DASH i kërkon Vuçiqit lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi

Aktuale

DASH i kërkon Vuçiqit lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 20:14
Departamenti amerikan i Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit, i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, DASH-i tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese".

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

“Në të dyja rastet, është shumë e qartë se këta policë nuk kanë pasur qëllim të hyjnë në Serbi dhe ata duhet të lirohen”, tha të premten i dërguari amerikan për Ballkanin Perëdimor, Gabriel Escobar në një konferencë telefonike me gazetarë.

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Me 1 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Kosovës dhe Serbisë organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e qartë të partive serbe në ato zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tensionet janë të larta në veri të Kosovës që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s nga përleshjet me protestuesit serbë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme atje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat