Minatorëve të “Trepçës” iu del gjysma e rrogës së qershorit

Aktuale

Minatorëve të “Trepçës” iu del gjysma e rrogës së qershorit

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 16:33
Minatorët në minierën e Stantërgut. Fotografi nga arkivi.

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë hyrë në grevë më 12 korrik. Kreu i sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, tha për Radion Evropa e Lirë se greva ka nisur për shkak se atyre nuk u ka dalë paga e muajit qershor.

Ai tha se 300 punëtorë të ndërrimit të parë kanë mbajtur grevë të mërkurën.

“Greva ka filluar nga vetë punëtorët, por edhe Sindikata i përkrah kërkesat e tyre si kërkesa legjitime dhe të pamohueshme. Tani jemi në ndërrimin e dytë. Në bazë të informacioneve që kemi, tani është realizuar paga me 50 për qind. Jemi në pritje të punëtorëve se çfarë vendimi do të marrin ata”, tha Jonuzi.

Sipas tij, përveç mosrealizimit të pagës, punëtorët kanë edhe pakënaqësi të tjera për të mbajtur grevë.

“Pas komunikimit me punëtorët, ata kanë pasur edhe arsye të tjera sikurse mungesa e kushteve elementare, sigurimi shëndetësor, borxhi i madh ndaj punëtorëve në Trustin Pensional”, tha Jonuzi.

Sipas Januzit, menaxhmenti i kombinatit ka arsyetuar mosekzekutimin e pagave me mungesën e mjeteve financiare. Po ashtu, sipas Januzit, menaxhmenti po ankohet se nuk ka prodhim të mjaftueshëm, por sindikata, sipas tij, vlerëson se ka keqmenaxhim të kombinatit dhe mungesa e investimeve.

Pagat e punëtorëve në “Trepçë” sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë prej punëtorëve nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

“Trepça” pritet që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat