Kryeministri Kurti: Vepra e Noel Malcolm ndihmoi për të vërtetën historike për Kosovën

Aktuale

Kryeministri Kurti: Vepra e Noel Malcolm ndihmoi për të vërtetën historike për Kosovën

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 22:40
Pamje nga vendi i ngjarjes

Libri “Kosova: një histori e shkurtër”, ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, qoftë akademik apo politik, në raport me të vërtetën historike për Kosovën, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në premierën e filmit dokumentar kushtuar veprës së Sir Noel Malcolm.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart kontributin e Sir Noel Malcolm dhe librin e shkruar për Kosovën, pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare, në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanologjike.

Nëpërmjet kësaj vepre, mund të flitet për një linjë të veçantë pikëpamjeje dhe interpretimi racional ndaj historisë së Ballkanit, tha Kryeministri.

Duke vlerësuar lart figurën e tij, kryeministri tha se ishte nder dhe kënaqësi prania e sotme e Sir Noel Malcolm në Kosovë, i cili e kishte menduar ta shkruante këtë libër për publikun perëndimor, me idenë që të rrëfente dhe sqaronte duke shpjeguar, e të shpjegonte duke dokumentuar dhe argumentuar për Kosovën, e cila ndodhej në prag të luftës.

"Dhe vërtet ky libër ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, qoftë akademik apo politik, në raport me të vërtetën historike për Kosovën. Aq më tepër që “Kosova: një histori e shkurtër”, u shkrua pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare, në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanologjike. Nëpërmjet kësaj vepre, mund të flitet për një linjë të veçantë pikëpamjeje dhe interpretimi racional ndaj historisë së Ballkanit”, u shpreh kryeministri.

Me mbresat më të mira nga dokumentari për të dhe me vlerësimet më të larta për veprat e tij historiografike, Kryeministri Kurti falënderoi Sir Noel Malcolm, dhe i uroi shumë shëndet dhe mbarësi në punët akademike.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar Sir Noel Malcolm,
E nderuar ministre Gërvalla,
Ministra Çeku dhe Nagavci,
I nderuar Ambasador Mal Berisha,
I nderuari akademik, profesor Rexhep Ismajli,
I nderuar drejtor i Bibliotekës Kombëtare, z. Fazli Gajraku,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Si një njeri i cili e ka shumë për qejf filmin dhe kinematografinë, e di që është shumë e vështirë të flasësh pasi që duhet t’i drejtohem një publiku i cili posa ka parë një film. Sidomos një film në të cilin është dokumentuar vepra e historianit dhe gazetarit Sir Noel Malcolm, me episodin e dytë,  sepse ka një para kësaj dhe një më pas, e profili i të cilit është po kaq mahnitës sa edhe vepra e tij e shkruar. Megjithëkëtë kam kënaqësinë të ju drejtohem në këtë mbrëmje, duke dashur të ndajë me ju një episod besoj të veçantë.

Në mes të qershorit të vitit 1999, kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, mes mijëra fotografish që janë bërë në ato ditë të çlirimit të Kosovës, një ushtar norvegjez i KFOR-it, Kenneth Andresen, e shkrepi një fotografi që mbase edhe nuk ka marrë shumë vëmendje, por të cilën edhe e përmendi Daut Dauti në këtë film. E kam fjalën për fotografinë në të cilën shihet një ushtar britanik, i ulur diku në Prishtinë, duke e lexuar librin “Kosovo: A Short History” (“Kosova: një histori e shkurtër”), i shkruar nga Sir Noel Malcolm.

Unë i kërkova stafit tim që ta shtypin dhe ta vendosin në një kornizë këtë fotografi, për ta shikuar bashkërisht dhe për t’ia dhuruar zotit Malcolm, sepse në pikëpamjen time, kjo fotografi e ka fiksuar në një pamje, leximin e historisë dhe bërjen e historisë njëkohësisht. “Reading history and making history” – do të mund të titullohej pra kjo fotografi, në të cilin ushtari britanik po e lexon historinë e Kosovës, teksa edhe po e bën historinë e Kosovës, duke u angazhuar për çlirimin dhe paqen në vendin tonë që sapo kishte kaluar një luftë të ashpër dhe gjenocid për shkak të okupimit e agresionit të Serbisë.

Vetëm pak ditë para se të bëhej kjo fotografi, libri “Kosova: një histori e shkurtër”, ishte ribotuar për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, pasi që fillimisht ishte botuar në vitin 1998 e autori Sir Noel Malcolm, që sonte e kemi kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm që ta mirëpresim në Kosovë, në Prishtinë e të jetë këtu mes nesh, e kishte menduar ta shkruante këtë libër për publikun perëndimor, me idenë që të rrëfente dhe sqaronte duke shpjeguar, e të shpjegonte duke dokumentuar dhe argumentuar për Kosovën, e cila ndodhej në prag të luftës.

Dhe vërtet ky libër ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, qoftë akademik apo politik, në raport me të vërtetën historike për Kosovën. Aq më tepër që “Kosova: një histori e shkurtër”, u shkrua pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare, në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanologjike. Nëpërmjet kësaj vepre, mund të flitet për një linjë të veçantë pikëpamjeje dhe interpretimi racional ndaj historisë së Ballkanit. Vetë unë, shpesh ua kam sugjeruar këtë libër si miqve të mi ndërkombëtarë, po ashtu edhe aktivistëve e kolegëve në Kosovë.

Dhe kur më rastis të takoj e të bisedoj më thellë me diplomatë e politikanë të ndryshëm të huaj, e di që ato biseda edhe më herët edhe më vonë bëhen nëpër kancelaritë ndërkombëtare, mua më duket që edhe kur kemi paqe zhvillohet një betejë. Por kjo betejë nuk është midis njerëzve por është midis librave. Dhe aq shpesh më bjen në mend sepse më duket që është betejë midis librave të Sir Noel Malcolm, pra Kosova dhe Bosnja një histori e shkurtër, dhe në anën tjetër një libër tjetër, që unë besoj humb betejën, “Balkan Ghosts” i Robert Kaplan.

Prej kur u botua, libri “Kosova: një histori e shkurtër”, e fitoi epitetin e një vepre kyçe referenciale, për këdo që dëshiron të njihet më gjerë dhe më thellë me historinë e Kosovës. Që nga atëherë e deri tash, Sir Noel Malcolm vetëm sa është thelluar edhe më shumë në studimet e tij mbi tema të historisë, duke botuar tekste të tjera për Pjetër Bogdanin, për fisin Kelmendi, për Kriptokrishterimin, për Ali Pashë Tepelenën e të tjera. Kurse së fundmi, mora vesh që edhe libri “Useful Enemies” pra “Armiq të dobishëm” është përkthyer në shqip dhe së shpejti pritet të botohet këtu në Prishtinë.

Megjithatë, në shijet e mia, nga librat tuaj, më së shumti e kam pëlqyer “Agjentë perandorakë”, dhe mezi pres ta shoh atë episodin tjetër të filmit dokumentar për familjet shqiptare Bruti dhe Bruni në botën mesdhetare të shekullit të XVI. Një studim i thellë dhe i detajuar, siç është “Agjentë perandorakë”, për përfshirjen dhe rolin e shqiptarëve në zhvillimet politike dhe historike në mes të Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut në gjeopolitikën e Mesdheut të para 500 viteve, dhe mendoj që e bën këtë libër një vepër shumë të veçantë, sepse mbase analoge të shekullit XXI, me veprën “Mesdheu” të Fernand Braudel në shekullin e XX.

Me mbresat më të mira nga dokumentari për ju dhe me vlerësimet më të larta për veprat tuaja historiografike, Sir Noel Malcolm, mbesim plot kuriozitet edhe për të tjera studime historie prej jush. Duke ju dëshiruar shumë shëndet dhe mbarësi në punët tuaja akademike, ju faleminderit shumë. Ju faleminderit sa s’ka.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat