Ende nuk janë liruar të gjithë - “Shoferi dhe dy udhëtarë qe 6 orë janë në mbajtje nga serbët, ua kanë marrë telefonat dhe dokumentet”

Aktuale

Ende nuk janë liruar të gjithë - “Shoferi dhe dy udhëtarë qe 6 orë janë në mbajtje nga serbët, ua kanë marrë telefonat dhe dokumentet”

Nga: Bota sot Më: 17 prill 2024 Në ora: 00:37 Përditësuar në ora: 18:07 më 17.04.2024
Pamje nga vendi i ngjarjes

Haxholli: S’janë liruar të gjithë kosovarët e ndaluar në Serbi

Fatmir Haxholli nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, thotë se ende nuk janë liruar të gjithë qytetarët kosovarë që janë mbajtur prej të martës në mbrëmje në pikëkalimin kufitar Serbi-Kroaci, Batrovc.

Haxholli tha se ai duhet të jetë i fundit që duhet të dalë nga stacioni policor në Batrovc, gjë që bëri të ditur se ai ende nuk është liruar.

“Në funksion të mbrojtjes së interesit institucionak, interesit publik dhe interesit qytetarë, i ftoj publikisht mediat që të mos konfirmojnë zhvillime ta përmbyllura. Unë duhet të jem i fundit që dalë nga stacioni policor kufitar në Batrovc, dhe kjo ende nuk ka ndodh. Kur ky është rasti do të ketë komunikim nga MPJD!”, ka shkruar ai në Facebook.

Qindra kosovarë janë mbajtur të bllokuar për mbi 17 orë nga autoritetet serbe në pikat kufitare me Serbinë.

Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova edhe në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Gjatë ditës, MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të vet që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi.

“Shoferi dhe dy udhëtarë qe 6 orë janë në mbajtje nga serbët, ua kanë marrë telefonat dhe dokumentet”- Kompania e autobusave i jep detaje një prindi

Prindi i njërit nga personat të cilët janë duke u mbajtur në kabinat në kufi Serbi-Hungari ka biseduar me kompanin turistike me të cilët djali i tij ka udhëtuar.

Media ka siguruar bisedën që ka zhvilluar ky prind me kompaninë e autobusëve me të cilën ka udhëtuar djai i tij.

Derisa ishte i shqetësuar për djalin, ai ka telefonuar agjencionin duke ju kërkuar informata, pasiqë kur ai kishte bisduar me djalin e tij ky i fundit i ka thënë se janë marrë nga serbët ai dhe dy të tjerë.

Ndërsa nga kjo kompani kanë thënë se ata ende nuk i kanë lëshuar, por që janë në gjendje të mirë dhe përveq që i kanë marrë telefonat dhe dokumentat nuk ka ndodhu asgjë tjetër.

“Shoferi jonë së bashku me ata të dy djemtë nuk janë liruar ende, nuk është arrestim por janë në mbajtje, që 6-7 orë janë brenda dhe ja kanë marrë edhe telefonat dhe dokumentat, njëri nga kolegët ka tentuar të hyjë brenda por që nuk e kanë lënë, ata për momentin gjenden në kufi Hungari – Serbi, nuk janë nëpër qytete”, tha ajo.

Lirohen qytetarët që u ndaluan në kufirin Serbi – Kroaci

Janë liruar kosovarët të cilët ishin të bllokuar për më shumë se 18 orë në pikën kufitare Serbi-Kroaci.

Edhe Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se Serbia me bllokimin e kosovarëve ka shkelur Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

Ende nuk ka informacione për të ndaluarit në pikën kufitare Serbi – Hungari.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovc autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

BE për ndalimin e autobusëve: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Bashkimi Evropian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi.

Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth këtij rasti që ka nxitur reagime të ashpra nga Kosova.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar Stano duke shtuar se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.

Autoritetet serbe kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.

Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu.

“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, thuhet në reagimin e BE-së.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u kërkuan qytetarëve që të mos kalojnë përmes Serbisë “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

Ndërkaq, MPJD-ja përmes një njoftimi të ndarë për media, tha se pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikën kufitare në Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, tha MPJD-ja.

Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale, si dhe ato të autobusëve.

“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.

Paraprakisht sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, përmes një postimi në Facebook, tha se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me "mbi 300 udhëtarë nga Kosova".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si "shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut" ndalimin në territorin e Serbisë të shtetasve të Kosovës, të cilët, "janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet".

Ndryshe, më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte./REL

Bllokimi i qytetarëve, Kurti: Serbia po hakmerret për votimin në KiE

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia po i mban në mënyrë arbitrare në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë një numër të madh të kosovarëve.

Me anë të një postimi në platformën X, ai ka theksuar se kjo po bëhet nga Serbia pasi dje për Kosovën votuan pro në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Një ditë pasi Asambleja e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia hakmerret kundër civilëve të Kosovës”.

“Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 qytetarë tanë përfshirë fëmijët po mbahen arbitrarisht në kufi, janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi. Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!”, ka thënë Kurti. 

Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e qytetarëve në kufirin Kroaci-Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me bllokimin e qindra kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi.

Përmes disa postimeve në platformën “X”, Bislimi thotë se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së.

Bislimi poashtu thotë se një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme serbe të agresionit.

“Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.

“Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar më tej Bislimi.

Revoltohen qytetarët e Kosovës në kufi me Serbinë, s’e përjashtojnë nisjen në këmbë për Kosovë

Qytetarë të shumtë kosovarë kanë mbetur të bllokuar tashmë e mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi.

Kjo si pasojë e autoriteteve serbe që nuk po lejojnë të kalojnë autobusët kosovarë, ndër ta edhe disa persona janë duke u marrë në pyetje.

Siç thonë qytetarët në vendin e pritjes, policët serbe ju thonë që vendimi vije nga Beogradi.

Por, ata tashmë janë revoltuar dhe kanë shprehur gatishmëri që të protestojnë.

Ndërsa, tashmë në kufirin Kroaci-Serbi ka mbërritur edhe autoambulanca, pasi disa prej kosovarëve iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak të pritjeve të mëdha.

Bllokimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi, reagon Von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka reaguar pas maltretimit të qytetarëve nga Kosova që është duke iu bërë Serbia në pikat kufitare.

Von Cramon përmes një postimi në “X” ka shkruar se Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten.

“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lejoj qytetarët me pasaporta dhe letërnjoftim të Kosovës  që të kalojë kufirin e Batrovcit! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, ka shkruar ajo.

Ndryshe MPJD dhe MPB u kanë bërë thirrje sot qytetarëve që të shmangin me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, për shkak të tensionimit të sigurisë.

Shqiptarët pos në Serbi, bllokohen edhe në Hungari, MPJD njofton QUINT-in

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se qytetarët që po vinin në drejtim të Kosovës, pos Serbisë, janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit, ata nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

“Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë. Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Në komunikatë poashtu bëhet e ditur se të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e QUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.

“Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim. Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”.

Afro 2 mijë qytetarë të Kosovës të bllokuar nga policia serbe, njëri nga shoferët: Disa po i marrin edhe në pyetje

Shteti serb po i mban të bllokuar dhjetëra autobusë e vetura me targa të Kosovës në të dy anët e kufirit me Kroacinë.

Në lidhje me gjendjen në kufirin Kroaci – Serbi dhe Serbi – Kroaci ka folur njëri nga shoferët e autobusëve të bllokuar, Euron Llugaliu, i cili tha se në bazë të informacioneve që kanë, arsyeja e bllokadës është votimi në Asamblenë Parlamentare për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Llugaliu tha se në pikën kufitare Serbi – Kroaci janë afro 15 autobusë, ndërsa duke u kthyer për në Kosovë janë afro 30 sosh

“Jemi në pikën kufitare Serbi – Kroaci, jemi prej orës 23:00 këtu duke pritur për të hyrë në Kroaci. Destinacioni është për në Gjermani. Arsyeja e ndaljes është që çdo autobus i Kosovës dhe çdo veturë po ndalohet prej policisë së Serbisë. Ndalesat janë në të dy anët. Për momentin në kufi jemi afër 2 mijë persona.”.

“Arsyeja është që mbrëmë që u votua për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sipas informacioneve që kemi ne është kjo arsyeja. Në çdo autobus po thonë policët që ka persona të dyshimtë. Po i marrin nga 2-3 persona, po i dërgojnë në stacion, po i pyesin se nga dhe prej ku po shkojnë”, tha ai në “Ora Shtatë”.

Tutje, Llugaliu tha se policia serbe po vijnë me nga një listë me emra se në kë prej udhëtarëve po dyshojnë dhe po i marrin në pyetje.

“Këta po vijnë me një fletë se në kë po dyshojnë. Po i marrin në pyetje se prej nga po vijnë, ku po shkojnë dhe a kanë viza. Një person ka ardhur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, shkoi tek policia për t’u marrë vesh me ta, por s’kemi asnjë informacion”, tha ai.

"Jemi afro 15 autobusë duke shkuar për në zonën Schengen, ndërsa duke u kthyer janë diku 25 apo 30 autobusë. Ndalesat janë në të dy anët. Për momentin në kufi jemi afër 2 mijë persona."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat