BBC: Pse shkëmbimi i territorit midis Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë rezultate?

Aktuale

BBC: Pse shkëmbimi i territorit midis Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë rezultate?

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 10:31
Ilustrim

Gjiganti britanik, BBC, i ka kushtuar një artikull idesë për korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë ku i ka përmendur të dyja palët; ata që e mbështesin një ide të tillë dhe të tjerët që janë duke e kundërshtuar atë.

Artikulli nis me takimin që pritet të mbahet nesër në Bruksel mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, ku siç shkruan BBC mund ta zyrtarizojnë konceptin e shkëmbimit të territoreve.

Lugina e Preshevës në Serbinë jugore, ku popullsia është kryesisht shqiptare mund të bashkohet me Kosovën.

Në këmbim, Serbia do ta rivendosë kontrollin e plotë mbi zonën me shumicë serbe në veri të lumit Ibër, i cili kalon nëpër zemër të Mitrovicës, theksohet më tej në këtë shkrim.

Fundi i tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë?

Sipas BBC, përkrahësit e kësaj ideje thonë se një shkëmbim territoresh potencialisht do t’i japë fund bllokimit që ka zgjatur për 10 vjet, që kur Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia.

“Ndryshimi i kufirit mund të duket si një ide jo e mire, por shumë e konsiderojnë atë si një zgjidhje praktikë” ka thënë James Ker-Lindsay, i cili është specialist për çështjet e Ballkanit në shkollën Ekonomike të Londrës.

“Nëse do të kishte një marrëveshje konsensuale midis të dyja palëve, kjo do të hapte rrugën për një normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe do të mundësonte që Kosova më në fund të bëhej anëtare e Kombeve të Bashkuara” ka shtuar Ker-Lindsay.

Mirëpo kjo ide ka hasur në kundërshtime përpara se të artikulohet plotësisht. Ballkani Perëndimor ka kaluar nëpër një proces të ndryshimit të kufijve gjatë viteve 1990 dhe më shumë se 100,000 vetë u vranë dhe miliona të tjerë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e konfliktit etnik.

Një recetë për konflikt?

Paddy Ashdoën i cili është Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar, i ka kërkuar shefes për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherinit, që të mos e mbështes idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Lëvizja e kufijve si kjo nuk do ta zgjidhë problemin, por do ta thellojë atë” shkruhej në apel duke paralajmëruar se edhe politikanët nacionalistë mund të përdorin një ide të tillë për ta shpërbërë Bosnjën.

“Paqja e qëndrueshme mund të vijë vetëm kur të mësojmë të jetojmë në bashkësi shumë-etnike, në vend që ti ri-vendosim kufijtë. Nuk ka asnjë politikë që ka më shumë gjasa të na çojë në ndarje dhe konflikt në Ballkan se kjo që tani duket se po e mbështesin.

Pa përmendur në mënyrë eksplicite një shkëmbim territoresh, Mogherini u ka kërkuar të dyja palëve të zgjidhin mospajtimet midis tyre.

“Unë jam e bindur se presidentët Vuçiq dhe Thaçi do të arrijnë një marrëveshje ligjore për normalizimin e marrëdhënieve dhe kjo marrëveshje do të jetë në përputhje me te drejtën ndërkombëtare si dhe do të ndihmojë për stabilitetin e të gjithë rajonit” ka deklaruar Mogherini.

Pse tani?

Siç shkruan më tej gjiganti mediatik britanik, ekzistojnë shpërblime të rëndësishme për të dyja palët, nëse ata mund të bien dakord për një marrëveshje.

Kosova më në fund mund të njihet nga 80 vende të cilat kanë refuzuar ta pranojnë pavarësinë e saj dhe Serbia mund ta përmbushë një kusht kyç për anëtarësimin e saj në BE.

Me Maqedoninë dhe Greqinë që arritën të zgjidhin një mosmarrëveshje të gjatë rreth emrit, ekziston një moment i freskët për të zgjidhur një tjetër problem ballkanik.

Për Kosovën dhe Serbinë mbetet dera e hapur, përfundon ky shkrim i BBC-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat