Prokurori thotë se provat vërtetojnë se Mustafa me qëllim shkaktoi lëndime të rënda ndaj viktimave

Aktuale

Prokurori thotë se provat vërtetojnë se Mustafa me qëllim shkaktoi lëndime të rënda ndaj viktimave

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 07:53 Përditësuar në ora: 17:53 më 27.10.2023
Salih Mustafa

Apeli në çështjen ndaj Salih Mustafës do të marrë vendimin në moment të përshtatshëm

Ka përfunduar seanca e Apelit ndaj Salih Mustafës dhe së Trupi gjykues i Apelit tha se do ta marrin vendim në një moment të përshtatshëm.

“Trupi i Apelit do të japë vendimin e vetë në një moment të përshtatshëm”, tha kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklaratës së Salih Mustafës ku u shpreh se ndjehet i pafajshëm, trupi gjykues nuk pati pyetje për të.

Po ashtu, trupi gjykues obligoi palët në këtë çështje gjyqësore që t’i dorëzojnë parashtrimet e tyre jo më larg se dita e mërkurë e javës së ardhshme.

Para se të dëgjohej deklarata e Mustafës, mbrojtja e tij përmes avokatit Julius Von Bone tha se sa i përket përcaktimit të dënimit, ligj i zbatueshëm përkatës në atë kohë ishte Kodi Penal i Jugosllavisë.

Sipas Von Bone ky kod parashihte që ndëshkimi më burgim nuk mund të jetë më i gjatë se 15 vjet dhe se një dispozitiv tjetër ishte se gjykatat mund të përcaktojnë dënim me burgim prej 20 vjet për vepra penale të cilat dënimi me vdekje mund të parashikohet.

“Tani po kaloj tek pjesa e përcaktimit të dënimit, ligji i zbatueshëm përkatës në atë kohë ishte neni 48 i Kodit Penal të Jugosllavisë. Ky ligj paraqiste në dispozitën 1 siç vijon; ndëshkimi me burgim nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë dhe jo më i gjatë se 15 vjet. Dispozita 2 i të njëjtit nen thotë se; gjykata mund të caktoj ndëshkim ‘dënim me burgim’ me 20 vjet burgim për vepra penale për të cilat dënimi me vdekje parashikohet. Krimi këtu në këtë rast do të kishte përmbush kushtet e dënimit me vdekje:, tha Von Bone.

Madje, Von Bone shpjegoi edhe rregulloret e UNMIK-ut që sipas tij kanë ekzistuar atë kohë dhe dënimet maksimale për vepra që më parë për to shqiptohej dënim me vdekje.

“Megjithatë, me shfuqizimin e dënimit me vdekje përmes rregullores ‘24’ të UNMIK-ut, neni 12 i rregullores thotë se dënimi me vdekje është hequr dhe rregullorja ka hyrë në fuqi me 10 qershor 1999. Hapi  në vijim ishte që rregullorja u ndryshua, rregullorja e re që hyri në fuqi ishte rregullorja 2000/59 e datës 27 tetor 2000, neni 1.5 i rregullores së mëparshme mbeti në fuqi. Megjithatë, u fut një nen i ri, neni 1.6 i cili parashihte dënimin maksimal prej 40 vitesh burgim për veprat që më parë dënoheshin me dënim me vdekje”, tha Von Bone.

Sipas Von Bone, Kodi Penal i Republikës Socialiste-Federative Jugosllave ishte baza ligjore për të caktuar dënimin që ishte maksimum 15 vjet për vepra penale të kryera përpara datës 27 tetor 2000

“Pjesa 4 e kësaj rregullore të UNMIK-ut parasheh një dispozitë të përkohshme që ka të bëjë me këtë rregullore; kjo hyn në fuqi pastaj me 27 tetor 2000 dhe saktëson se pjesa e re 1.6 zbatohet për veprat penale që janë kryer pas datës 27 tetor 2000. Për rrjedhojë, duke mbajtur parasysh parimin e ndalimit retroaktiv të Kodit Penal nuk kishte asnjë bazë ligjore për të caktuar dënimin maksimal për vepra penale të kryera para datës 27 tetor 2000 dhe rrjedhimisht Kodi Penal i Republikës Socialiste-Federative Jugosllave ishte baza ligjore për të caktuar dënimin që ishte maksimum 15 vjet për vepra penale të kryera përpara datës 27 tetor 2000.

Mustafa deklarohet i pafajshëm: I sigurt që Prokuroria i ka provat dhe e di se nuk është ashtu

Në seancën e sotme të Apelit, gjatë deklarimit të tij Salih Mustafa ka thënë se ndjehet i pafajshëm për veprat për të cilat është dënuar nga Gjykata Speciale.

Në deklarimin e tij, Mustafa tha se ndihet moralisht edhe praktikisht i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

“Unë kisha me thënë që edhe praktikisht edhe moralisht nihna i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata me ka shpallë të fajshëm, për shkak se jam i bindur që absolutikisht asnjë vepër për ato çka m’i ka ngarku prokuroria që tri vite nuk i kam konsomu”, tha Mustafa.

Ai tha se është i sigurt që Zyra e Prokurorit të Specializuar e din saktë që nuk është ashtu dhe se realiteti se si ka ndodhur gjatë viteve 1999 është ndryshe.

“Unë jam shumë i sigurt që prokuroria i ka të gjitha provat edhe e din saktë që nuk është ashtu dhe nuk është afër as edhe një për qind të atij realiteti që ka ndodhë gjatë vitit 1999’, tha Mustafa.

Ai u shpreh i bindur se prokuroria me dashje i ka vendosur të gjitha argumentet me ‘kokë poshtë’.

“Unë jam i bindur që prokuroria me dashje të gjitha argumentet i ka vendos me kokë të poshtë duke mos i pa prej deklaratave fillestare të vetë deshmitarëve të prokurorisë e deri tek marrja e vendimit të trupit gjykues”, tha Mustafa..

Tutje, Mustafa tha se beson në drejtësi dhe se nuk ka diçka tjetër të shtojë.

“Prandaj nuk kam diçka tjetër. Kam besim në ju. Unë jam shumë i sigurt që moralisht dhe praktikisht jam i pafajshëm.

Von Bone: ZPS tregoi listë të burgosurish që nuk vlen asgjë, lidhja e saj me Salih Mustafën nuk u vërtetuaNë parashtrimet e saj shtesë, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone tha se dokumenti i cili ishte paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e që mbante një listë të të burgosurve nuk vlen asgjë në këtë çështje.

Von Bone tha se ky dokument nuk tregon se ku janë mbajtur njerëzit e ndaluar.

“Prokuroria tregoi një dokument, një listë të burgosurish e pamë atë dhe ky dokument në fakt çka do që të jetë vlera e tij, nuk vlen asgjë. Nuk vlen asgjë në këtë çështje se ky dokument nuk tregon fare se ku janë mbajtur njerëzit e ndaluar dhe për më tepër nuk tregon asgjë lidhur me lirimin e ndonjë nga personat e renditur në atë listë apo që është i rëndësishëm në këtë çështje”, tha Von Bone.

Avokati Von Bone tha se lidhja e Salih Mustafës me këtë dokument nuk është vërtetuar kurrë.

“Ky dokument ishte pjesë e një parashtrimi, në dosje, në atë dosje në faqe tjera ka pasur disa poshtëshënime dhe në atë poshtëshënim shihej i shkruar emri i një personi që quhej Cali. Tani ajo që ka ndodhur është se Prokuroria vuri bashkë ato dokumente edhe tha e shihni ky është përgjegjës, ky është i lidhur me këtë dokument. Në fakt një lidhje e tillë nuk është vërtetuar asnjëherë në asnjë moment, as nga ZPS-ja dhe as trupi gjykues në aktgjykimin e tij”, tha Von Bone.

Mbrojtja e Mustafës tha se shembujt që dha ZPS lidhur me çështjen e shkakësisë janë supozime që janë bërë në të njëjtën mënyrë nga trupi gjykues. Von Bone theksoi se për pohimet që janë bërë në këtë aspekt nuk ka asnjë provë.

“ZPS bën parashtrime lidhur me çështjen e shkakësisë duke paraqitur jurisprudencë të gjerë lidhur me këtë çështje. megjithatë,  shembujt që dha ZPS lidhur me këtë çështje janë prezumime, supozime që janë bërë edhe në të njëjtën mënyrë nga trupi gjykues. Shembull se viktima mund të ketë qenë në ruajtjen e Salih Mustafës është supozim. Nëse ka pasur kontakt në mes Salih Mustafës dhe viktimës, edhe këtu është supozim që ai pra, personi i ndaluar është lënë apo braktisur në prag të vdekjes apo për të vdekur. Për të bërë një pohim të tillë nuk ka asnjë provë në dosjen e lëndës është thjeshtë supozim”, tha Von Bone.

Von Bone në parashtrimet e tij thekson se çështja nëse viktima e vrasjes u lirua apo jo me vendun të të akuzuarit ishte nga vendimi i të akuzuarit është thjeshtë supozim dhe bazohet në spekulime.

“Refuzimi që ai të lirohet është supozim. Refuzimi për të mosliruar dikë, tregon veprim pozitiv nga dikush me qëllim që të bëhet një vlerësim nëse ai person duhet liruar ose jo. E vetmja gjë që dijmë është që persona të caktuar janë liruar  dhe persona që kanë dëshmuar këtu në gjykatë kanë shkuar në vende të tjera dhe nuk kanë pasur kontakt të mëtejshëm me këtë person. Pra, çështja nëse viktima, viktima e vrasjes në këtë çështje u lirua apo jo dhe kjo do të ishte te vendimi i të akuzuarit është thjeshtë supozim dhe bazohet në spekulime”, tha avokati mbrojtës i Salih Mustafës.

Pues: Viktimat shpresojnë që ky është hapi i parafundit për t’i dhënë fund dhimbjes së tyre

Në seancën e sotme të Apelit, mbrojtja e viktimave përmes avokates Anni Pues ka prezantuar parashtrimet e veta lidhur me përcaktimin e dënimit ndaj Salih Mustafës.

Pues ka thënë se viktimat që marrin pjesë në këtë çështje gjyqësore shpresojnë që ky është hapi i parafundit për t’i dhënë fund dhimbjes së tyre.

Viktimat që marrin pjesë në këtë çështje gjyqësore, shpresojnë që kjo seancë të jetë hapi i parafundit për t’i dhënë fund dhimbjes së tyre. Kur filloi ky gjykim, unë theksova se për shumë kohë kanë pritur viktimat që të drejtësia të vihet në vend, ndërkohë tani shpresojnë që të arrijmë në një pikë ku fundi është i dukshëm”, ka thënë Pues.

Lidhur me vdekjen e viktimën e vrasjes, avokatja Pues tha se faji i takon Salih Mustafës.

“Faji i takon Salih Mustafës. Rrezikimi ishte i qartë evakuimi i Zllashës, evakuimi i vendbanimit i kompleksit në Zllash ishin që të mbroheshin personat aty në Zllash dhe në qoftë se ju lini një situatë të tillë persona të lënduar rëndë dhe nëse këta persona vriten më pas nga plumba serb, kjo në vetvete nuk përbën një ngjarje të re që mund të shkëpus zinxhirin e shkasisë dhe nuk mund të zbeh atribuuimin penal të zotërit Mustafa në këtë çast”, ka thënë mbrojtja e viktimave përmes avokates Anni Pues.

Pues ka shtuar se Mustafa e dinte që po të lihej viktima në atë gjendje do të çonte në vdekjen e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Salih Mustafa e dinte dhe padyshim që e parashikonte se po të lihej viktima e vrasjes në atë situatë, në atë vend, pa dyshim që do të çonte në vdekjen e tij”, ka shtuar Pues.

Tutje, Pues është shprehur se për viktimat e tërthorta në këtë çështje është e rëndësishme që të kenë njohuri se personat e tyre të dashur nuk kanë qenë vetëm viktima të torturës, por që humbja e jetës së viktimës së vrasjes ka ardhur si rezultat i vrasjes. 

Prokurori thotë se provat vërtetojnë se Mustafa me qëllim shkaktoi lëndime të rënda ndaj viktimave

 Sot gjatë seancës së Apelit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka filluar prezantimin e parashtrimeve të veta lidhur me përcaktimin e dënimit ndaj Salih Mustafës.

Prokurori tha se provat vërtetojnë se Salih Mustafa me qëllim shkaktoi lëndime të rënda ndaj viktimave me dijeni së mund të çonte në vdekje.

“Në qoftë se provat nuk e vërtetojnë këtë, atëherë ju gjykatës duhet ta keni parasysh përkufizimin e synimit.  Sipas nesh; provat në mënyrë të prerë vërtetojnë se zotri Mustafa të paktën në mënyrë të qëllimshme shkaktoi lëndime të rënda me dijeni se kjo mund të çonte në vdekje.

Ka disa faktorë të aktgjykimi të cilat mund të nxjerrët në atë deduktim është prania e z. Mustafa në atë kompleks, kompleksi ishte i vogël, pjesëmarrja e tij e drejtpërdrejtë në keqtrajtimin  të burgosurve të tjerë përfshirë përdorimin e armëve të zjarrit, përdorimin e armëve të bejsbollit”, tha prokurori.

Sipas prokurorit, nëse provat nuk mund të përcaktojnë se Mustafa kishte për synim për të shkaktuar lëndim të rëndë, ai logjikisht mund ta kishte ditur se veprimet ose mosveprimet të çonin në vdekje.

“Duhet të vlerësonin faktin se synimi i z Mustafa nuk mund të deduktohet në asnjërin prej këtyre kritereve. Me fjalë të tjera trupi gjykues konstatoi se ai kishte synimin për të vrarë, por në qoftë se provat nuk mund ta përcaktojnë se ai kishte të paktën synimin për të shkaktuar lëndim të rëndë fizik dhe logjikisht duhet ta kishte ditur se veprimet ose mosveprimet të çonin në vdekje. Nga këto aspekte, dikush, një gjykues i arsyeshëm mund të nxjerrë përfundimin lidhur me dijeni dhe elementin e cenueshmërisë”, tha prokurori.

Lidhur me Mustafën, prokurori tha se ai e la viktimën në gjendje e cila nuk mund të ecte dhe e la në prag të vdekjes.

“Dhe përsëri do të theksoj versionin më të dobishëm për Z.Mustafa që është që ai e la atë njëri në atë gjendje ku nuk mund të ecte në prag të vdekjes. Njëri që kishte në ndalimin e tij në një gjendje që ishte në rrezik të drejtpërdrejtë të vdekjes”, tha prokurori..

Lidhur me pyetjen se si duhet të përkufizohet dënimi i zbatueshëm, prokurori tha se në mënyrë të arsyeshme konstatohet se Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-së vranë qëllimisht viktimën e vrasjes.

“Pyetja e dytë është se si duhet të përkufizohet dënimi i zbatueshëm. Sipas nesh; Kjo nuk është një pyetje i nderuar gjykatës që duhet ta gjeni në këtë çështje sepse në mënyrë të arsyeshme konstatohet se Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-së vranë qëllimisht viktimën e vrasjes së paligjshme”, tha prokurori.

---

Prokurori Cezary Mihailzcuk është shprehur se aktgjykimi dënues ndaj Salih Mustafës duhet të mbetet në fuqi, dhe ky vendim duhet të merret për bazë me arsyetimin se është i mbështetur në prova të besueshme.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten është mbajtur seanca e apelit në çështjen e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ish-komandant “Cali” në dhjetor të vitit 2022 u dënua me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.

Në fjalën e tij, prokurori Mihailzcuk mes tjerash ka theksuar se Salih Mustafa ka pasur mundësinë të përdorë një gjykim të drejtë dhe t’i kundërshtojë akuzat në fjalë dhe të paraqesë dëshmi.

Ai ka deklaruar se aktgjykimi dënues ndaj Mustafës duhet të mbetet në fuqi pasi është mbështetur në prova të besueshme.

Në lidhje me argumentet e mbrojtjes së Mustafës për objektet në fshatin Zllash, prokurori Mihailzcuk theksoi se krimet janë kryer brenda një kompleksi të Zllashit.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, kur trupi gjykues e shpalli  Mustafën fajtor për krimet e luftës – ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023.

Trupi gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë prej 207  mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat