministra, deputetë, gjykatës, dhe një varg i tërë.

Deri më tash me urdhër të tij janë arrestuar rreth 40 veta, disa nga të cilët janë liruar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar miliona euro, mbi 100 vila, vetura etj.

Vetë prokurori Maloku ka bërë të ditur se vilat e sekuestrua së fundmi janë në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve.

Por, çfarë po ndodhë tani?

Kryeministri Albin Kurti, ndërsa ka numëruar një varg përgjegjësie nga hetuesit tek klinika e gjinekologjisë, ai ka thënë në mënyrë taksative: “I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”.

Sipas raportimeve të ditës së sotme, prokuror në rastin që përfundoi me vrasje, paska qenë prokurori Rasim Maloku.

Nëse goditet zinxhiri i atyre që dështuan në mbrojtjen e viktimës Hamide Magashit dhe foshnjës së saj, që priste të vinte sot në jetë, atëherë, koka e parë që mund të bie, do të jetë prokurori Rasim Maloku.

Autoritetet e prokuroriale mospërmbushjen e mbrojtjes së viktimës Magashi, e kanë shpjeguar si detyrë të policisë, që nënkupton dështimin e saj.

Është e paqartë tani të përshkruhen konsekuencat për të, nëse merret në përgjegjësi apo fillohet nga ai, por në mënyrë indirekte, thirrja është edhe për prokurorinë, por për shkak të mungesës së të drejtës për përzierje në drejtësi, mund të mos e ketë përfshirë në thirrje.

Ndërkohë, Qeveria, përkatësisht kryeministri Albin Kurti po kërkon përgjegjësi zinxhirore, ndërsa nuk e ka futur në listën e përgjegjësisë fare u.d.drejtoren e SHSKUK-së, në oborrin e së cilës ka ndodhur krimi, dhe po ashtu ushtruesen e detyrës së Ministres së Shëndetësisë, e cila nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike, dhe ka zgjedhur të qëndrojë jashtë përgjegjësisë, për mos shpëtimin e foshnjës.

Natyrisht që përgjegjësia e këtyre dy autoriteteve nuk lidhet me vrasjen, por me mospërpjekjen për shpëtimin e foshnjës, gjë që sipas gjinekologëve, është fenomen që njihet prej më se 21 shekujsh, kur nëna vdesë, provohet të shpëtohet fëmija.

Image
Viktima Hamide Magashi dhe dorasi i dyshuar Sokol Halili

Dyshimet

Pra, është një reagim dhe një përgjegjësi morale pas gjithë këtij reagimi eruptiv shoqëror, që u pa me protestën mjaft masive, dhe madje me tendencë të keqpërdorjes nga politika.

Po ashtu, sa i përket të ashtuquajturit ‘zinxhir i përgjegjësisë’, mediat kanë publikuar se si prej tetë muajsh Ministria e Financave, i ka injoruar kërkesat e Qendrave për Punë Sociale, duke refuzuar edhe t’i dëgjojë ato.

“Në emër të Lidhja e Qendrave për Punë Sociale Kosovë si kryetar i saj dhe më kërkesë të kabinetit të Ministrit Murati i kemi adresuar një letër me pasqyrimin e situatës në shërbimet sociale në QPS-të e Kosovës para disa muajsh. Pas 8 (tetë) muajsh Ministri nuk ka pasë kohë të takohet e t’i diskutojmë këto tema. Adresimi e gjetja e zgjidhjeve duhet të bëhet me veprime e vendime konkrete e jo me deklarata në FB”, ka thënë Kryetari i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale, Blerim Shabani.

Nëse ndodhë shkarkimi i prokurorit Maloku, atëherë edhe hetimet duhet të drejtohen edhe në pista të tjera, të përfshirjes së palëve të treta apo të një grupi interesi, që shpreson ta shmang drejtësinë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat