​"T’gjithë n’përfshirje”, kërkohet respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Aktuale

​"T’gjithë n’përfshirje”, kërkohet respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 15:21
Bashkimi Evropian dhe UNICEF kanë lansuar fushatën

Bashkimi Evropian dhe UNICEF kanë lansuar fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për barrierat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara. Përmes kësaj fushate, e cila do të zgjasë 22 muaj, bëhet thirrje për realizimin e të drejtave të tyre.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është zbuluar një instalacion në formë ‘nyje-lëmsh’ përmes së cilit tregohen sfidat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara.

I hapur për publikun për një javë në qendër të Prishtinës, ky instalacion do të shërbejë si një platformë e dukshme dhe e fuqishme për prindërit dhe fëmijët për të kërkuar ndryshim dhe për ta promovuar përfshirjen brenda komuniteteve të tyre.

Zëvendësministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, tha se si qeveri kanë për qëllim realizmin e të drejtave të fëmijëve derisa shtoi se gjatë këtij mandati do të rrisin numrin e asistentëve për këta fëmijë.

"Sot po flasim për fëmijët me nevoja të veçanta që kjo nyje që mund të zgjidhet falë mirëkuptimit, angazhimit dhe vullnetit tonë kolektiv. Ky lëmsh është i lidhur me mirëkuptime që ua shkurton fëmijëve mundësitë për rritje, arsimin dhe plotësimin të personaliteteve të tyre. Zgjidhja e kësaj nyje, e këtij lëmshi, është një varg veprimesh të përbashkëta që fillon kur heqim dorë nga stereotipat…Ne si qeveri e Kosovës do të duhet të mbushim të gjitha të drejtat njerëzore dhe sidomos respektimit të drejtave të fëmijëve në invaliditet. Kemi angazhuar 160 asistentë për fëmijët në fjalë dhe 300 të tjerë janë në proces e sipër. Gjatë këtij mandati do të arrijmë dhe numrin më të lartë...dhe me përkrahjen e familjeve përmes pagesave mujore 2921 fëmijë që kanë pengesa afatgjate në zhvillim", tha Rexhepi.

Pjesë e lansimit të kësaj fushate ishte edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Johannes Madsen, i cili tha se ligji për mbrojtjen e fëmijëve u miratua në qershor të 2019 por sipas tij zbatimi dhe miratimi i akteve nënligjore po përballen me pengesa.

“Ne në BE mbështesim shumë projekte në fushën e të drejtave të njeriut, por për të siguruar ndikim të qëndrueshëm do të donim pronësi dhe vazhdimësi të mbështetjes së grupeve të cenueshme në nivelin qendror dhe lokal. Siç e dini prej jush ligji për mbrojtjen e fëmijëve u miratua në qershor 2019 por zbatimi dhe miratimi i akteve nënligjore po përballen me pengesa. Shpresoj se qeveria dhe partneriteti ynë me UNICEF-in do të ndihmojë për krijimin e një momentumi pozitiv për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe akteve nënligjore të ndërlidhura…Konsiderojmë se skema financiare duhet t'i përgjigjet nevojave të fëmijëve dhe familjeve të cenuara që kanë nevojë për mbrojtje sociale që përfshijnë fëmijët pa kujdesje prindërore, ata të dhunës në familje, trafikimit dhe shfrytëzimit, fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha Madsen.

Ndërkaq, shefja e zyrës së UNICEF në Kosovë, Nona Zicherman, theksoi se nga anketat e bëra nga kjo organizatë del se rreth 40 për qind e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara përmendin mentalitetin e shoqërisë si barrierën kryesore me të cilën përballen.

“15 për qind të popullsisë së botës, të paktën një miliardë njerëz kanë një lloj aftësie të kufizuar, qoftë nga lindja apo të marrë më vonë gjatë jetës. Pothuajse 240 milionë prej tyre janë fëmijë, dhe adoleshentët me aftësi të kufizuara janë të cenueshëm nga përvojat e ndryshme. Jetojnë në çdo komunitet dhe lindin ose pësojnë dëmtime në lidhje me rrethin që qon në vështirësi funksionale si shikimi, ecja, komunikimi, kujdesja për vetën apo krijimi i miqve...Pavarësisht se cila është historia e tyre çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë, të zhvillohet, të arsimohet dhe të përfshihet...Në anketat e kryera nga UNICEF-i pothuajse se 40 për qind të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara përmendin mentalitetin e shoqërisë si barrierën më të madhe me të cilën përballen. 22 për qind përmendin mungesën e përfitimeve në para, 14 për qind mungesën e shërbimeve adekuate, 14 për qind për mungesën e legjislacionit dhe politikave gjithëpërfshirëse”, tha Zicherman.

Po ashtu edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj u zotua se kanë në fokus përmirësimin e të kushteve dhe të drejtave për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Këta fëmijë përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë tonë por ende sot në shumë raste shumë prej tyre mbeten më margjina për shkak të diskriminimeve në të cilat përballen. Qytetet dhe kryeqytete e kanë një detyrim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar gëzimin e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të të gjitha të drejtave të tyre të njeriut. Në këtë kontekst ne po punojmë dhe dëshiroj t’i theksoj disa prej veprimeve tona në mënyrë që jetë e tyre të përmirësohet. Ne kemi ndërtuar një qendër të re të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe e cila do të jetë në shfrytëzim të shoqatave të autizmit Doën Sindrom , për të cilën jemi krenare. Gjithashtu po ndërtojmë edhe forma të tjera që fëmijët të kenë qasje në shërbimet publike por edhe në hapësirat publike, është fokus i joni”, tha Zogaj.

Ndërsa 13 vjeçja në karrocë, Asra Kerveshi, përmendi mungesën e qasjes, hapësirave për karroca në rrugë dhe mungesën e sigurimit të transportit, për çka tha se janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat ajo përballet çdo ditë.

"Sfidat e mija si një vajzë me karrocë janë të shumta, por dua t'i cek vetëm disa prej tyre si në vazhdim. Sfida e parë është mungesa e qasjes, unë edhe pse jam në shkollë mungesa e qasjes në shkolla është e madhe, për shembull nëpër kabinete unë nuk mund të marr pjesë për shkak se nuk kam qasje asnjëherë. Sfida tjetër është mungesa e hapësirave për karroca në rrugë, mua më duhet ngas për çdo ditë karrocën time bashkë veturat në të njëjtën rrugë. Sfida e radhës është mungesa e sigurimit të transportit për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, neve na duhet t'i pengojmë prindërit tanë apo familjarët nga puna e tyre vetëm për të na dërguar aty ku ne kemi nevojë", tha Kerveshi. 

Fushata, e cila do të zgjasë 22 muaj në 4 komuna dhe online në mbarë Kosovën, do te avokojë për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara me fokus të veçantë në rritjen e qasshmërisë në hapësirat publike, zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse dhe luftimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat