IPK nis hetimin për përleshjen ku u përfshi djali i policit në Prizren dhe fshehjen e pamjeve

Aktuale

IPK nis hetimin për përleshjen ku u përfshi djali i policit në Prizren dhe fshehjen e pamjeve

Më: 31 janar 2024 Në ora: 19:53
Policia

Më 25 janar, Gazeta raportoi ekskluzivisht për përfshirjen në një përleshje të Rionit Hamitit, djali i zyrtarit policor në Prizren, Halim Hamiti, i cili shpëtoi nga ndjekja penale pasi u intervistua vetëm si dëshmitar.

Rastit i është dhënë epilogu me dënimin e personit që u arrestua dhe u akuzua për incidentin, teksa djali i policit ‘fitoi’. Pamjet që i publikoi Sinjali dyshohet se i ka pasur në duar Policia në Prizren, por që i ka fshehur nga Prokuroria.

Pas publikimit të pamjeve hetuesit e Inspektoratit Policor janë vënë në lëvizje dhe së paku dy herë kanë qenë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren për të mbledhur informacionet e nevojshme që zbardhin rrethanat e asaj që ka ndodhur.

Edhe nga IPK e kanë konfirmuar se ka filluar një hetim preliminar lidhur me këtë rast.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se ka filluar hetim preliminar lidhur me këtë çështje në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Sinjalizuesit kanë bërë me dije se ndaj Rion Hamiti është kërkuar që të mos iniciohet rast vitin e kaluar, kur edhe ka ndodhur përleshja, jo sepse nuk ka pasur elemente të veprës penale, por, sipas tyre, për shkak se është djali i policit.

Ky i fundit po dyshohet se ndikoi në këtë rast, duke ndërhyrë që i biri të intervistohej si dëshmitar dhe jo si i dyshuar, pa e dëshmuar përfshirjen ose jo të tij në sherrin që plasi mes disa të rinjve më 16 korrik 2023.

Ndryshe, Rion Hamiti ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës dhe të hënën e kaluar ka nisur trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Deklaratën e zyrtarit policor Halim Hamiti dhe detajet e tjera për rastin i gjeni në linqet e mëposhtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat