Ligji për lobim: VV, PDK e AAK skeptike, BE kërkon miratimin e tij

Aktuale

Ligji për lobim: VV, PDK e AAK skeptike, BE kërkon miratimin e tij

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 13:02
Në tryezën e Institutit Demokratik i Kosovës (KDI)

Tri partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, LVV, PDK dhe AAK kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për nevojën e miratimit të Ligjit për Lobim.

Në tryezën e Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) të martën, partia në pushtet u shpreh më skeptike për miratimin e këtij ligji, ndërkaq dy partitë opozitare e theksuan nevojën që përmes këtij projektligji të rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj ekzekutivit, por edhe Kuvendit. Ndërkaq, nga Zyra e BE-së në Kosovë theksuan domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji për t’iu afruar më shumë Bashkimit Evropian.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha lobimi në Kosovë nuk është i rregulluar juridikisht, mirëpo ndodh vazhdimisht përmes diskutimeve publike të projektligjeve.

Duke shprehur rezervat për këtij ligj, Kusari-Lila tha se i njëjti është shumë kompleks, pasi korporatat dhe bizneset kanë më shumë resurse financiare për të shtyrë përpara politika, sesa grupe të margjinalizuara apo përfaqësues të shoqërisë civile.

Ajo theksoi nevojën që paraprakisht të miratohet kodi i etikës në Kuvend dhe të rregullohen disa resurse të tjera që mbështesin lobimin.

Kusari-Lila: Ky proces është tepër kompleks, resurset të tjera që mbështesin lobimin duhet të jenë më të rregulluara

“Kompanitë e mëdha që kanë ndikim dhe vërehen edhe sot që kanë ndikim veçanërisht në sektorë të caktuar bëhen ende më të fuqishme, për faktin se shtyjnë përpara lobimet në favor të tyre dhe natyrisht nëse grupet margjinalizuara ose përfaqësues të shoqërisë civile provojnë të shtyjnë agjendë, atëherë tek resurset financiare do të jetë çështje problemi. Në vendet kur ka një praktik më të gjatë të rregullimit të lobimit, faktori financiar koha dhe natyrisht resurset e tjera që mbështesin lobimin janë shumë më të rregulluara. Kjo do të nënkuptonte krijimin e një disbalanci më të madh në shoqërinë kosovare. Me fjalë të tjera atë që po e prezantoj është se mendojmë se është një proces tepër kompleks, për faktin se ne po flasim në emër të kuvendit, por nismat ligjore janë mbi 90 për qind nga qeveria”, theksoi Kusari Lila.

Qëndrim tjetër shprehu deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se çështja e lobimit duhet të rregullohet me ligj, mirëpo në bazë të praktikave më të mira evropiane.

Ajo përmendi edhe rastin e Gani Jakupit, këshilltarit të jashtëm të MPDJ-së, ku sipas saj paguhet 7500 euro në muaj për lobim, mirëpo nuk ka transparencë dhe llogaridhënie për punë konkrete të tij.

Deliu: Çështja e lobimit duhet të jetë e rregulluar me ligj

“Kjo e shton më shumë nevojën që ne të dinamizojmë më shumë çështjen e lobimit dhe ta zyrtarizojmë. Po e përmendi një rast të përveçshëm, por ka pasur edhe raste të tjera. Rasti i Gani Jakupit muajt e fundit, ku një kontratë e MPJD-së prej 7500 euro në bazë mujore që i është dhënë një artisti me idenë që të avokojë dhe lobojë për Kosovën natyrisht se meriton llogaridhënie dhe një transparencë më të madhe. Prandaj ne duhet të punojmë pak më shumë që të zyrtarizojmë këtë çështjen e lobimit. Për ne nuk është e mjaftueshme të thotë se iu janë dhënë 7500 euro Gani Jakupit, derisa nuk dina asnjë gjë për atë se sa ka arritur Gani Jakupi të forcojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi ajo.

Mbështetje për nevojën e miratimit të këtij ligji shprehu edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj: Duhet të kemi një ligj për lobim

“Unë mendoj se duhet të kemi një ligj për lobim dhe t’i përshtatemi me kushtet dhe rrethanat e Kosovës. Të marrim një model që është më i miri dhe përshtatshmi për Kosovën... Është e vërtet se ka lobues dhe është e vërtet që lobojnë dhe asnjëherë nuk ndodh që të zgjidhet një bord apo agjenci që ne mos të kontaktohemi si deputetë prej të gjithëve”, potencoi Kadrijaj.

Në anën tjetër nga Zyra e BE-së në Kosovë,Jarmo Helppikangas, tha se lobimi është e rregulluar me ligj në BE, andaj edhe Kosova duhet të merr iniciativa për miratimin e këtij ligji.

Helppikangas: Përmes këtyre iniciativave iu afroheni BE-së

Më vjen mirë që mund të hap këtë tryezë të rrumbullakët shumë interesante, e cila është një pikë kontrolli shumë e mirë dhe një mënyrë për t'iu afruar BE-së është një nga ato iniciativat e rëndësishme që duhet të ndërmerren, pasi ju e dini se BE-ja po e ushtron shumë këtë lloj ndërthurjeje në një mënyrë të caktuar, të rregulluar, dhe të organizuar...1.40Ai ka bazat e tij në nenin 11 të traktatit në BE, i cili duhet të ketë mjete të përshtatshme për qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqatave që duhet të kenë një mundësi për të bërë të njohur dhe shkëmbyer publikisht pikëpamjet e tyre në të gjitha fushat e Bashkimit, kjo do të thotë se ka shumë fusha eksperte ku ndikimi është i nevojshëm dhe po kontribuon gjithashtu në një rregullim më të mirë”, theksoi ai.

E nikoqiri i kësaj tryeze, Pleurat Avdiu, tha se ideja e këtij diskutimi është që të ketë një rregullim dhe qartësi më të madhe në çështjen e lobimit.

Avdiu: Ideja është që të ketë një rregullim dhe një qartësi më të madhe në këtë drejtim

“Ideja është që të ketë një rregullim dhe një qartësi më të madhe në këtë drejtim. Ajo çka është e rëndësishme se literatura e njeh një grup të tërë të grupeve të interesit që merren me lobim, janë konsulentët, zyrat juridike, lobistët e korporatave, sindikatat, OJQ-të. Pra kryesisht kemi të bëjmë me institucione jo shtetërore që tentojnë përmes formave të ndryshme të ndikojnë tek institucionet”, tha Avdiu.

Iniciativa për miratimin e një ligji për lobim ka pasur edhe në vitin 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat