QKRMT: Të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale

Aktuale

QKRMT: Të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 12:01
QKRMT

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Në tryezën "E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë", organizatat e licensuara kanë folur për shqetësimet e të mbijetuarve dhe stigmën me te cilën po ballafaqohen.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se nuk duhet të kufizohet afati për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

"Krimet e luftës nuk parashkruhen, aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuara. Rreth 1500 burra aktualisht marrin pensionin, po ka edhe shumë gra e burra që janë të stigmatizuara. Ky afat ka krijuar një vakum ligjor. Mendojmë që është shumë nevojshme që ky afat të mos kufizohet", ka thënë ajo.

Drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj u shpreh e zhgënjyer me afatin e caktuar.

"Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer me këtë afat, kemi pritur me shumë vite, dhe pas 24 vjetëve po duhet të ballafaqohemi për kërkimin e zgjatjes së afatit për aplikim. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë. Mendoj që edhe dy vjet afati është shumë i vogël, për arsyeje se ne vetëm në vitin 2018 kemi filluar, është vështirë identifikimi dhe paraqitja fizike pranë komisionit", ka shtuar ajo.

Edhe drejtoresha e "Medica Kosova", Veprore Shehu tha se ky afat nuk mjafton që gratë të sfidojnë mentalitetin të familjes dhe shoqërisë.

"Me këtë proces që kemi filluar të njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, kemi hapur rrugë që të flasin gratë dhe që një nevojë për njohje të tillë institucionale, ka ndikuar që gratë ta marrin këtë hap. Konsideroj se shumë gra kanë ngel akoma në dilemën e qasjes në këtë proces. Pavarësisht qe jemi në një vakuum, jemi në pritje të amendamentimit të ligjit, kemi pritur vite të tëra që të fillojmë me këtë proces, të fuqizojmë gratë dhe nuk duhet të presim më tepër", ka shtuar ajo.

Në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Duda Balje deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat