Për ndërtimin e stadiumit në Drenas ka dalë një problem i madh

Aktuale

Për ndërtimin e stadiumit në Drenas ka dalë një problem i madh

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 21:18
ilustrim

Ndërtimi i stadiumit të ri vazhdon të mbetet e pa qartë nëse do të ndërtohet në Bërnicë apo në Drenas. Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Insadjerin ka mohuar kategorikisht që stadiumi të ndërtohet në Drenas.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovcin janë shprehur të bindur se stadiumi do të ndërtohet në Drenas. Madje Veseli i bindur për këtë çështje ka marrë mbështetje nga Hungaria për ndërtimin e këtij stadiumi.

E megjithatë diskutimeve për ndërtimin e stadiumit në Drenas iu ka shtuar një problem tjetër. Banorët e Korreticës së Epërme apo më saktësisht banorët e pronave ku është duke u planifikuar ndërtimi i stadiumit në Drenas, thonë se nuk do të lëshojnë pronën e tyre për ndërtimin e stadiumit.

Shefqet Gjoshi, për Insajderin ka shprehur shqetësimit e tij për ndërtimin e stadiumit në pronën e tij.

Ai ka thënë se ndërtimin e stadiumit në pronë të tij është informuar nga mediet, ndërsa asnjë zyrtar i komunës thotë se nuk ka biseduar me të, në lidhje me ndërtimin e stadiumit në pronën e tij.

“Në bazë të raportimeve të Insajderit dhe vizitave të kryetarit Lladrovci ne jemi informuar për ndërtimin e stadiumit në pronën time. Tek unë por edhe tek banorët e tjerë askush nuk ka ardhur me e biseduar këtë çështje”, ka thënë ai.

“Unë i kom mbi 9 hektar tokë atu. Si unë ashtu edhe të gjithë banorët po e duam toka me na u kthye, sepse toka është e jona. Nuk jemi të interesuar me shitë tokën tonë dhe të gjithë banorët janë kundër shitjes”, ka thënë Gjoshi për Insajderin.

Ndërkohë që zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra ka thënë se në lidhje me ndërtimin e këtij stadiumi do të ketë një diskutim publik.

“Sigurisht se për atë procedure do del ne diskutim publik. Është interes nacional dhe nuk besoje qe do dalin pengesa”, ka thënë Dobra.

Gjatë ditës së sotme ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka treguar disa arsyeje përse ndërtimi i stadiumit po planifikohet në Drenas.

“Ne jemi duke e analizuar, pasi mundësi pak më e mirë po na duket Drenasi, për shkak se e ka aeroportin afër, autostradën, dhe gjitha. Dhe është në mes të Kosovës. Dmth është një ide që po na pëlqen edhe neve”, është shprehur Ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, për Express.

Më tej Gashi ka thënë se ende nuk është vendosur se ku do të ndërtohet stadiumi, por ka thënë se brenda një jave do ketë një vendim përfundimtar.

“Nuk e kemi vendosur ende, jemi në fazë të konsultimeve. Por, sidoqoftë besoj se për një javë do ta kemi vendimin përfundimtar. Është filluar një procedurë, dmth është ideuar për tu ndërtuar në Bërnicë, por në fakt me dokumentacion dhe letra nuk kanë pasur vendim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme Insajderi për këtë çështje ka kontaktuar këshilltarin e Haradinajt, Avni Arifi. Ai ka thënë krejtësisht të kundërtën e ministrit të Kulturës.

Ai ka thënë se stadiumi do të ndërtohet në Bërnicë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërtohet në Drenas.

“Ky stadium nuk është zhvendose kurse uroj që çdo komune e Kosovës të ketë mundësi për ndërtim e stadiumeve. E them edhe njëherë se stadiumi nuk është zhvendos nga Bernica ne Drenas. Zhvendosja e një investimi kapital nga një komune në komunën tjetër pa konsultim dhe miratim te ndërsjellë është gjithmonë vendim i gabuar dhe kjo nuk do te ndodhe”, ka thënë Arifi sot për Insajderin.

Kujtojmë se javë më parë kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me ministrin Gashi, kanë vizituar vendin në Drenas ku po planifikojnë ndërtimin e stadiumit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat