Krasniqi në Hagë flet rreth persekutimit të anëtarëve të LDK-së

Aktuale

Krasniqi në Hagë flet rreth persekutimit të anëtarëve të LDK-së

Më: 5 prill 2023 Në ora: 10:56
Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat për të cilat po akuzohet nga Gjykata Speciale në Hagë.

Krasniqi ka thënë se nuk e kupton logjikën e aktakuzës ndaj tij. Ish zëdhënësi i UÇK-së ka thënë se ndaj popullit shqiptar në Kosovë vazhdimisht është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime dhe askush nuk mund të thotë se ai ka bërë ndonjë nga këto krime.

“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme ndaj meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime. Unë e urrej dhunën, burgosjet, torturat, dënimet jo vetëm se janë ushtruar ndaj popullit tonë e ndaj meje, por i konsideroj të ulta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën le të ju thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vrasje, burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdoqoftë”, ka thënë Krasniqi ndër të tjera.

A ka folur edhe për akuzat se ka marrë pjesë në persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Krasniqi ka thënë se edhe vet ka qenë pjesë e LDK-së dhe aty ka pasur edhe familjarë e bashkëluftëtarë.

Andaj, Krasniqi thotë se vetëm një “mendje e çoroditur” mund të mendojë se ai ka marrë pjesë në persekutimin e bashkëluftëtarëve e familjarëve të tij.

“Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhova në strukturat e LDK-së në Drenas. Në atë kohë LDK angazhohej që të organizonte një sistem paralel të jetës funksionale politike në Kosovës.

Si kuadër LDK-së në vitet në vijim kam udhëhequr Këshillin e Financave në Drenas dhe kam qenë edhe kryetar i Këshillit për Arsim dhe kryetar i degës, funksion që më mbante në kontakt me strukturat udhëheqëse.

Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar anëtarët e LDK-së. Unë vet isha pjesë e LDK-së. Familjarët e bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm në një mendje të çoroditur mund të ketë lindur ideja se unë mund të jem pjesë e persekutimit të familjarëve të mi, të bashkëluftëtarëve të mi”, tha Krasniqi ndër të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat